Tuesday, December 31, 2024
Gjakova Presss

Zhvillimi i arsimit shqip në Gjakovë deri më 1918 -Tahir efendi Boshnjaku

Tahir efendi Boshnjaku-foto internet

Shkëputur nga fejtoni “Zhvillimi  i  arsimit  shqip  në Gjakovë deri  më 1918 “- Dr. Masar Rizvanolli-botuar në Gjakovapress

 

Tahir efendi Boshnjaku themeloi, rreth viteve 1815-1816, Medresenë e Vogël, e cila e mori këtë emër vetëm pse u themelua më vonë se e Madhja, ndërsa për kah rëndësia, për kah hapësira apo për kah numri i nxënësve nuk ishte më e vogël se e para. Për shkak të famës që fitoi, këtë medrese e ndiqnin edhe nxënës nga rajonet e Sanxhakut të Jeni Pazarit, të Toplicës, të Plavës dhe të Bosnjes. Si myderrizë të njohur nga kjo medrese shquheshin, pos themeluesit të saj, Tahir efendiut, Fetah efendi Buza, Emin efendi Hoxha, Isuf efendi Çarkaxhija etj.42

Duhet të nënvizojmë, me ketë rast, se në këto medrese mësimet zhvilloheshin në gjuhën shqipe, ndonëse literatura që përdorej ishte në gjuhën arabe apo osmane. Sipas J. Rexhepagiqit “disa nga mualimët dhe myderrizët gjakovarë provuan të përkthejnë veprat nga gjuha arabishte dhe turqishte në shqipet e disa madje edhe shkruan libra në gjuhën shqipe, por duke përdorur alfabetin arab.”43 Në Medresenë e Madhe mësimet në gjuhën shqipe u zhvilluan edhe gjatë veprimtarisë së saj në periudhën e sundimit të Jugosllavisë së Vjetër, kur nuk kishte fare shkolla në gjuhën shqipe as që përdorej kjo gjuhë në isntitucionet publike.44 Prandaj, në medresetë e Gjakovës u shkolluan, kryesisht, nxënësit nga shtresat e varfëra fshatare, të cilët nuk e njihnin gjuhën turqishte, që nuk e flisnin në shtëpitë e tyre.45 Kësisoji ato ndikuan në përhapjen e arsimit në ato shtresa shoqërore, të cilat, për shkak të rrethanave ekonomiko-shoqërore dhe politika mbizotëruese e periudhës së Tanzimatit, ishin plotësisht të përjashtuara nga çfarëdo mundësie për shkollim të mirëfilltë.

Myderrizët e dy medreseve nuk e kufizuan veprimtarinë e tyre vetëm në procesin e mësimdhënies, vetëm në ngritjen e kuadrove të reja. Ata ishin edhe autorë të njohur veprash fetare, didaktike dhe atdhetare, disa prej të cilave të shkruara në gjuhën shqipe me alfabet arab. Ndër më të dalluarit ishte Tahir efendi Boshnjaku, autor i veprës në gjuhën shqipe “Emni Vehbije,” botuar në Stmboll më 1835 me shkronja arabe dhe të transliteruar e të transkribuar nga Ismail Haxhi Tahir Gjakova në alfabetin e Stambollit, botuar nga Mbrothësia e Sofjes më 1907.46 Ka autorë, të cilët mendojnë se “Emni Vehbije” është shkruar më 1806.47 Kjo vepër sipas disave iu kushtua nxënësve, ndërsa sipas të tjerëve iu kushtua hoxhallarëve për predikim në popull. Përmban fjalë të urta, që e kanë bazën në burimet biblike e kuranore, disa të përvetësuara nga shqiptarët. Këto paraqesin mendime që mund të hasën në kulturat e popujve të tjerë myslimanë e të krishterë.48 Vend kryesor në këtë vepër zen kërkesa për përhapjen e mësimit dhe të dijes. “Shkado me konë i keq – thuhet aty – xhahilleku osht ma i keq”49 Kjo vepër, pos vlerave gjuhësore ka edhe vlera pedagogjike. Aty flitet për detyrimet e çdo njeriu, për normat fetare, për detyrët familiare, për moralin, për dijen, për mësimin…50

Pirraku, nënvizon se “rëndësia kombëtare e kësaj vepre, për kohën kur është shkruar, fillimi i shek. XIX, sipas mendimit tonë qëndron në faktin se me këtë vepër, në mënyrë më të ngulitshme, zuri fill përpjekja programore e Rilindjes për futjen e gjuhës shqipe në shërbime të fesë islame në xhami dhe gjetkë, përkatësisht thellimi i punës në drejtim të shqiptarizimit sa më të plotë të xhamisë, kërkesa këto që nisën qysh në periudhën e pararilindjes, së paku nga fundi i shek. XVII. Rëndësia tjetër e veprës është për albanistikën si dije dhe pikërisht për gjuhësinë shqiptare”51.

Tahir efendi Boshnjaku, si mendimtar i filleve të Rilindjes Kombëtare, gjatë punës së tij arsimore dhe kulturore shkroi edhe vepra të tjera laike dhe fetare, të cilat, për fat të keq, u zhdukën gjatë fushatave antishqiptare që ndërmori Perandoria Osmane. Njera prej tyre i kushtohej zakonit të gjakmarrjës te shqiptarët.52

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *