Hendbollistët e Vëllaznimit një fitore drejt plejofit
Hendbolistët e rinj por me perspektivë të Vëllaznimit në këtë kampionat kanë bërë një hap të rëndësishëm drejt kreut të tabeles. Pasi më parë kishin bërë vend në superligën A, synuan plej ofin dhe duket se janë afër këtij synimi. Në një ndeshje interesante të luajtur të mërkurën në Gjakovë, Vëllaznimi fitoi ndaj Trepçës me dy gola dallim, 34:32. Vendasit kanë përmbysur rezultatin në pjesën e dytë për të arritur te fitorja. Pas pjesës së parë rezultati ishte 16:13 për mitrovicasit. Por lojtarët e Vëllaznimit nuk u dorëzuan dhe në pjesën e dytë siguruan fitore. Ardi Halili ishte më efikasi me 13 gola, ndërsa 8 i realizoi Mali Luzha.
Pjesa e parë e ndeshjes ishte e barabartë, kurse “xehetarët” në fund u shkëputën në tri gola. Epërsia e Trepçës shkoi deri në pesë gola në pjesën e dytë (19:14, 20:15). Në minutën 42 Vëllaznimi barazoi rezultatin në 21:21 pas një serie të suksesshme. Më pas u luajt për secilin gol dhe fare në fund Vëllaznimi krijoi epërsi prej dy golave që i mjaftoi për fitoren e rëndësishme.
Vëllaznimi tani i ka 26 pikë, sa edhe Kastrioti. Në rast se Kastrioti nuk merr pikë ndaj Prishtinës nesër, atëherë Vëllaznimi do të hyjë në plejof nga pozita e katërt.