Në numrin më ri të revistes, Alban Dobruna : “Kronikë e kohëve”, monografi për gjenealogjinë e familjes Lila-Rogova nga paraardhësit
Gjakova dhe historia e saj, e kaluara e dhimbshme, e tashmja dhe e ardhmja e saj është në fokusin e shkrimeve të veprimtarit të shquar, profesorit tonë të dashur Mr. Muhamet (Lila) Rogova, i cili është i njohur për kontributin e rëndësishëm që ka dhënë për Çështjen Kombëtare, sidomos në Gjakovë dhe në vise të tjera shqiptare. Në vitin 2021 nga pena e tij ka parë dritën e botimit libri me kujtime “Kronikë e kohëve 1”, gjenealogjia e familjes Lila-Rogova nga paraardhësit, Gjakovë, botuar nga Shoqata e Intelektualëve “Jakova”, 2021. Kujtimet si gjini e njohur e shkrimeve kanë vlera të posaçme për të njohur dhe për të transmetuar përvojën historike, politike, shoqërore, etj., të brezave të së kaluarës. Kujtimet kanë vlerë të posaçme sidomos kur autori i tyre është pjesëmarrës aktiv në këto ngjarje, kur ai është frymëzuar nga idealet atdhetare dhe nga angazhimi qytetar, ku veprimtaria e tij karakterizohet nga dashuria për bashkëqytetarët e bashkëkombësit, kur përpjekjet e tij janë në harmoni e në dobi të interesave të kombit e të shoqërisë, por edhe kur ka aftësinë t’i përshkruajë qartë ato.
Gjakova dhe historia e saj janë duke tërhequr vëmendjen e një numri gjithnjë e më të madh të intelektualëve dhe studiuesish, të cilët po plotësojnë kuadrin e larmishëm të historisë sonë, duke dhënë kështu një ndihmesë të veçantë për të kaluarën. Një nga këto kontribute është edhe libri i profesorit tonë Rogova, i cili është paraqitur lexuesit me librin për familjen e tij të nderuar, ka bërë një punë të lavdërueshme dhe mjaft të dobishme për studimin edhe të historisë së qytetit të Gjakovës, pasi hasim një galeri të tërë personazhesh. Midis tyre gjejmë personalitete politike që kanë zënë vend të veçantë në historinë tonë kombëtare, por, siç është e kuptueshme edhe shumë figura vendore.
Në fokusin e librit “Kronikë e kohëve 1” është paraqitja e historisë jo vetëm të kësaj familje, por edhe historia e mënyrës së jetës së përditshme të çdo qytetari që e ka jetuar atë periudhë dy qind vjeçare, e lidhur me jetën private dhe publike, ku si çdo njeri edhe pjesëtarët e kësaj familje krijuan shoqëritë e para të fëmijërisë, morën arsimimin, njohën dashuritë e para, zënkat e para, si çdo marrëdhënie njerëzore, të cilat sollën zhvillimet e përbashkëta në familje, punën, aktivitetet, luftën dhe produktet historike, etj. Libri është një përmbledhje e kujtimeve dhe rrëfimeve, të shkruara nga autori gjatë një kohe relativisht të gjatë kohore. Ato dëshmojnë për pjekurinë e autorit në trajtimin e një çështjeje kaq delikate si historia e një familje, andaj ai në vlerësimin për ngjarje e figura historike është munduar të jetë i saktë dhe objektiv. Materiali është i bollshëm dhe përsa u përket kujtimeve të mbledhura nga bashkëkohësit e ngjarjeve, ai, është i pazëvendësueshëm për të pasqyruar të kaluarën e largët dhe të afërme të kësaj familje. (më gjërësisht në Revisten Gjakovapress nr. 148 ONLINE)