Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Panairi i Gjedhit në shenjë të triumfit të races vendore

Qamil Miftari nga fshati Babaj i Bokës së komunës së Gjakovës me gjedhin e tij të racës “Bushë e kuqe e Dukagjinit” është zgjedhur fermeri më i shquar në panairin “Gjakova 2013”, panair ky jubilar, i dhjeti me rradhë që u mbajt të shtunen  në Korenicë të Gjakovës e që mbështetet dhe organizohet nga Ministria e Bujqësisë dhe Drejtoria lokale e Bujqësisë.

Përkundrejt pesëdhjetë gjedheve të pesë racave konkurruese, “Busha” është shpallur fituese në një garë shumë të theksuar, ku sipas jurisë në përzgjedhje kanë ndihmuar disa veçori të kësaj race.

Hajrip Mehmeti, profesor i Fakultetit të Bujqësisë në Universitetin e Prishtinës si dhe kryetar i komisionit vlerësues për përzgjedhjen e racës fituese ka pohuar se “të pesë racat konkurrente kanë qenë të një niveli të lartë dhe pothuajse të barabarta, por ne vendosëm për racën ‘Busha’, pasi kjo është racë ilire, racë e jona dhe fatkeqësisht është racë në zhdukje e sipër. Duke e shpallur fituese, kemi dashur t’i motivojmë fermerët që ta kultivojnë këtë racë, si të vetmin aset kombëtar dhe mos ta lejojmë zhdukjen e saj”.

Fermeri fitues, Qamil Miftari me emocion se raca dhe gjedhi i tij është përzgjedhur triumfuese, ka thënë se kultivimi i gjedhit vendor është më i leverdisshëm, sesa kultivimi i racave tjera, duke bërë të ditur se ka tridhjetë e pesë krerë të kësaj race dhe se kultivimi i tyre është mjaft ekonomik.” Duke i ushqyer vetëm me barë të njomë dhe pa ndonjë trajtim e shpenzim tjetër, po arrijë të nxjerrë mbi dhjetë litra qumsht”, ka thënë Miftari.

Përkundër kësaj levërdie të shprehur, megjithatë fermeri Qamil Miftari ka kërkuar mbështetje më të madhe institucionale, pasi, siç u shpreh, kushtet për blegtori nuk janë aspak të mira. Ndërkohë, zyrtarët institucional të të dy niveleve kanë pohuar se po bëjnë mjaft për bujqësinë dhe blegtorinë e cila në vazhdimësi vie duke u përmirësuar.

Kryetari i komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, ka pohuar para fermerëve dhe të pranishmëve tjerë të shumtë se “vet ky panair është përkahje institucionale, po përveç kësaj ne si komunë jemi të kënaqur me mbështetjen që po u bëjmë femrerëve. Nëse tërheqim një paralele para gjashtë viteve kur buxheti komunal për bujqësi ka qenë rreth dhjetë mijë euro, tani gati e kemi ofruar shifrën një milion euro dhe kjo dëshmon se ne e kemi në prioritet bujqësinë”.

Ndërkaq, Isuf Cikaqi, në emër të Ministrisë së Bujqësisë ka pohuar se “Ministria e Bujqësisë po i mbështet këta fermerë përmes granteve dhe donacioneve, e në veçanti një mbështetje të mirë po e gëzon edhe sektori i blegtorisë, sektor i cili po i rritë përfitimet çdo ditë e më tepër”. Cakiqi ka vlerësuar edhe racat konkurruese duke thënë se sivjet ka cilësi jashtëzakonisht të mirë dhe se kjo, sipas tij, është dëshmi se sektori i bujqësisë po rritet e po profesionalizohet gjithnjë e më shumë.