Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Zejet: Bukëpjekës  Din Vorfi

DIN VORFI-BUKEPJEKESNJË JETË ME ZEJEN E BUKËPJEKËSIT

Është  një profesion,  një zanat që tradicionalisht është kultivu edhe kultivohet edhe në qytetin e Gjakovës- Bukëpjekës, furragji, ekmegji…. Ndoshta jo sikur terzinjtë, tabakët, saraçët e tj.  për nga përhapja, por gjithsesi i pandashëm në përditshmërinë tonë. Ndoshta gjakovarët edhe kanë hezituar të merren me këtë zeje. Shumica ka qenë nga zona e Hasit që e kanë kultivu me shekuj këtë zeje, por ka pasur edhe gjakovarë që një jetë të tërë ia kanë kushtuar e ia kushtojnë zejes së bukëpjekësit. Dikur qyteti ka pas shumë furra të njohura të lagjeve të   Gjakovës. Njëri prej bukëpjekësve tash më të moshuar të Gjakovës ( 80 vjeçar)  i cili ende është aktiv dhe punon vazhdimisht me këtë zeje  është Din Vorfi. Ne shkuam  në furrën e bacës Din për të zhvilluar një bisedë me te.

 Baca Din kur keni filluar të merreni me zejen e bukëpjekësit. Është traditë e shtëpisë suaj apo ju jeni brezi që e keni nisur?

Unë jom brezi i katërt i familjes Vorfi që e kom trashëgua këtë profesion,  jo prej nënçmimit,  po këtu me këtë profesion kemi gjet nji zgjidhje t’problemit t’ekzistencës. Edhe unë nuk kisha me ta nënçmua prej zejeve tjera se, secila zeje e ka randësinë e vet. Shumë pak qytetar t’Gjakovës e kultivojin këtë zeje. Jemi këtu n’gishta,  mundem edhe me i numëru. Oshtë si bashkëmoshatar i jemi,  Halil Hoda. Përpara këtu ka qenë Qumili i Ahmet Efendisë i cili  ka punu këtë zeje dhe bukëpjekësit e rinj kanë mësu  nën mbikëqyrjen e tyne .

Si ka qenë fillimi, i keni qëndruar pranë babait juaj dhe e keni marrë zanatin prej tij apo si?

Prej vllaznive vetëm unë kam qenë i interesum për këtë profesion, qashtu m’ka lindë dëshira. Mirëpo unë nuk kisha mi nënçmua këtë profesion. Si unë duhet me vepru edhe tjerë qytetarë e jo me u orjentu vetëm në nji drejtim, në tregti…! Po n’atë kohë ka qenë nji punë e vështirë se oshtë punu vetëm me dorë. Kemi gatu  me dorë  deri me 1972. Llogarit tash kur unë si fëmijë me babën prej moshës 7-8 vjeçare  kemi punu krejt me dorë. Me 72-shin për herë t’parë shoqi i punës u shku edhe e ka ble makinen,  ku na u ka lehtu puna. Brumat,  sidomos miellnat e bardhë jonë shumë t’zorshëm mu punu me dorë. Tash ekziston shumë shka që e lehton këtë profesion,  si kah gatumja,  qeverisja,  si kah dirigjimi i temperaturës. Nuk ki luhatje të temperaturës. Aty te brumi i bukës e bon sa e donë temperaturën.

Ju keni punuar në disa furra,  në disa pjesë të qytetit, ku e keni pas furrën e juaj?

Nji kohë t’gatë,  të themi afër 50 vjet kem punu n’muhallë t’Gërqarve. Babgjyshi baba edhe unë. Unë jam kon i pandashëm në këtë zanat. Po atëherë u duhke grunin mi marrë e mi qu n’mulli e mi sitë. E kemi pas ni maqinë klasike, mi qiru grunin. U duhke shumë  me punu n’krahasim me sot. Ajo,  ta quajmë,  ka qenë bukë shtëpiake. Kanë punu me ‘maje’ primitive. Majet shtëpiake i kemi përdor deri kur u dalë me 1957-shin kemi fillu me punu me maje t’melit,  masanej edhe ajo u la, fillum me kvasac që oshtë nji lehtësim i madh për profesionin e bukëpjekësit.

Kohërat e përparshme bashkëqytetarët tanë kanë qenë në një gjendje të vështirë sociale, atëherë varësisht prej rrethanave sociale është përdor edhe buka prej misri. Çka mund të na thuani ju,  sa kanë sjellur bukë misri për të pjekur tek ju në furrë?

Në muhallë t’Gërqarve, mujim me thonë vetëm 5 a 6 shtëpi kanë pru bukë t’grunit që i thojshin atëherë. Krejt bukët tjera  kanë qenë bukë misri. Furra ka qenë kuzhina e lagjes, aty oshtë përgatitë silla,  aty oshtë përgatitë darka, krejt n’mënyrë primitive. Atëherë s’ka pas shporeta, do kaftorra qe i bojshin llastragjitë, en tangarë,  qaty mu zi gjella… Deri n’derë t’furres u mushke krejt me enë primitive se nuk ka pas tjera.

Si e kanë sjellë bukën, me tepsi apo kanë qenë enë tjera, në furrën e juaj?

Në furrën e muhalles Gerqarve,  unë pe foli për atë lagje, furra e parë kur u pjekë gjysa u kon me bukë në  tanura.

Çka janë këta tanurat baca Din?

Tanurat janë prej drunit n’formë t’rrumbullakt. E kanë nji dorzë, aty e zoja e shpisë  e përgatitke bukën edhe e bijke në furrë . Kështu që,  qasi vorfnije u kon qe nuk kish në enë t‘metalit ku mi qitë bukën. Atëherë  u kon e preferume për furrë t’parë,  kur oshtë furra ma e nxehtë për mos mu shkapërderdhë buka e misrit,   se brumi i millit të misrit nuk  lidhet sikur që lidhet  brumi i grunit.

Përveç këtyre që i përmende,  gjakovarët e kanë pas zakon me i sjellë gjellërat me  vegsha?

N’mbramje i bijshin për t’nesërit, kështu që ajo gjellë u bohke shumë kualitative se zihet shumë kadalë edhe për nji kohë t’gatë. Tash na pleqtë jemi n’kundërshtim me këto forma të reja të zimjes,   me e bo gjellën n’atë ‘fortunen’(Tengjere Expres) . Ajo që përgatitet në furra oshtë shumë ma e shijshme se  e zimja në tenxhere në shtëpi . Në furra buke, aty oshtë nji hapsinë e madhe,  ku nji teknollog i Prishtinës na ka thonë se ushqimi i pjekën apo zim në furrë është shumë i shëndetshëm. Ai na trojke se,    hala nëpër disa shtete t’botës për musafir eminent përdoren gjellnat që zihen nëpër këto furra.

Po flasim për vitet,  para nja 50 vitesh, ku kanë qenë furrat të shpërndara nëpër qytet dhe kush kanë qenë bukëpjekësit që ju i mbani mend?

Paj, furra nëpër qytet si banorë t’përhershëm t’ Gjakovës kanë pas tuj fillu prej  babes Ymeri me gjithë babgjyshin Beqiri, Qumili i Ahmet Efendisë,  u konë Isa Gjini,  jo qe ka punu vet po e ka pasë furren e vet kshtu që ka punu me punëtorë tjerë, u konë Qumil Durmish Zherka, karshi me Humdi Bicurrin, i  thojshin Çuki Bicurrit. N’muhallë t’Hadumit u konë Fetah Hushi ose Canhasi me mbiemër,  na i thojshim Fetah Hushi masnajne  n’kry t’pazarit u kon furra.

Po në lagjen e Qerimit?

Në lagjen e Qerimit përfundi nderteses se vjetër të ‘Agimit’ u konë nji furrë e Begit i thoshin,  edhe u kon furra e Stavilecit. Neltë u konë furra e Haxhikadrisë. Përmi muhallë t’Qerimit në muhallë të Qylit u kon furra  ku oshtë sot furrtari Muharrem Hoda edhe aty ka qenë një furrë.

Meqenëse ju jeni mjeshtër i prodhimit të bukës,  cila është procedura e prodhimit të bukës cilësore?

Për me mbërri cilësinë e duhun buka duhet ma s’pakti prej 3deri në 4 orë me kalu nëpër proces për me dalë e pjekne . Në  fabrikën shtetnore të bukes që u konë në Gjakovë, ‘Zhitopromet’ e kem pas nji radhitje që brenda tri orëve ajo dilke e pjekne . Atje, sëoari ajo kalojke nëpër dy komore që oshtë bo fermentimi atëherë ka hi nëpër uren, komoren e fundit t’fermentimit që ka kalu nepër qeverisje nëpër ato rrumullakoret. Kështu që deri kur ka dalë e pjekne ka kalu n’atë procesin tri orësh.

Furra dikur moti  ka shërby vetëm për shërbime, me  pjekë pjekurina të ndryshme,  pite,  bakllava, zierje të gjellërave e tjera , aty ka qenë edhe një vend i bisedave. Bile kanë thënë se kur dikush ka dashtë me marrë një nuse prej një mëhallë ma spari e ka vetë furragjinë çfarë familje është. Si i shpjegoni këto gjëra baca Din?

Paj çdo bisedë sikur trajneri kur ti përgatitë lojtarët për lojë edhe kjo ka qenë nji parapërgatitje se ti ku t’merr informata prej lagjes e ki shumë ma letë me pru atë person t’përjetshëm en shpi. Aty u zhvilloheshin muhabetet e dynjasë. Në furrë mblidheshin pleqtë. Dimnit tangari me prush dhe kersitke muhabeti!!! Filloni ka mi martu djalin, ka mi marrë filon çiken…Qetri ja pritke ,  aaaaa… ka se  shka me shti n’shpi. E  ka mikin qishtu e qashtu… T’gjitha parapërgatitjet, boheshin en furrë. Bukur muhabete të randësishme janë bo se aty nuk ka qenë pazar i rrugës.

E furragjija i jepke mendimet e veta, në bazë të sjelljeve që i ka pasë një familje kur ka pru bukën ose tavën ose piten ose dishka. Bukëpjeksi e ka pa se çfarë sjellje ka ai fëmija qoftë më i vogël,  qoftë i rritur, edhe e ka fitu përshtypjen se çfarë familje oshtë ajo .

Po në furrë  përveç kësej shumë ngatërresa edhe jonë eleminu. Kur ka pasë ngatërresa e kur u thonë se  filon-filoni n’lagje,  aty n’muhallë nuk i kanë raportet e mira, i  kanë thirrë aty,  e kanë bo njifarë konsulltimi aty dhe me marrëveshje mes pleqve që mblidheshin aty  jonë eleminu…

…. Gjerësisht  në Revisten Gjakovapres Nr. 88