Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

70-Vjetori i hapjes së Normales së Gjakovës

Shkruan: Dr. Alban Dobruna

Pas përfundimit të Luftës Antifashiste, në nëntor të vitit 1944, në Kosovë u vendos pushteti i ri i cili pak dallohej nga ai i Jugosllavisë së para luftës. Aspiratat e shqiptarëve për bashkim me Shqipërinë nuk u realizuan. Në këto rrethana, më 8 shkurt 1945, u shpall gjendje e jashtëzakonshme dhe u vendos pushteti ushtarak në Kosovë. Kjo krijoi një gjendje të rëndë dhe të padurueshme. Kulminacioni i tërë këtyre veprimeve antishqiptare është Konferenca e Prizrenit, mbajtur më 8-10 korrik 1945, ku veç tjerash u anuluan vendimet e Konferencës së Bujanit dhe u proklamua aneksimi i Kosovës nga Serbia.

Në këto rrethana udhëheqja shqiptare e Kosovës në krye me Fadil Hoxhën, Xhavit Nimani etj., e gjendur në një situatë shumë të vështirë duhej të vepronte me maturi, sipas mundësive dhe rrethanave që ju imponuan. Kosova ishte vendi më i prapambetur në Evropë, ndërsa, mbi 90% e popullsisë ishte analfabete. Prandaj, në këto parakushte udhëheqja shqiptare e dalë nga lufta vendosi të qëndronte, duke e bërë emancipimin kulturo-arsimor kauzën e shpëtimit dhe përparimit të Kosovës si tërësi. Në rrethanat të thuash dëshpërues, më 16-17 qershor të vitit 1946, në mbledhjen e III të legjislaturës së parë të Këshillit Popullor të Krahinës Autonome të Kosovës dhe Metohisë si quhej atëherë, u morë vendimi për hapjen e Shkollës Normale, ndërsa, propozimin për zgjedhjen e qytetit të Gjakovës u dha nga Mehmet Gjevori me arsyetimin se është qytet arsimdashës dhe se gjuha shqipe e Gjakovës është më e pastër nga turqizmat dhe sllavizmat. Po ashtu, Gjakova kishte qenë bazë e Luftës Antifashiste. Veç kësaj ishte qendër urbane e gravitimit, e njohur në Rrafshin e Dukagjinit. Shkolla Normale e Gjakovës ishte edhe si rezultat i kontributit të drejtpërdrejtë i institucioneve shkollore e kulturore të Shqipërisë në krijimin e mësuesisë Shqiptare në Jugosllavi, është një prej faktorëve të rëndësishëm në themelimin, zhvillimin dhe funksionimin e kësaj shkolle. Puna e shumë mësuesve nga Burreli e Peza, Lezha e Kukësi, Mirëdita e Korça, Shkodra e Vlora, Kruja e Pogradeci, Elbasani e Gjirokastra, në shkollimin e vegjëlisë shqiptare jo vetëm të Gjakovës, po në të gjitha trevave të Kosovës në kushte të varfërisë, të vuajtjeve dhe të pasigurisë individuale e familjare do të ngelë përgjithmonë e skalitur në ar në përmendoren e mësuesisë sonë dhe në historikun e shkollës shqipe gjatë viteve 1940-1950.

Shkolla Normale e Gjakovës, filloi punën më 26 tetor 1946, me sistem të shkurtuar mësimor – dy vjeçar. Normalja e Gjakovës u vendos në godinën e Institutit Tregtar, që më parë quhej Instituti apo Shkolla Normale, e hapur më 1942, e që punoi deri në nëntor të vitit 1944. Shkolla e lartpërmendur ishte e tipit të përgjithshëm mësimor e ngjashme me gjimnazet e ulëta ose ciklin e lartë të shkollave trevjeçare të pasluftës.

Nga shkolla e lartpërmendur, Normalja e Gjakovës, trashëgoi vetëm godinën shkollore në të cilën do të punoi gjatë dy viteve të para shkollore 1946-1948. Fillimi i mësimit u zhvillua në kushte shumë të rënda. Veç mungesës së teksteve shkollore, mungonte edhe kuadri mësimor, kështu që mësimdhënësit që u angazhuan mbanin dy deri në tri lëndë mësimore.

Me hapjen e Shkollës Normale shqipe në Gjakovë u morë nismë për regjistrimin e nxënësve, propagandimin e nevojshëm për përfshirjen e tyre sa më të madhe, si dhe përgatitjet e duhura për sigurimin e kuadrit arsimor.

Arsimtarët e parë të Normales së Gjakovës ishin mësimdhënës të dëshmuar në punën arsimore edhe më herët, si: Beqir Kastrati, që kryente njëkohësisht edhe detyrën e drejtorit, Tajar Hatipi, Hasan Vokshi, Apostol Tanefi, Margarita Gjurashkoviq, Nikollë Dragiçeviq, Dhimitër Furllani, Dhimitër Markaj, Nevruz Nura, Etëhem Stublla, Ramadan Jusufi, Jusuf Nimani, Myzafere Gjinali-Hatipi, Lirie Xhufka-Tanefi, Shaip Ademi, kurse mësues me honorar ishin Skënder Curri dhe Shahin Kryeziu.

Mirëpo, përkundër të gjitha sfidave që u dilnin përpara, duke u nisur nga rëndësia historike e hapjes së kësaj shkolle, kërkohej një agjitim i përgjithshëm me qëllim që prindërit t’i përgjigjeshin masivisht thirrjes për të regjistruar fëmijët në këtë shkollë. Për përfshirjen në këtë shkollë u angazhuan në mënyrë të veçantë arsimtarët dhe intelektualët e tjerë të Kosovës, organizatat politiko-shoqërore të asaj kohe. Falë angazhimit të tillë, thirrjes për t’u regjistruar në këtë shkollë iu përgjigjën shumë nxënës nga Kosova, Maqedonia dhe Mali i Zi.  Ky angazhim u bë për shkak se ditën t’i çmojnë vlerat e shkollimit të vegjëlisë shqiptare në gjuhën e tyre amtare, por këta u angazhuan drejtpërdrejt në përgatitjen e parakushteve për shkollim në vendin e tyre dhe në dërgimin e të rinjve për shkollim në gjuhën shqipe, duke i dhënë epërsi shkollimit të tyre për mësuesi.

Në vitin shkollor 1946/47 në klasën e parë të Shkollës Normale Shqipe në Gjakovë u regjistruan 53 nxënës.

Një vit më pas, 1947/48, punonin dy paralele me 107 nxënës, ndërsa mësim jepnin po aq arsimtarë sa edhe në vitin paraprak shkollor dhe disa të tjerë me honorar.

Një numër solid i nxënësve atë vit tregoi interesimin e ndjeshëm të prindërve dhe të nxënësve për regjistrim në këtë shkollë, meqë e kishin kuptuar rëndësinë që ajo kishte për kohën meqë ishte e vetmja me mësim në gjuhën shqipe.

Kjo bëri që në vitin shkollor 1948/49, Normalja e Gjakovës të kishte 4 paralele me gjithsej 174 nxënës. Kjo ishte një kthesë e madhe në shtimin e numrit të nxënësve dhe të arsimtarëve. Atë vit shkollor mësimin në këtë shkollë e zhvillonin 11 arsimtarë.

Në vitin e ardhshëm, 1950/51, shkolla kishte 6 paralele me 222 nxënës dhe 20 arsimtarë. Për të mundësuar vijimin e rregullt të nxënësve, shumica e të cilëve nuk ishin nga Gjakova me rrethinë.

Në vitin shkollor 1951/1952 këtij kuadri iu shtuan edhe Hilmi Brovina, Zija Këpuska, Mustafë Hima, Ismet Canamusa, Ibrahim Zherka, Demir Rizvanolli, Mihailo Stosiq dhe Blagoje Stojanoviq.

Shkolla Normale nuk veproi shumë kohë në Gjakovë. Me vendimin e Pleqësisë së Arsimit e të Kulturës të dt. 13.08.1953 ajo u transferua në Prishtinë. Në vitin 1953/54 ajo vazhdoi punën në Prishtinë, ngase ky qytet ishte qendër administrative e Kosovës. Po atë vit, Pleqësia për Arsim e Kosovës, ndau një shumë prej 3.183.448 dinarësh për fillimin e ngritjes së godinës së kësaj shkolle. Pleqësia e Arsimit, në raportin e saj njofton Këshillin Ekzekutiv të Kosovës me vendimet që kishte marrë lidhur me Shkollën Normale të Gjakovës. Sipas raportit, arsyet për transferimin e saj në Prishtinë ishin:

  1. Prishtina ishte qendër kulturore e Kosovës;
  2. Prishtina do t’i joshë më shumë të gjithë ata që kanë mbaruar progjimnazet, ngase ndodhet në qendër të Kosovës;
  3. Prishtina ka kuadër më të shumtë arsimor në gjuhën shqipe, që do të mund të kyçej në këtë shkollë.

Vendim u mor më 13 gusht 1953. Ky transferim i Normales nga Gjakova në Prishtinë la gjurmët në arsimin, shkollimin të mësuesisë sonë, sikurse rezultatet e gjurmimit të tyre, tregojnë se arsimi shqip ka qenë një e i pandarë dhe mbi themelin e tij shqiptarët filluan sistematikisht ta krijojnë mësuesinë e tyre në gurrën e shkollimit të përbashkët, duke zgjeruar përmasat përmbajtjesore, kadrovike, organizative dhe materiale, dhe mori dimensione të reja të veprimtarisë rrezatuese të saj. Sipas modelit të formimit dhe të zhvillimit të Shkollës Normale në Gjakovë, përkatësisht në Prishtinë dhe në Prizren, u themelua Shkolla Normale në Tetovë më 1952, e cila shpejtë, sikurse edhe Normalja e Gjakovës, u bartë në Shkup, kurse më vonë u themeluan shkolla normale edhe në Gjilan, Pejë dhe Ferizaj.

Si përfundim, mund të themi, se, ndonëse Shkolla Normale e Gjakovës veproi relativisht shkurt, kontributi i saj ishte domethënës dhe i rëndësishëm për arsimin kombëtar. Ajo ishte shkolla e parë e mesme profesionale në Kosovës. Kjo Normale iu mësoi gjeneratave të para edhe atyre që do të vinin më pas për kulturë, për vlerat sociale dhe ndryshimin e vendit, për rrugën dhe për mjetet që duhet përdorim në frontin e përpjekjeve për liri, integrim dhe pavarësi. Kurse nxënësit që dolën nga kjo shkollë, më vonë, u bënë emra të shquar në lëmin e krijimtarisë kulturo-arsimore e shkencore. Nuk mund të mos përmendim këtu: Ali Hadrin, Ramiz Hoxhën, Enver Dukagjinin, Qazim Lleshin, Murat Isaku, Enver Gjerqeku, Besim Bokshi, Pajazit Nushi,  dhe pa harruar edhe shumë e shumë të tjerë. Ata u bënë pishtarë të arsimit shqip, që punuan në shumë shkolla fillore, progjimnaze, e deri profesor universitet dhe kudo ku ndihej nevoja për dijen dhe kontributin e tyre.

Nxënësit e kësaj shkolle dhe normaleve të tjera që u hapën më vonë, do të jenë pishtarët e pashuar të arsimit dhe të përparimit kulturor e arsimore, jo vetëm në Kosovë por edhe gjithandej viseve shqiptare. Ata në këtë mënyrë, jo vetëm që luftuan errësirën shekullore të trashëguar, por do të mbesin përgjithmonë lapidarë dhe simbole të emancipimit dhe të përparimit të Kosovës në rrethanat e shtypjes nga regjimi jugosllav.

Emrat e nderuar të intelektualëve prijatarë, si: Beqir Kastrati, Hasan Vokshi, Etëhem Stublla, Tajar Hatipi, Mehmet Gjevori dhe shumë të tjerë, për punën e tyre vetëmohuese janë nderuar me shumë tituj e medalje në të kaluarën nga institucionet e Kosovës. Ndërsa, ne sot i kujtojmë me pietet e respekt të veçantë. Sot emrat e tyre i bartin me nder shumë institucione shkollore e rrugë të qyteteve në Kosovë.

Qoftë i përjetshëm kujtimi për Normalen e Gjakovës si një fidanishte e arsimit dhe kulturës kombëtare në Kosovë.