Rrugëtimi artistik i Halil Muhaxherit përmes ekspozitës “në shqetësime dhe heshtje”

Galeria Kombëtare e Kosovës më 20 Nëntor 17  solli ekspozitën retrospektivë ‘…në shqetësime dhe heshtje…’ të Halil Muhaxherit.

Kjo ekspozitë retrospektive erdhi për të përjetësuar veprat e të ndjerit dhe për të përçuar fuqinë e veprave unike, edhe pa prezencën e tij fizike. Kjo ekspozitë prezantoi për artdashësit veprimtarinë disa vjeçare të Halil Muhaxherit ndërsa erdhi e ndërthurur përmes pikturave ku dominonin peizazhet, natyrat e vdekura, skicat e portretet.

“Kult” shkruan se,  në fillim të kësaj galerie, në pikturat e artistit dominonin frutat e shpërndarë që i kishte pikturuar mjeshtërisht. Në mes të galerisë kishin zënë vend pikturat e tij të krijuara gjatë periudhës 1998 dhe 1999 , të cilat e shpërfaqin shprehjen e tij dramatike përmes veprave ku ai kishte sjellë disa kompozicione me mbishkrime “Mos ma prek ti shkja Drenicën” dhe “Në Drenicë na u ndal Pranvera”.

“Kjo është një nga ekspozitat që edhe na mallëngjejnë por edhe hedhin dritë mbi historinë e artit bashkëkohor kosovar”, ishin fjalët me të cilat e hapi ekspozitën Drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës – Arta Agani.
Kuratori dhe njëherësh ideatori i kësaj ekspozite – Esat Valla, në ceremoninë hyrëse u shpreh se ndihet i nderuar që sonte po prezanton punën e mikut të tij dhe piktorit Halil Muhaxheri.

Në këtë ekspozitë në emër të familjes fjalën e mori Ylber Muhaxheri, i biri i piktorit Halil Muhaxheri i cili falënderoi të gjithë të pranishmit dhe organizatorët për këtë ekspozitë.

“Piktori Agron Mulliqi e përshkruan Halil Muhaxherin si profesor dhe koleg të përkushtuar duke thënë se ndihet i nderuar për bashkëpunimin me një njeri si ai. Piktori Mulliqi tha për KultPlus se Halil Muhaxheri është njëri nga kontribuuesit më të mëdhenj në stilin dhe në artin modern kosovar dhe si veçanti të stilit të tij theksoi ngjyrat, figuracionin dhe harmoninë e kompozicioneve.

Akademiku Rexhep Ferri veprimtarinë e Muhaxherit e vlerësoi si shumë humane dhe njerëzore, derisa tha për KultPlus se ai me këto vlera gjithmonë e ka ushqyer personalitetin e tij krijues që shfaqet sonte edhe në këtë ekspozitë.

Halil Muhaxheri lindi më 5 prill 1945 në Gjakovë, ku edhe vdiq më 6 tetor 2013. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa të mesmen e arteve në Pejë. Fakultetin e Arteve Figurative, dega e pikturës, e mbaroi në Beograd më 1970, ndërsa studimet pasuniversitare në po të njejtën degë, i përfundoi po në Beograd në 1972. Ai i takon brezit të mesëm të krijuesve kosovarë të cilët kontribuuan në begatimin e këndvështrimeve të reja tematike e shprehimore.