Urime të përzemërta, për Festën e Pavarësisë dhe të Krenarisë sonë Kombëtare!…

Nga: Prof. Murat Gecaj,  publicist e studiues 

1.

Në historinë mijëravjeçare të popujve, ngjarja  më e shënuar, për ata, është shpallja e pavarësisë ose data e formimit të shtetit të tyre. Secili vend, duke iu drejtuar historisë së vetë, krenohet me të kaluarën dhe projekton të ardhmen e tij më të mirë. Një gjë të tillë e kemi bërë dhe e bëjmë edhe ne, shqiptarët. Pra, vështrojmë me krenari në të kaluarën tonë, duke u përpjekur që e nesërmja e brezit të sotëm dhe brezave, që vijnë pas nesh, të jetë demokratike, plotësisht e lirë, sa më e begatë dhe më e lumtur.

Siç dihet, jo vetëm nga të rriturit, por  edhe nga nxënësit e shkollave tona, një pikë kulmore dhe kthesë e përjetshme, në historinë tonë të re kombëtare, ishte data 28 Nëntor e vitit 1912, pra që u shënua 105 vjet më pare, në qytetin e Vlorës. Periudha e ndritur e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastriotit-Skenderbeut, u pasua me pushtimin e gjatë 500-vjeçar otoman. Por asnjëherë  shqiptarët nuk e reshtën kundërshtimin dhe as nuk e ndalën luftën e tyre të drejtë e të vendosur,   për të qenë plotësisht të lirë e të pavarur. Kjo gjë u provua, sidomos, me kryengritjet e përgjithshme të viteve 1910-1912, që çuan në kurorëzimin e  përpjekjeve të tyre, në Shpalljen e Pavarësisë sonë Kombëtare dhe formimin e shtetit të parë shqiptar. Ishin ndër bijtë më të mirë të popullit ata, që ai i dërgoi në Vlorë, përfaqësues të vetë dhe mbi supe u vuri barrën e rendë, por të lavdishme, pra të shpalljes së Shqipërisë, shtet i lirë dhe “i mosvarur”.

Është shkruar e është folur shumë, në artikuj, studime e botime të ndryshme, gjatë këtyre 105 vjetëve, për misionin e lartë historik të delegatëve të popullit shqiptar, pothuajse nga të gjitha trojet amtare e të mbledhur, bashkërisht, në Vlorë, për të shpalosur të lirë Flamurin tonë Kombëtar. Të tubuar në atë Kuvend historik e mbarëshqiptar, me plakun e mençur Ismail Qemali në krye, ata firmosën një akt të pashëmbullt historik, i cili e nisi vendin tonë drejt pavarësisë e lirisë. Vërtet, edhe paskëtaj, populli ynë përjetoi furtuna e dallgë të reja e të fuqishme, shkaktuar nga shtete dashakeqe e shoviniste të Ballkanit e të Evropës, por etja e shqiptarëve për lirinë dhe dinjitetin kombëtar nuk u shuan asnjëherë.

Nuk mund të përmenden këtu të gjitha ato vështirësi të panumërta, që janë kaluar historikisht, deri në ditët e sotme. Por rëndësi ka që Shqipëria, më në fund, në fillimet e shekullit të ri XXI, pavarësisht zik-zakeve nga keq-qeverisjet e pushtetarëve, po ecën e sigurt në udhën e vendeve dhe shteteve të përparuara të Evropës. Ajo  po synon të jetë një shtet e një vend sa më i lulëzuar dhe me përparim të gjithanshëm. Kështu, kjo festë e Pavarësisë dhe e Flamurit tonë të bukur kuqezi, që kemi sivjet, e gjen vendin tonë pjesëtar të NATO-s dhe në prag të miratimit të ëndrrës sonë shumëvjeçare, për t’u renditur përkrah shteteve më demokratike europiane e më gjerë.2.

Përmenda më lart se janë botuar mjaft shkrime e libra, kushtuar shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare dhe gjithë firmëtarëve, të nderuar e të paharruar të saj. Për saktësi, shënoj këtu se për lexuesin tonë, sidomos në vitet e shtetit monist, nuk ishin të njohur të gjithë emrat e delegatëve të popullit tonë, në Kuvendin e Shpalljes së Pavarësisë sonë Kombëtare. Kjo ka ardhur nga politizimet e tejskajshme, në atë kohë,  të mjaft figurave të ndritura të popullit tonë. Prandaj ishte e nevojshme që e vërteta historike, pra edhe delegatët në atë Kuvend, të bëheshin të njohur për brezat tanë. Një përpjekje serioze e të lavdërueshme, në këtë drejtim, ka bërë studiuesi vlonjat, që është dhe kolegu e miku im shumëvjeçar, prof.Bardhosh Gaçe. Pas një pune të gjatë kërkimore e studimore, bazuar edhe në mjaft  dokumente të kohës, për të cilën flasim, ai publikoi librin “Ata, që shpallën Pavarësinë Kombëtare”(Tiranë, 1997). Është një botim me mbi 300 faqe, ku përveç jetëshkrimit të shkurtër të të gjithë delegatëve të Kuvendit të Vlorës, aty ka edhe disa artikuj për atë ngjarje të bujshme, nga autorë të ndryshëm e shtypi i kohës. Po kështu, janë dhe dokumente arkivore, me rëndësi për të kuptuar më mirë, se si u zhvilluan ngjarjet, jo vetëm ato ditë në Vlorë, por dhe më pas, aty e në gjithë Shqipërinë.

Në hyrjen e këtij libri, me vlera të shumta, autori shkruan edhe këto radhë: “Kuvendi Kombëtar i Vlorës, u mblodh më 28 nëntor 1912, në qytetin e Vlorës, nën kryesinë e Ismail Bej Qemalit, këtij personaliteti të shquar të politikës dhe diplomacisë shqiptare. Ai i zhvilloi punimet e veta deri më 7 dhjetor 1912. Në këtë Kuvend historik, morën pjesë përfaqësues nga shumë treva të vendit tonë, nga Shkodra, Rrafshi i Dukagjinit, Kosova, Dibra, Ohri e Struga, Çamëria, Janina dhe vise të tjera shqiptare, që kishin qenë vatra të rëndësishme të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, në luftën e armatosur për liri e pavarësi”.

Duke e shfletuar këtë libër, në faqet e para flitet për jetën dhe veprimtarinë e kryetarit të shtetit të parë shqiptar, “Heroit të Popullit” e “Nderi i Kombit”, Ismail Qemali. Më pas, faqe pas faqeje, janë fotografitë e tyre dhe njihemi me të dhëna jetëshkrimore për delegatët e atij Kuvendi Mbarëkombëtar. Këtu dëshiroj të ndalem vetëm në disa emra të atyre delegatëve atdhetarë, që nuk kursyen energjitë e tyre, mendore as fizike, që të çeleshin shkollat e para shqipe dhe që  arsimi, kultura, letërsia e shkenca shqiptare të shënonin hapat e parë dhe të zhvilloheshin sa më shpejt, duke sfiduar dhe vështirësitë e kohës.

Kryearsimdashësi ynë ishte “Heroi i Popullit” e “Mësuesi i Popullit” Luigj Gurakuqi, i cili u ngarkua me detyrën e lartë të Ministrit të Arsimit, në Qeverinë e dalë nga ai Kuvend. Pastaj, përmendim me radhë: Vehbi Dibrën, i cili në Kongresin e Manastirit  mbështeti  Dervish Himën e Nikollë Kaçorrin dhe alfabetin e gjuhë shqipe me shkronja latine. Një tjetër delegat në Vlorë ishte Dhimitër Berati, i cili në vitin 1907 u kthye nga Rumania, ku ishte emigrant e në Korçë dha mësimin e gjuhës shqipe e ishte drejtor i shkollës së mbrëmjes. Një ndihmesë të madhe për shkollën shqipe në Elbasan dëshmuan Dervish bej Biçaku e Hajdar Blloshmi. Ndërsa delegati tjetër, mësuesi Elmaz Boce ishte ndër nismëtarët e krijimit të klubit atdhetar e kulturor “Drita”, në Gjirokastër. Për përhapjen e arsimit shqip dhe të ndjenjave kombëtare shqiptare punuan pa u lodhur edhe  Shefqet Daiu e Rexhep Demi, ky i fundit sidomos në shkollën shqipe të Filatit.

Në vitet 1909-1910, bashkë me Babë Dudë Karbumarën, Sulo Resulin e Aleksandër Xhuvanin, një ndihmesë të çmuar për përhapjen e  arsimit shqip në Berat, dha Qemal Elbasani, gjithashtu delegat në Kuvendin e Vlorës. Pasi shërbeu, më 1909, drejtor i shkollës shqipe “Dituria” në Korçë, Thanas Floqi hapi një shkollë në gjuhën amtare në Cakran të Fierit. I njohur për veprimtaritë e tij atdhetare e arsimore ishte edhe Mit’hat Frashëri, i cili mori pjesë dhe u dallua me veprimtarinë e tij në Kongresin e Manastirit, në Kongresin e Elbasanit etj.

Përkrah dashamirësve të shquar të arsimit në gjuhën amtare, ishin edhe “Mësuesi i Popullit” Sali Gjukë Dukagjini e atdhetari i njohur Bedri Pejani, të cilët i mësuan me alfabetin shqip nxënësit e Normales e Gjimnazit të Shkupit. I pari, ishte ndihmës i L.Gurakuqit në Qeverinë e Vlorës dhe më pas u caktua drejtor i arsimit për qarkun e Beratit. Aty, ra në sy puna e madhe e tij për hapjen e Normales  e të disa shkollave shqipe, në atë krahinë.

Gjithashtu. nuk mund të lemë pa përmendur këtu, për ndihmesën e dhënë në fushën e arsimit tonë kombëtar  as nga “Mësuesi i Popullit” Jani Minga e Babë Dudë Karbunara, Hasan Prishtina, Rexhep Mitrovica e disa të tjerë. Ata e bashkuan zërin e tyre të fuqishëm, me delegatët e tjerë në atë Kuvend, për shpalljen e Pavarësisë dhe futjen e arsimit shqip në udhë të mbarë.

3.

I kërkoj të falura lexuesve  që, në këtë shkrim modest, nuk mund t’i përmendi me emër, të gjithë delegatët e Vlorës, sidomos ata që iu përkushtuan me punën, dijet e djersën e tyre arsimit kombëtar shqiptar, por dhe shtypit, letërsisë e shkencës sonë. Në këtë përvjetor të shënuar të 105-të të Kuvendit historik të Vlorës, të Ditës së Flamurit tonë Kombëtar, ne përulemi me respekt të thellë para kujtimet, veprës e sakrificave të panumërta të delegatëve, që i çoi aty populli përfaqësues të vetë, nga të gjitha trojet amtare e më gjer dhe me dëshirën e tij, si dhe të gjithë atdhetarëve, të penës e të pushkës, të cilët u sakrifikuan që Shqipëria jonë e dashur të lulëzonte e të përparonte.

Në mbyllje të këtyre pak radhëve, i përshëndes nga zemra dhe ua uroj 28 Nëntorin 2017, të gjithë familjarëve të mi, kolegëve, miqve e dashamirëve, armatës së mësuesve e pedagogëve  dhe mbarë popullit tonë të dashur, në Shqipëri e në trojet tjera amtare, në Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi e Preshevë, si dhe në diasporë, pra kudo që ata punojnë e jetojnë nëpër botë, por që mendjet e zemrat e tyre i kanë kurdoherën në Atdheun e tyre!