Të dielen garat e kërcimeve nga Ura e Fshenjtë

Të dielen  prej ores 15.00  në brigjet e Drinit të bardhë , mbahen garat tradicionale të kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë. Për  Urën  e Fshenjtë  është thurur legjenda, njëra  ndër më të bukurat e letërsisë popullore shqiptare dhe kjo legjendë është  kultivuar me legjendat e trimave të lartësive që pushtojnë qiellin. “Njerëzit që hedhën nga lartësitë e mëdha,   më tepër u takojnë trupave që vijnë nga qielli. Thonë,  ndoshta ata kanë lidhje me perënditë…” kishte thënë Ali Podrimja, poeti ynë i shquar,  që ndër të parët sprovojë kënaqësinë që sjellë kërcimi atraktiv nga lartësia e kësaj ure.

Për këtë ngjarje unike në vend dhe më gjerë po mbretëron interesim i madh e organizatorët, klubi i notit “Kërcyesit e Urës”  i kanë  bërë përgatitjet përfundimtare.

Ndërtimi i kërcimores skaj Urës ka nxitur të rinjtë që veten ta sprovojnë edhe nga lartësi më të ulëta se sa Ura. Niveli më i lartë i kërcimores është 13 metra dhe aty,  në ditën e garave,  do të zhvillohen edhe kërcime në stilin dallëndyshe dhe kërcime akrobatike.

Organizatorët kanë thënë se trimat e lartësive të dielën  sprovojnë talentin, guximin, elegancën rinore duke marrë pjesë në garat tradicionale të kërcimeve atraktive në ujë nga Ura e Fshenjtë dhe se e diela   është një ditë e veçantë që vetëm këto gara dinë të ofrojnë për adhuruesit e këtij sporti atraktiv, për notin, ujin dhe diellin.

Fillimisht mbahen garat për pioner dhe junior në kërcimet dallëndyshe nga kërcimorja që është ndërtuar këtë verë. Më pastaj garat do ti hap kampioni I shumëfishtë Kujtim Gorani I cili shënon 50 vjetorin e kërcimeve nga lartësitë si dhe nga dy kërcime në këmbë dhe në stilin dallëndyshe do ti bëjnë garuesit.

Garat i ka mbështetur komuna e Gjakovës , Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport si dhe Ministria e Kulturës.