Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Migena Arllati nderohet me titullin “Imazhi Kombëtar”

Forumi “Imazh & Media”, mbylli me sukses Festivalin XVI Ndërkombëtar “Imazhi Shqiptar” në të cilin, ashtu siҫ është në praktikën e përvitshme, edhe sivjet, dhjetë personaliteteve të artit e kulturës nga mbarë trevat shqiptare iu ndanë tituj për përfaqësimin e tyre dinjitoz në lëmitë përkatëse.

Krijuesja Migena Arllati ishte një nga personalitetet që u vlerësuan me çmimin “Imazhi kombëtar 2018”. Asaj iu nda solemnisht titulli “Imazhi shqiptar 2018 në Kritikë letrare & Publicistikë”, titull i shoqëruar nga punimi në bronx i dy duarve të bashkuara në formën e krahëve të shqiponjës.
Në ceremoninë e organizuar në Akademinë e Shkencave në Tiranë, u vlerësuan edhe këto personalitete të shquara shqiptare: Ahmet Kelmendi – Imazhi Shqiptar në studimet gjuhësore albanologjike (post mortum), Robert Shvarz në përkthime (post mortum), Alma Çupi nga Tv Klan në telereportazh & dokumentar, Reshat Ahmeti në pikturë, Gajur Kadriu në arkitekturë, Elona Kocaqi në studime historike, Ahmet Bektashi në humanizëm dhe Fondacioni “Dritat e Shkëlzenit” për bashkëjetesën e harmoninë fetare.

Që të gjithë laureatët e këtij titulli janë persona të njohur nga opinioni publik shqiptar, për përpjekjet dhe kontributin e tyre në përfaqësimin e dinjitetshëm në sfera të ndryshme të artit e kulturës.

Aktiviteti i mbajtur në Akademinë e Shkencave në Tiranë fillimisht u përqëndrua në Konferencën me temë: “Shqiptarët dhe fqinjët” në të cilën referuan: dr. Astrit Memia në temën “Shqiptarët gjenerojnë paqe dhe stabilitet në Ballkan”, prof. dr. Milaim Fetai në temën “Marrëdhëniet shqiptare – maqedonase në disa nga rrafshet e tyre”, prof. Migena Arllati në temën “Shkolla shqipe në Kosovë përballë politikës mizore sllave (deri në fundshek. XX)”, prof. Elena Kocaqi në temën “Historiku i marrdhënieve Shqipëri – Greqi” etj.

Ky ishte edicioni i 16 – të i këtij aktiviteti nën moton “Kombi shqiptar, imazhi im”, ku nderohen personalitete që promovojnë imazhin shqiptar, identitetin tonë kombëtar. Forumi “Imazh & Media” dhe bordi i kryesuar nga z. Astrit Memia organizon ҫdo fundvit ndarjen e çmimeve për personalitete të fushave të ndryshme nga të gjitha trevat shqiptare.