Oops! It appears that you have disabled your Javascript. In order for you to see this page as it is meant to appear, we ask that you please re-enable your Javascript!

Pasqyrime- Dritë e Hije

Shkruan ; Prof. Besim Këpuska

Ai që përulet do të lartësohet. A po përulemi sa duhet? Ata që kanë lënë gjurmë jetojnë në jetën tonë dhe vdesin me vdekjen tonë.

Gjakova ime dha burra të penës e të pushkës. U dallove në fushën e shkencës, medicinës, letërsisë, muzikës, sportit… Në tërë gjeografinë shqiptare ti le gjurmë të pashlyer. Ti ke në shpirtin tënd një frymë arti të vërtetë. Na duhet një natë e gjatë dimri për t’i zënë të gjithë ata në gojë. Ju ishit mburrje për Kosovën e jashtë saj. Ju na keni bërë të gjithëve krenarë. Burrat e tillë rrojnë edhe pas vdekjes, se ju bëtë dhe shkruat historinë. Vendlindjes sime nderimin, mësuesve të mi kujtimin, se ju bëtë dritë në errësirë që ajo mos të fiket kurrë. Ti veçohesh me atdhedashuri, mençuri, fisnikëri shpirtërore e pjekuri kulturore. Dhatë shpresën e sigurt për të nesërmen. Përjetove ndjekje, mundime, shkatërrime, plaçkitje, djegie, masakrime, tortura, vrasje…

Sot përulemi, kemi nderimin dhe dashurinë e pastër e të thellë për Ju. E shkuara është e jona. Është, vërtet, vepra jonë. Kjo e vërtetë është një postulat, ajo nuk ka dy fytyra.

Një mendimtar thotë: “Idealet janë si yjet. Ato nuk arrihen, por ashtu si lundruesve në det shërbejnë për të përcaktuar rrugën që duhet ndjekur”, kurse kritiku frëng, Sent Bevi, shprehet: “Kur mendojmë sinqerisht për të shkuarën, kur e kuptojmë më mirë atë, do të thotë se kemi vështruar saktë të ardhmen”.

Për fat të mirë sot kemi vajza e djem të mësuar që shtohen dita ditës. Këta mund të bëjnë shumë në fushën mendore, vetëm duhet një organizim që t’i afrojë këta, t’i bëjë që të përpiqen dhe nesër të shkëlqejnë. E ardhmja jonë varet nga puna e mësuesve, nga arsimi dhe edukata e tyre. Mos, ndoshta, paksa i kemi lënë pas dore ose i kemi harruar? Këtu duhet të prijë se është obligim, është detyrë mbi detyra. Sa më i kulturuar dhe i arsimuar të jetë një vend, aq më tepër vërehen ndryshime në mes opinioneve. Kapet lartësia kur arrihet dituria.

Ndoshta do më falet sikur t’i veçoja afro 70 misionarë gjakovarë të arsimit që punuan cep më cep të shqiptarisë gjatë periudhës së Luftës së Parë Botërore (1915-1918) dhe Luftës së Dytë (1941-1945), pa i anashkaluar dhe harruar ata intelektualët e tjerë (që kanë lënë gjurmë në lëmi të tjera të ndyshme). Ishte ajo fryma mbarëkombëtare, morali dhe ideali i tyre i lartë e fisnik. Sot këta i kujtojmë me shumë mall. Mësuesi gjakovar punoi në fund të Shqipërisë, kurse ai gjirokastrit punoi në Rogovë (të Hasit).

Mjeku pa përtesë vizitonte të sëmurin (në çdo kohë), ndonjë nga futbollistët e fuste kokën të lidhur me fashë në këmbët e kundërshtarit që sot të tjerët s’e fusin këmbën.

Sikur tym e zjarr të dalë nga faqja e dheut

Shkrepëtimë të bjerë e flakë

Bëje detyrën që ke ndaj Atdheut

Mos kurse as shpirt as gjak.

                                                    (F. Vokopola)

Ju bëtë, pra, çdo detyrë dhe nuk kursyet asgjë. Njeriu lartësohet me punë edukatë e arsim – thelbi për zhvillimin e shoqërisë. Duhet të njohim veten se kemi nevojë të dalim nga errësira në dritë – këtë betejë do ta fitojmë. Kam të drejtë ta përdor frazën: Drita e fakteve, se: Drita do të dalë, nuk do të fiket, ajo do të ndriçojë e hija do të zhduket.

Më detyrohet të debatoj paksa rreth veprës: Në udhën e shqiptarizmës nga Vangjel Koça (1900-1943). Ja si e shpjegon dhe çfarë kërkon ky erudit dhe njohës i shkëlqyer i 5 gjuhëve të huaja për edukimin e vërtetë të shqiptarit dhe të zgjidhë fatin e tij.

“Shqiptari ka shumë vlera morale. Është trim, mikun e pret mirë, ka sedër, është shumë i zgjuar, i urtë, i matur, ka dinjitet dhe është krenar, por një krizë morale ka depërtuar – na hyri dredhia dhe gënjeshtra. Kemi vend të bukur, kemi kurajë, vullnet të fortë për punë, trimërinë shpirtërore, dritën e mendimit që do të na dëftojë udhën e drejtë dhe do të na shpjerë nga errësira në drite”.

Shkrimtari i madh gjerman, Gëte, shprehet: “Po të humbasësh pasurinë është shumë lehtë që ta fitosh prapë, por po të humbasësh kurajën, humbe çdo gje”.

Autori nuk pajtohet kur themi:

Ku të vejë një njeri që s’ka punë? Nuk ka njeri që s’ka punë në luftën e jetës. Nga kjo papunësi mbushen kafiteritë. Nëpër kafene takojmë shumë pak tregtarë, këta s’kanë kohë për të shkuar kot. Rinia është një faktor i rëndësishëm në zhillimin e vendit, kjo është lënë mënjanë. Rinia shqiptare është një botë shpirtërore, mendore, kombëtare, e madhe, komplekse…

Që t’i shërbejmë kolektivitetit shqiptar, duhet të thyejmë hekurat e “un”-it tonë të ngushtë dhe të gjithë këta “un”-at tanë t’i bashkojmë e ta bëjmë një “unë” të madh kombëtar… Përleshemi me polemika të kota shterpe, me dredhi, hipokrizi… (për partitë politike). Të ulim kokën e të ecim përpara! Epitafin mbi varr do na e vënë të tjerët. “Të rinjtë janë në gjirin e të gjitha forcave. Këta (djem e vajza) janë tanët para se të jenë të partisë X. Rinia është lokomotiva e ndyshimeve. Partia e tyre është atdheu. A nuk jemi të gjithë shqiptarë?” (Gazeta Sot, 29.08.2018) – B.Bejko

Hiqe veten tënde si pak të mençur dhe pak të ditur. Mendja e tepërt na ka çmendur deri më sot – thoshte Mit’hat Frashëri. Sado që është tharë trungu, rrënjët i ka të njoma. Dje kemi pasur tjetër ideal dhe sot duhet të përqafojmë një ideal të ri – ta bëjmë shqiptarinë të qytetëruar!

Dua që të përshpejtohet ecja drejt përparimit e lulëzimit të atdheut tim. Mendtë në kokë dhe na priftë e mbara!