30 vjet Skofiarë-spektakel më 17 dhjetor

Kompleksi Vokalo Instrumental Skofiarët nga Gjakova, që ka lënë gjurmë në muzikën e lehtë shqipe, këtë vit shënon 30 vjetorin e themelimit. Ky përvjetor i titulluar “30 vjet Skofiarë” me mbështetjen e Drejtorisë për Kulturë Rini dhe Sport të Gjakovës, do të shënohet me 17 dhjetor në pallatin e Kultures Asim Vokshi me një koncert festiv, ku do të prezantohen edhe shumë mysafirë, pastaj me një album të ri dhe botimin e monografisë së grupit.
Kompleksi Vokalo-Instrumental “Skofiarët” u themelua ne vitin 1983 në Gjakovë, dhe është ndër grupet e rralla në trojet shqiptare që me një formacion të veçantë orkestral për nga përbërja e instrumenteve, me një entuziazëm, dashamirësi dhe fanatizëm, të jashtëzakonshëm, kultivojë, ruajti dhe shpërndau këngën e lehtë shqipe dhe atë qytetare, që nga viti 1984, kur u prezantuan për herë të parë publikisht. “Skofiarët” gjithnjë u prezantuan me nivel të lartë të interpretimit, harmonisë orkestrale, të ekzekutimit të këngëve dhe melodive, me një përkushtim të paparë nga një formacion i vogël orkestral prej gjithsejtë 5 apo 6 instrumenteve, të gjitha me tela dhe dridhje, si dhe një fis-harmonike në mesin e tyre.