Një vëllim me dimensione të mëdha

Mendime për librin poetik “Unë si unë” të autorit Valmir Tertini

Ilir hajdariShkruan: Ilir Hajdari

Përmes vargjeve të librit “Unë si unë”, Tertini na sjell narracionin, por edhe filozofinë urbane, duke mos lënë anash as ndjesitë patriotike dhe atë të dashurisë, të cilat me një mjeshtri të rrallë prej poeti, të stileve mes modernes dhe tradicionales, arrin t’i përshtat, duke ndërtuar harmoni vargjesh dhe bashkërendim kapitujsh mes tyre.

Përmbledhja poetike e dyta me radhë e poetit të ri nga Gjakova, Valmir Tërtini “Unë si unë”, që u botua këto ditë nga shtëpia botuese “Artini” në Prishtinë, edhe pse në plan të parë mund të duket i vogël, nuk mund të llogaritet si i tillë, sepse është një vëllim përplot labirinte të gdhendura me kujdes në vargje, që paraqesin shtresat e jetës sonë, duke filluar nga vështirësitë, hallet, dhembjet, lotët e sfidat e deri në porositë e filozofisë specifike të jetës për dashurinë, ardhmërinë, humanizmin, që autori i paraqet në mënyrën e tij, me vargje speciale, që shpesh duken konkrete, të dala nga aktet e përditshmërisë, por që kanë mendim të thellë metaforik.

Poezia e Valmir Tertinit, edhe në përmbledhjen e parë poetike me titull “Por”, na ka tërhequr për filozofinë metaforike, që e rrethon vargun e tij, duke e bërë atë tejet hermetik, por po aq edhe të lexueshëm dhe të rrjedhshëm, ku vende-vende përdorë edhe rima, që poezia të reflektoi dashuri tek lexuesi.

Në këtë përmbledhje të dytën me radhë, autori Valmir Tertini, na sjellë 50 poezi, të cilat i ka renditur në dymbëdhjetë cikle, apo qerthuj poetik, përmes të cilave na njeh me shumë argumente nga jeta e shtresave të ndryshme, duke u nisur nga ndjenjat vetanake të tijat, që janë ndjenja dhembjeje për mënyrën e jetesës së shokëve të tij: pa ardhmëri, me vuajtje të shumta ekonomike dhe në luftë psikologjike me vetveten, por çdo herë duke gjet një shteg për rrugëdalje në jetën e ëndërruar.

Përmes vargjeve të librit “Unë si unë”, Tertini na sjell narracionin, por edhe filozofinë urbane, duke mos lënë anash as ndjesitë patriotike dhe atë të dashurisë, të cilat me një mjeshtri të rrallë prej poeti, të stileve mes modernes dhe tradicionales, arrin t’i përshtat, duke ndërtuar harmoni vargjesh dhe bashkërendim kapitujsh mes tyre. Vargu i tij, sikur të deh gjatë leximit, për të mos u ndalur së lexuari deri në faqen e fundit të librit, sepse, poezia e Valmir Tertinit është sikur një pasqyrë e zhvillimeve të kohës dhe e ecjes së poetit nëpër të. Lirikat brenda këtij libri, sikur të çlodh nga përditshmëria, e cila është e stërngarkuar me zhvillime, që herë – herë e rëndojnë njeriun tonë. Duke shkruar me një stil karakteristik, me metaforat e tij, autori prekë çështjet e fatit, kohës e cila është ndalur, por edhe gëzimit, të cilin ai e fton për ta përmbysë vrerin e përditshmërisë, në peizazhe të shumta të këtij libri.

Prandaj, duke pasur parasysh të gjitha këto skalitje mendimesh në vargje, mund të themi se autori i përmbledhjes poetike “Unë si unë”, Valmir Tertini, do vendosë raporte të qëndrueshme të komunikimit me lexuesit dhe si e tillë hapë horizonte të tjera për krijimtari të virtytshme nga ky autor.

Biblioteka: ARTINI

Redaktor: Prend Buzhala
Recensent: Ilir Hajdari
Lektor: Mensur Vokrri
Translation into English: Arbër Jashari
Ballina: Taulant Mehmetaj
Shtypi: Star print
Sponsor: Green Art Center – Prishtinë