Wednesday, April 24, 2024
Gjakova PresssSporti

Bjeshkatari me 80 vite mbi Supe

fahredin Meqa

Fahredin Meqa, Bjeshkatari me 80 Vite mbi supe

Udhëtimet jo shumë të zakonshme për moshen e tij për të përshkruar rrugë, shtigje, kullota, male e deri tek majet më të larta shqiptare e bëjnë një shembull të një jete të shëndetshme. Fahredin Meqa, 80 vjeç, veteran i arsimit është bjeshkatari më i vjetër i SHBA “Pashtriku”. Si një profesor i lëndës së gjeografisë është e kuptushme sesi ai është futur në “ujërat” e eksplorimeve të bjeshkëve shqiptare.

Në këtë shkrim e sjellim një jetë të veçantë të njeriut i cili i kushton natyrës dhe pushtimit të majave më të larta 52 javë të vitit, tashmë që 10 vite me rradhë. “Jam aktiv në ecje që nga viti 2003 kurse bjeshka edhe ecja më rinojnë më duket çdo herë e më tepër”, tregon ai.

Një profesor që çdo ditë të javës i freskonte studentët e tij me njohuri nga natyra , në çdo fundjavë e përjetonte vetë atë udhëtim magjepsës në shumë vende piktoreske. “Jam pjesë e grupeve në çdo javë të udhëtimeve tona. Kemi vizituar bukuri shqiptare të pafundme së bashku me SHBA “Pashtriku”, vendi ku unë tashmë ndjehem si në shtëpi”, shprehet Fahredini.

Ekspedita e tij përfshin emra të majeve të ulëta e të larta, të shpellave, shtigjeve, lumenjëve dhe gjithë bukurive tjera që ka natyra shqiptare. “Korabi, maja e Shkelzenit, gryka e Rugovës, Kozniku, gryka e Koshares e Suka e Cërmjanit janë disa nga majat e këtyre bjeshkëve shqiptare që të lënë pa frymë”, tregon baca Fahredin duke shtuar se ka vizituar vende edhe si Hajle, Korf e Rusolija që për secilën prej tyre ka nga një histori.

Të etur për çdo pëllëmbë të maleve shqiptare, Fahredin Meqa i shoqëruar nga Islam Lama, Skender Sina, Besnik Dujaka , Nëntor Oseku e shumë të tjerë, vazhdojnë çdo javë rrugën drejt vendeve të reja. “Jemi mbi 100 anëtarë të shoqatës “Pashtriku” por do të donim që çdo ditë të bashkoheshin të rinj të cilët do të shijonin ajrin dhe vendet tona të bukura e t’iu ikin ambienteve e kafiterive të mbyllura”, shprehet në një formë lutjeje e mesazhi për të rinjët.

Ai nuk lodhet së foluri për natyren shqiptare dhe mrekullinë që ai ka parë me sytë e tij. “Bukuria e tokës shqiptare është e pafundshme. Shumë herë grupit tonë i janë bashkangjitur edhe ndërkombëtarë e turistë të huaj të cilët janë mahnitur me vendet tona”, thote ai.

Rruga sjell edhe telashe e bjeshkataria është ndonjëherë edhe me fatalitet por Fahredin Meqa i’a ka arritur t’ia dalë mbanë tashmë shumë vite me një formë vitale e me një pleqëri të shëndetshme. “Me besoni që jam 80-vjeç e ende jam me të njëjtën masë trupore qysh nga rinia” , shton si me shaka ai.

Pikërisht, vitin e kaluar Fahredin Meqa mbushi 80 vite e dhurata më e bukur që mund t’ia bënte vetes ishte një tjetër ngjitje, nje tjetër bjeshke. “Ne ditën time të lindjes, unë i dhash vetes një “dhuratë” e një synim për të përmbushur. I’u ngjita majës së Gjallicës në anën e Kukësit dhe aty festova 80-vjetorin”, ndan për ne këtë kujtim baca Fahredin.

fahredin Meqa 1Fahredin Meqa në një ekspeditë me SHBA “Pashtriku”

Është një ndër bjeshkatarët më të vjetër në tërë Kosovën që ende jeta e tij vërtitet rreth këtyre ecjeve të gjata që i përmbledhin aventurën e jetës së tij. “Jeta ime rrjedh me, dhe nga natyra. Qysh nga Ereniku i vjetër e i shëndetshëm e deri më sot unë jetoj për këto bukuri dhe këto ekspedita të reja”, kujton me kënaqësi rrjedhën jetësore të tij.

Është aq ngushtë i lidhur me këtë jetë që përfshin eksplorime të të gjithë jetës natyrore shqiptare e më gjërë, saqe ditëve kur ata i bëjnë këto ngjitje i shoqëron me këngë e hare e me një mprehtësi të jashtëzakonshme drejt të mirës e të bukurës. “Udhëtimet tona zgjasin gjatë tërë ditës e dita shkon me bukur me këngë e humor e ndonjëherë edhe me poezi të thurur aty për aty”, tregon detaje nga udhëtimet e tij.

Nëse mendoni se i’u kemi sjellur dicka nga bota e Fahredin Meqes këtij bjeshkatari të paepur padyshim do mund t’a ilustrojmë edhe me disa vargje poetike të  thurura prej tij për këto udhëtime të këndshme.

Parajsa në bjeshkë ejani me ne/Ecja ne vapë, shi e borë/Bjeshkatarë të rinj e të moshuar/Marshojnë shpatijeve të gjelbëruara/O sa të bukura alpet shqiptare/Malet e Sharrit dhe Pashtriku/Të mahnitë Luginë Valbone/Margaritarë i artë, Malësi Gjakove