Tuesday, April 2, 2024
AktualeLajme

Gjakova dhe Bajrampasha e Stambollit bashkëpunim

Ramadan HotiNënkryetari i komunës së Gjakovës Ramadan Hoti ka pritur në takim një delegacion nga komuna Bayrampasha në Turqi, delegacion i kryesuar nga nënkryetari i kësaj komune Yalcin Sirakaya. Në një takim mjaft miqësor, dy nënkryetarët respektiv kanë biseduar për fillimin e bashkëpunimit të dyja komunave, të cilat gjatë bisedës u tha të kenë shumë të përbashkëta mes vete. Duke e njoftuar mysafirin për të kaluarën e komunës së Gjakovës, nënkryetari Hoti ka thënë se kjo komunë ka dalur mjaft e shkatërruar nga lufta, si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë njerëzor, prandaj ka shprehur nevojën e komunës së Gjakovës për përkrahje në të gjitha fushat, e në veçanti në zhvillimin ekonomik. Nënkryetari Hoti ka kërkuar nga homologu i tij turk, që të loboj tek bizneset turke në mënyre që të njëjtit të kenë investime në komunën e Gjakovës. Për këtë, nënkryetari Hoti e ka njoftuar nënkryetarin Sirakaya për lehtësirat që ofron komuna e Gjakovës për investitorët.

bayrampasaNga ana tjetër, nënkryetari i komunës Bayrampasha, Yalcin Sirakaya ka thënë se kjo komunë është një komunë industriale, në të cilën gjenden disa nga prodhuesit më të mëdhenj turq dhe botëror. Ai ka thënë se komuna Bayrampasha do të shikojë të gjitha mundësitë dhe të ndikojë që prodhuesit që funksionojnë në këtë komunë të sjellin investimet e tyre edhe në komunën e Gjakovës. Nënkryetari Sirakaya gjithashtu ka thënë se rëndësi të veçantë do t’i japin edhe promovimit turistik të Gjakovës, për faktin se gjatë vizitës në këtë qytet kanë parë që Gjakova ka kapacitete të bollshme turistike për të pritur vizitorët nga Turqia. Ndryshe, komuna Bayrampasha është njëra nga komunat e distriktit të Stambollit dhe gjendet në qendër të këtij qyteti gjigant, konkretisht në zonën industriale të Stambollit. Kjo komunë ka rreth 300 mijë banorë, prej të cilëve rreth 90 mijë llogaritet të jenë me prejardhje shqiptare. Kjo komunë llogaritet të ketë një lëvizje prej rreth 1 milion turistësh gjatë ditës.