Agim Byci: D i t a r i i luftës – 83 ditë e net ferri (24 mars – 14 qershor )
Lexues të nderuar!
Po nisim botimin e fejtonit të ri të publicistit dhe krijuesit Agim Byci që i dedikohet përjetimeve nga lufta e fundit në Kosovë- Gjakovë. Është libri “Ditari i luftës” përmes të cilit autori pasqyron periudhën më të vështirë të historisë , që qyteti i Gjakovës e kaloi gjatë katrahurës serboslave ndaj popullatës së pafajshme shqiptare.
Redaksia: gjakovapress.info
AGIM BYCI: D I T A R I I LUFTËS
83 DITË E NET FERRI (24 mars – 14 qershor
Botuar: Gjakovë, 2010
Ky ditar u kushtohet
të vrarëve,
të zhdukurve,
të burgosurve,
të dëbuarve,
të përdhunuarave…
në kujtim të pMeqë lufta u bë e pashmangshme i dhashë detyrë vetes të mbaj ditar. Nga të gjitha librat që më rrinë në mendje, tash më duket se më i rëndësishmi është ditari i nxënëses Ana Frank. Këtë e bëra për hir të shënimeve dhe kronikave që gjithmonë na kanë munguar gjatë historisë dhe luftrave shekullore. E dija se është vështirë, por më mbante vullneti. Përndryshe, kam përvojë me ditar, ngase kam shkruar ditar në fëmijëri, kam ditarin e udhëpërshkrimeve dhe ditarin e jetës personale.
Secila kohë ka vulën dhe historinë e vet. Qëllimi im ishte që ditari të jetë dëshmi e kohës. Dëshiroja që ditari të jetë një dëshmi si Guernika e Pikasos, si Elegji për Kosovën e Tahir Emrës….
Lexues të dashur! Ky është ditari im. Në të janë shënuar ca nga ngjarjet e ditës si dhe përjetimet dhe mendimet e mia gjatë tmerrit të luftës. Mbajeni mend, se të njëjtat peripeci, vuajtje e ndodhi, ndoshta me një nuancë dallimi i keni përjetuar edhe ju. Në këtë luftë secili i ka ndodhitë dhe përjetimet e veta.
Në veprën e Volterit “Kandida” Plaku i thotë protagonistit: ”Secili njeri e ka historinë e vet, secili i ka ndodhitë dhe peripecitë e tij shumë tragjike…sepse ka përjetuar shumë të këqija e vuajtje në jetë”.
E mërkurë, 24 mars 1999
Libri i Holbrukut (Richard Holbrook) për luftën në Bosnjë që doli sivjet, zgjoi kërshëri të madhe në botë. Librin e fillon me poezinë „Letër për Vitin e Ri“ të poetit Odën (Ëyston Hugh Auden) ku jepen mesazhet për paqë e dashuri, në të kundërtën pason lufta me vuajtje e shkatërrime.
Vizita e djeshme e tij në Beograd, si duket e fundit, dështoi. Millosheviqi (Milošević) nuk u pajtua të tërheqë forcat ushtarake e policore nga Kosova. Refuzoi paqen, zgjodhi luftën.
Filloi numërimi i orës. Me fillimin e numërimit të orës e lashë banesën dhe u strehova me familje te motra, Nexhmija, në Çabrat, ngase e dija se jam në rrezik.
Ora 12.00.
Arrita te lokali i Fetah Krypës dhe hyra brenda. Mbrëmë u morëm vesh që të takohemi sot me qëllim që t’i marrë disketat. Ditë shqetësuese dhe me nervozë. Fetahu i kishte nxjerrë nga komjuteri 4 librat e mi të përgatitur për botim. I çoi krihët në shenjë pasigurie, a thua librat do të dalin në dritë dhe pastaj duke u ngutur ta mbyllë lokalin më pyeti:
– Ç’do të bësh? Do të ikësh në Shqipëri?
- I thashë se kam vendosur të qëndroj këtu. Fajet i kanë ca shkrimtarë si Kuteli, Zola, Tagore, London, Shollohov…Më kanë mësuar ta dua vendin e mos ta lëshoj shtëpinë të cilën e kam ngritur me djersë e mund.
- Kujtesa më solli si vetëtimë letrën e kryetarit të indianëve në Seattle, të cilën ia pat dërguar kryetarit të atëhershëm të Amerikës. Po i parafrazoj fjalët e tia: “Kjo është toka jonë. Jemi pjesë e kësaj toke dhe nuk mund të ndahemi. Në këtë tokë është hiri i baballarëve tanë, prandaj nuk e lëshojmë dheun tonë“.
– Luftës nuk i dihet, por mendoj se do të rri këtu, – më tha qetë.
Meqë të dy ishim për ngut, u përshëndetëm, i uruam njëri-tjetrit fat dhe u ndamë.
Ora 12.30
Te ëmbëltorja “Sharri” ma bëri me dorë Danieli (Berisha). U ndala. Më tha plot mall e dëshirë.
– Të pimë nga një kafe të paraluftës në këtë kohë të pasigurt, se kush e di se si do të përfundojë e tërë kjo furtunë…
E lash biçikletën afër dritares, te pema dhe hymë. Sapo filluam bisedën, pasoi një trokitje e lehtë në dritare. Ishte Marku (Malota). Ia bëra me dorë që të hyjë. Marku hyri, shikoi me bisht të syrit kah dritarja, ngase e përcillnin agjentët dhe tha:
– Vetëm desha t’ju përshëndes. Kam një punë të ngutshme. Më duhet t’ia përcjell një porosi me faks në Prishtinë kryetarit (Aqif Shehut). Ai ka vendosur të rrijë këtu. Momentalisht gjendet bashkë me kryetarin Rogova dhe profesor Aganin.
– Natyrisht se të përcjellin, sepse je nënkryetar i Degës së LDK-së. Tash që po afrohet ultimatumi, është mirë të strehohesh diku dhe t’u humbesh gjurmët për një kohë – i them seriozisht.
Marku ofshau, vuri buzën lehtë në gaz dhe më tha:
– Isha te vëllai yt (Vëllaznimi) dhe mora librat e anglishtes. Kursi u ndërpre. Pse i mora? Meqenëse do të strukem për një kohë, mendova t’i përsëris mësimet e anglishtes dhe kur të kalojë kjo furtunë, sigurisht se do të përfitoj diçka dhe do ta mësoj gjuhën.
Në dukje qeshëm ëmbël, por qeshja ishte në brendi e frikshme dhe e shkretë.
Ishte ditë e parëndomtë. Ankthi ishte i pranishëm kudo në qytet dhe te çdo njeri. Kohë e pasigurt dhe vinte erë lufte. Javier Solana para një ore e përsëriti ultimatumin e fundit, prej 48 orësh. “Nuk ka më shtytje. Po afrohet fundi i fundit”, tha më zë bindës.
Dita e fundit e ultimatumit. Kanë mbetur edhe 7 orë e 30 minuta
Para se të përshëndetem Danieli na tha me keqardhje:
– Ju baj dertin. Jeni në rrezik. Ata i ndjekin dhe i vrasin të mëdhenjtë dhe njerëzit e pendës.
E shikuam njëri-tjetrin me një shikim të zbehtë dhe secili u nis në drejtimin e vet.
Djali i axhës Diku (Sadik Byci), që zakonisht rrinte në dyqanin përballë ëmbëltores, më pa kur dola, kapërceu rrugën e më tha se diçka po vlon. I thashë se lufta do të fillojë sonte dhe i dëshirova fat.
-Mos ki dert për dokumentet që m’i ke dhënë. I kam fshehur në vend të sigurt,- më tha.
U ndamë me lamtumirë të pasigurta.
Sa desha të nisem kur m’u afrua Halim Iballa, rom, pensioner i Gjermanisë, të cilit ia kisha përkthyer e rregulluar dokumentet e pensionit. Më pyeti me një ndjenjë frike të një fëmije:
-Zotëri profesor, po flitet se do të bëhet kiameti. Disa familje shqiptare e kanë lëshuar lagjen. Në lagje pëshpëritet se Gjakova do të bëhet Vukovar. Jam në mes dy zjarresh. Duhet të vendos tash, që tani. Thuajse të shfaqi Zoti para meje. Desha të të pyes, a të iki për Shqipëri apo Gjermani?
I thashë të niset për Gjermani nëse ka vizë, nëse jo, për Shqipëri. Më shikoi si djalin e vet, iu mbushën sytë me lot dhe duke u larguar më tha se do të niset për Shqipëri.
Ora 13.00
Arrita në shtëpinë e motrës, Nexhmijes. Ishte vetëm me dy djemtë e vegjël. Burri i saj, (Sahit Kabashi) meqë pat një problem me pasaportë, nuk mundi të shkojë në Kanada te vëllai Iliri, kështu që mbeti me djalin Liridonin në Gjermani.
Sapo hyra Shpresa e mori qesen e najlonit e hapi dhe pas kontrollimit më tha qortueshëm:
– Pse nuk e more revolen? Arma krijon siguri. Është kohë e pushkës, jo e librave!
Meqë pata punuar një mandat në diplomaci dhe kisha të drejta të posaçme, e pata blerë një kolt amerikan të tipit më të ri. Ndërdyhem të kthehem të marr revolen apo jo, ngase kontrollet po shpeshtohen.
– Do të shkojmë bashkë me biçikletë – tha, dhe u nisëm drejt në banesë.
Kur arritem te banesa u dëgjua telefoni. Derisa e hapëm derën zilja pushoi. Sapo u bëmë gati të mbyllim derën, përsëri telefoni. Ishte Mazllum Saneja nga Polonia. E luta të flasë pak dhe të ketë kujdes ç’flet, ngase telefoni përgjohej. Ai as që më dëgjoi, vetëm më tha se kishte thirrur disa herë, se pak më parë kishte biseduar me Ferhatin (Bicurri). Pastaj më njoftoi se Papa Gjon Pali i II qenka lutur sot në mëngjes për paqen në Kosovë dhe shtoi, se si përkthyes i librave të tij, do ta thërrasë me telefon dhe do t’i lutet që të lutet për paqen dhe lirinë e shqiptarëve… Lidhja ndërprehet. E lash dëgjuesën dhe u ngutem.
Morëm revolën me pajime dhe e futem në najlon. Zgjodhëm rrugët që nuk bien në sy. Unë ecja i pari, e kontrolloja rrugën dhe i jepja shenjë se rruga është e pastër. U kthyem pas 20 minutash. Edhe pse nuk kam qejf të mbaj armë, pikërisht tash më bënte më të qëndrueshëm.
Ora 16.00
Dola te dera dhe shikova në rrugë a ka lëvizje njerëzish. Nuk kaloi kush për 4-5 minuta. Sapo mora të kthehem kur u dëgjua një hapje e derës dhe pashë Salim Bytyqin kur doli nga shtëpia e vet. E pyeta ku është nisur në këtë kohë.
-Është e shtata e Yllit. Jam në darkë. Është rrezik, por duhet të shkoj.
-E meriton Ylli, e meritojnë të gjithë në familje – thashë dhe m’u kujtua para 7 ditësh përcjellja e denjë dhe madhështore që iu bë kalorësit të lirisë, ushtarit të komandantit Ramush Haradinaj, Yll Morinës, të cilin e mbytën mjekët policorë serbë në Novi Sad. “Ç’përputhje!” – thashë me vete. “Pikërisht sot një vit forcat policore serbe e sulmuan komandantin me qëllim ta vrasin dhe t’i bëjnë rrafsh me tokë bazat e UÇK-së. Ramushi i plagosur shpëtoi. Pikërisht sot fillon bombardimi i NATO-s kundër të njëjtave forca policore.”
Ora 20.00
Minutat kalonin duke shëtitur prej një radiostacioni në tjetrin, prej një kanali televiziv në tjetrin. Isha shndërruar i tërë në vesh.
Ora 20.30 minuta
BBC lajmëroi se aeroplanët e NATO-s i kishin bombarduar aeroportin e Beogradit dhe të Prishtinës.
U gëzuam të gjithë. Në atë çast pyeta veten, a thua tash do të përkulën policët e paramilitarët serbë apo do të hakmirren ndaj nesh?
Ora 20.50 minuta
Cingërroi telefoni. Lajmërohet Sahiti nga Gjermania dhe tregon për pamjet e bombardimit nga TV gjerman. Pyet a jemi mirë. Me pasigurinë më të madhe i themi po.
-Duroni dhe qëndroni, se nuk do të zgjasë shumë, thotë dhe shton se shumë ushtarë shqiptarë janë nisur me aeroplanë specialë nga Gjermania dhe shtetet e Evropës për në Shqipëri për të luftuar në Kosovë. Disa janë radhitur në eshalonet e ushtarëve të NATO-s.
Kjo na gëzoi.
Korrespondentët e agjencive botërore raportojnë për sulmet ajrore kundër bazave ushtarake në Batajnicë afër Beogradit dhe fabrikës së armatimit në Kragujevac dhe në aeroportin e Prishtinës.
Ora 22.00
Dëgjohen krisma armësh. Gati çdo minutë krismat rriten dhe afrohen kah shtëpia jonë.
Ca minuta para orës 23.00 pasuan përnjëherë të shtëna të fuqishme të të gjitha kalibreve. Pas një lumturie të shkurtër pasoi një trishtim i gjatë. Dola nga dhoma në oborr. Dëgjoheshin krisma e granatime parreshtur, herë kah Çabrati e herë përtej lumit Krena, herë në jug e herë në perëndim të qytetit. Vinte erë gjërash të ndryshme që po digjeshin. “Vetëm të mos vie erë e njerëzve të djegur”, shfreva me vete.
Ora 23.15 minuta.
U dëgjua një eksplodim i madh. Menjëherë dola në oborr. Krisma e sirena në çdo anë. U shkarangjita si macja nëpër shkallë mbi murin e oborrit dhe shikoja në drejtim të zjarrit. Më doli një flakë para fytyrës. Nuk ishte as 70-80 metra larg. Ishte flakë gjigante, e cila nga frika që më kaploi, më dukej se rritej me shpejtësi drite dhe afrohej kah shtëpia jonë. Pashë një flakë të madhe në monumentin e Lidhjes së Prizrenit, e cila dukej se digjej e tëra. Në rrugë përballë dëgjoheshin brohoritje ngadhnjimi i policëve dhe paramilitarëve serbë. Çirreshin si çmendurakë e vërrisnin si bisha. Secili sipas qejfit gjuante rafal kah shtëpitë tona. Shanin herë serbisht e herë shqip dhe ngacmonin banuesit që të dalin, e pastaj t’i kosisin me breshëri plumbash.
Meqë banuesit ishin tërhequr nëpër shtëpitë prapa dhe nuk dilte kush, u dëgjuan thyerjet e dyerve të shtëpive dhe thyerjet e dritareve të dyqaneve. Pastaj pasoi hedhja e lëndëve djegëse. Shtëpitë dhe lokalet i kaploi një zjarr i madh, i furishëm, teftiku i të cilit rritej pamasë. Errësirën e mundën ortekët e zjarreve. Nata u bë ditë. Ajri i përtymur bredhte si armë frymëzënëse. Këndirremi gati të gjithë.
Në atë gjendje, së pari herë në jetë e ndjeva dridhjen e këmbëve. Ishte natë e ftohtë, por këmbët më dridheshin si dy purteka jo nga të ftohtët, por nga tmerri që shihja. Isha në shkallë dhe gati u rrëzova. Ovorja e zjarrit ndihej afër, ngase rritej dhe afrohej kah unë. Fillova të zbresë, por nuk më mbanin këmbët. Kur zbrita në oborr i pashë fytyrat e humbura e të frikësuara të Shpresës dhe Nexhmijes që shikonin me sy të shastisur para derës, ndërsa të fëmijëve në dritare. U tregova se ç’po ndodh dhe u thashë të bëhemi shpejt gati, t’i marrim gjërat e nevojshme dhe të ikim nga këtu.
U thashë të thirrin me telefon te Loni (Gjejlone Hereçi), që të dalin dhe të na hapin derën. Dola prapë në oborr, ngase u dëgjuan kërcitje edhe më të fuqishme.
E enjte, 25 mars 1999
Ora 00. 05 minuta.
E hapa derën me kujdes. Shikova në rrugë. Nuk pashë gjë pos tymit dhe zjarrit. Sytë m’u kishin bërë agull nga tymi i zi që davaritej nga shtëpitë e djegura. Zjarri i kishte kapluar lokalet e shtëpisë të Xhevat Rizvanollit dhe afrohej kah Lulëzimi.
Pas 5 minutash flaka i kaploi telin e telefonit dhe ata elektrikë. U ktheva, hyra në dhomë, sapo u bëmë gati t’i kapin torbat, Shpresa i pa telat e djegur elektrikë që ranë në oborr. Televizioni pëlcet. Dritat fiken. Terr i papritur. Për një çast nuk e shihnim njëri-tjetrin. Nga shqetësimi ndesheshim me njëri-tjetrin dhe gati zinim në thua.
Në atë errësirë ku mbretëronte frika, pashë fëmijët e kruspulluar dhe m’u duk se iu ndal rrita, m’u duk se në fytyrat e tyre të pasherr në vend të gëzimit u shfaq shqetësimi i pleqve.
U them të mos lëvizin deri sa të ndez baterinë. Fëmijëve u vjen urina. U them të durojnë deri sa të arrijmë te shtëpia e Lonit, meqë nuk është larg. Nuk munden. Të pesë fëmijët turren në tualet. Nga paniku nuk ia lëshojnë rendin njëri-tjetrit dhe as që u bie ndërmend cili është djalë e cili vajzë. Urinojnë në vete. Panik dhe frikë te secili. Fëmijët frikësohen shumë. Ne si prindër edhe më tepër. Fundja, frika është njerëzore.
Urimi, më i vogli më pyet: “A thua do të na vrasin?” Nuk i përgjigjem. Ai vazhdon me pyetje kah e ëma. Edhe ajo s’flet. E pyet Shpresën. Heshtje e padurueshme. Me qëllim që t’u japë zemër dhe ta ndryshoj ngjyrën e situatës së llahtarshme, nxjerr revolen Smith & Ëesson dhe u drejtohem fëmijëve bindshëm me fjalë:
-Kjo do të na mbrojë. Askush s’mund të na bëjë gjë. Po u afrua kush e pret plumbi në lulë të ballit!
U qetësuan dhe e harruan urinimin kur e panë koltin dhe 100 plumba të mëdhenj sa të automatikut. Më erdhi keq që e bëra këtë gjest, por paniku u zhduk menjëherë. U erdh guximi dhe u nisëm tok të ikim.
E gënjeva veten. Në vetveten time zhvillohej një luftë në mes arsyes dhe shpirtit. Këndej para fëmijëve e mbaja veten një mbrojtës të fortë dhe luftarak, kurse brenda në shpirt i frikësuar.
Më kapluan idetë e Fan Nolit dhe e lashë armën. Shpresa më shikoi papajtueshëm, e mori revolen dhe e futi në brez.
Ora 00. 25 minuta
Dalim në oborr. Flaka në çdo anë. Xixëllojnë prafullimat e flakës. Telat e elektrikut bien nëpër tokë. Përvidhemi me kujdes. I ruajmë fëmijët mos të shkelin nëpët tela elektrikë. Dal në rrugë e përgjoj. Ecim me hapa të shpejtë dhe me kujdes. Loni tashmë e kishte hapur derën dhe ne u futëm menjëherë. Aty ishte Faketi (gruaja e vëllait, Fuatit) me djalin Vlerarin, Myza, motra e tyre me burrin Bashkimin dhe fëmijët Naimin, Kushtrimin dhe Fitoren. Ndonëse ishte kohë rreziku na pritën me begeni.
Është kjo shtëpia e Din Hereçit, që jetoi 94 vjet, bashkëluftëtarit të fundit të Azem Bejtës. Pasi shpëtuam më doli para fytyrës hija e bacës Dinë dhe fjalët e tij pak para se të vdiste. Unë i pata thënë se do të vijë koha e do të shkëputemi nga Serbia e Jugosllavia dhe do të bëhemi republikë. Dhe si përgjigje fjala e tij e nxjerrë nga përvoja jetësore: “Kurrë nuk të lë shkau të ndahesh pa arritur gjaku deri në gju”.
Këtë thënie të tij e vërtetoi më vonë shkrimtari Dobrica Qosiq, një kryetar shpirtmizor. Kur e patën pyetur se a do të bëhet Kosova republikë, pat thënë: “Nuk e di, por e di se gjaku do të bëhet deri në gju”.
Asnjëri nga ne nuk fjeti. Fëmijët heshtnin. Zëzëllima e tyre ishte ngujuar në bisht të buzëve. Ashtu të frikësuar dhe të lodhur i zuri gjumi pak para se të zbardhëllente agimi.
Ora 07.05 minuta
Vjen Fuati, vëllai i cili punon në Elektrokosovë. Sapo duam t’i tregojmë se çka ka ndodhur i vërejmë lotët në sytë e tij.
– Ç’ka ndodhur? – e pyesim gati të gjithë njëzëri.
Hyjmë në dhomën tjetër që të mos dëgjojnë fëmijët.
-Qyteti është në flakë. Isha në ndërrim të natës. Në zyrat e Elektrokosovës hynin e dilnin lloj-lloj çetnikësh. Flisnin vetëm për aksionet e vrasjeve dhe ekzekutimin e planeve. Milani (Oshanin) që ishte në ndërrimin e natës me mua dhe Pëllumbin (Kuçi), i dha shenjë Pëllumbit që të mos flasë, ngase nuk dinte serbisht. Pëllumbi s’bëri gëk dhe shkoi gjoja të na sjellë nga një gotë ujë. Çetnikët mendonin se jam serb. Njëri që ishte si i dopinguar, vëreu nga dritarja një burrë me një djalë dhe na pyeti se mos janë shqiptarë? Ne të shqetësuar ngritëm vetëm krihët në shenjë mosdije.
-Nëse jeni të sigurt se janë, më thuani që t’ua bëj trutë përshesh! – ulëriu si i krisur.
Një tjetër në korridor raportonte me siguri eprorin e vet. Fjalët e tij më trazuan shumë. Bile, ia përsëriti eprorit dy herë: “Sve ide po planu: ubijamo, koljemo, uništimo! (Çdo gjë ecën sipas planit: vrasim, therim, shkatërrojmë)
Gjendje ferri. Tërë mesnatën thirrnin qytetarët me telefon. Telefoni cingërronte pandërprerë. Njerëzit mendonin se nuk është luftë. Kërkonin me çdo kusht të dal e të ndal rrymën. I porositja me telefon të mos dalin në rrugë se paramilitarët gjuajnë dhe vrasin. Disa nga mosdija apo shqetësimi më thonin t’i thërras zjarrfikësat. E ndeza makinën dhe kur dola në rrugën kryesore pashë me dhjetra paramilitarë si rrinin një nga një, dy-nga dy-, tre nga tre e kështu me radhë nën strehë të banesave dhe strehime tjera. Kur më panë me makinë deshën të gjuajnë, por e panë dritën sinjalizuese të Elektrokosovës dhe nuk gjuajtën. Njëri që i kishte sytë të përgjakur, apo ndoshta flaka e dyqaneve reflektohej te ai, më pyeti me tërsëllëm ku shkoj. U përgjigja serbisht se thirrën nga SPB-ëja dhe më urdhëruan që të ndal rrymën menjëherë. Njëri koleg i tij qeshi me të madhe dhe m’u turr. “Kakav SUP, jadan! Vrati gde si bio i slušaj naša naredjenja” (Çfarë SPB, ore i mjerë. Ktheu ku ishe dhe prit urdhëresat tona!) Ai që qeshte si i marrë ma lëshoi ca plumba afër makinës. Nuk di si i graha makinës rikuerc dhe hyra në rrugë te zyra. Mora vesh se ata vetë i digjnin shtëpitë e lokalet me qëllim. Si mbaroi ndërrimi, ja, erdha këtu pa mend të kresë.
Telefonon tezja Fetije. Bëja roje te dera. Foli Shpresa dhe i tha se jemi mirë. Pasi e përfundoi bisedën u afrua te dera dhe më tregoi se tezja brengosej dhe na ftoi të strehohemi te ajo, sepse në krahasim me këtu, ka bodrum.
Unë nuk isha i pajtimit të ndërroj vendstrehimin. Këtu, disi më dukej më e madhe mundësia që në rast rreziku të iki në drejtim të Çabratit, kurse terreni kah tezja është i rrafshtë, njeriu lehtë bie në sy dhe nuk ka kah të ikë.
Ora 11.00
Vjen Memi, vëllai. Më tregon për vrasjen e dr. Izet Himës, Kujtim Dulës, bashkëshortit të aktores Elida Shasivarit. Të dy i kisha të afërt. Më tregon se ka edhe shumë tjerë të vrarë, por nuk u dinte emrat. M’u dhimbsen. Meqenëse Besa, gruaja e Memit e kishte dajë të ndjerin dr. Izetin, ashtu paksa i shqetësuar duke mos kuptuar realitetin e ri më pyet se a do të shkoja në varrim, i cili do të bëhet në orën 12.00.
-Varrimi? Varrimi nën përcjelljen dhe para syve të xhelatëve? Të shkojmë në varrim e të na varrosin edhe neve të gjallë? – e pyeta.
Memi e kupton situatën dhe niset me kujdes t’ia shëndoshë kryet baballëkut. E porosis t’i përcjellë ngushllimet Besës dhe familjarëve.
Lajmi mbi masakrimin e doktorit ma skërfiti zemrën. Përnjëherë m’u përhit qëndrimi burrëror dhe guximi i doktorit. M’u kujtua kur para ca dite në kryesi të Shoqatës Nënë Tereza na tregonte për konfrontimet me dr. Savën lidhur me pacientët shqiptarë dhe medikamentet, që dr. Sava e fajësonte se jepeshin për terroristë e jo për të sëmurët.
Memi kthehet pas një gjysmë ore. I them përsëri të ketë kujdes e të mos dalë nëpër rrugë. Ai për t’më liruar nga frika më thotë se në rrugë ka edhe qytetarë tjerë, dhe sapo e pa Fehim Morinën që ishte nisur për te Gazmendi (Bakija) ta ngushëllojë. Pastaj më shpjegon se policët silleshin rreth shtëpisë dhe i përcillnin kush hynte e dilte, se rruga e varrezave ishte e bllokuar, se mezi arriti drejtori i ndërmarrjes komunale ”Çabrati”, Faton Polloshka, e futi në makinë, i grahu vetë, e çoi në varreza dhe e varrosi pa praninë e qytetarëve.
Tërë dita na kalon duke i dëgjuar lajmet nga të gjitha radiostacionet e mundshme, madje në të gjitha gjuhët. Një lajm i ri ka shumë rëndësi.
Meqenëse jeta e të gjithëve ishte në rrezik të përhershëm, ndejtëm zgjuar deri në mesnatë. Instinktivisht bënim roje te dera e oborrit kah rruga dhe në oborr prapa. Pas mesnatës vendosëm të bëjmë roje secili nga dy orë.