Monday, June 10, 2024
Gjakova Presss

Anton Çeta, intelektuali që çrrënjosi gjakmarrjen

Shkëputur nga numri më i ri i revistës Gjakovapress 142

Viti 2020 shënon 100 vjetorin e lindjes dhe 25 vjetorin e vdekjes së prof. Anton Çetës, intelektualit të ndritur, mbledhësit të shquar të folklorit, shkrimtarit të njohur e pajtuesit të palodhur të gjaqeve.

Njëkohësisht, viti 2020 shënon 30 vjetorin e pajtimit të gjaqeve, kthesës historike mbarë popullore në Kosovë e jashtë saj, që i kontribuoi zhdukjes së hasmërive dhe shërimit të shoqërisë shqiptare e pajtimit mes njerëzve.

Me propozimin e Vlora Dumoshit si Ministre e Kulturës, Rinisë dhe Sportit,  Qeveria e Kosovës miratoi propozimin që muaji nëntor të quhet Muaji i Anton Çetës, të themelohet çmimi “Anton Çeta”, dhe të shënohet muaji si i tillë me një varg aktivitetesh si vijon:

– Përurimi i veprave të Anton Çetës;

– Përurimi i Kullës se Fazli Buqollit ne Raushiq; Investim i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit

– Këndi i Anton Çetës – Ekspozitë në Muzeun Kombëtar të Kosovës;

– Emisione Televizive- RTK

Shfaqja e emisioneve dhe dokumentarëve të vjetra dhe punimi i një dokumentari të ri;

– Simpozium shkencor në Prishtinë dhe Tiranë;

– Ekspozitë e fotografive në Prishtinë dhe Tiranë;

– Themelimi i Çmimit “Anton Çeta”.

Anton Çeta ishte shkrimtar, studiues e profesor, por në historinë shqiptare ai ka zënë një vend nderi edhe për kontributin e dhënë për pajtimin e gjaqeve.

Çeta u lind në Gjakovë, në vitin 1920, ku edhe edhe kreu shkollën fillore, kurse mësimet e mesme i vazhdoi në Tiranë e Korçë. Po atë vit familja e tij u shpërngul për në Tiranë, ku ai ka kryer edhe  shkollën  fillore. Shkollën e mesme e ka kryer në Liceun e Korçës, ku asokohe studionte elita intelektuale e trojeve shqiptare. Më pas ,ashtu sikur edhe shumë shqiptarë në atë kohë, ai shkoi për të kryer studimet në Itali. 

Vite më pas, Çeta diplomoi për Gjuhë dhe kulturë romane në Universitetin e Beogradit, ku më vonë do të emërohej edhe si asistent i Gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Gjatë kohës sa qëndronte në Beograd, Çeta mbildhte këngë tradicionale të gjuhës shqipe, kryesisht të anës së Dukagjinit. Por për shkak se këngët kishin karakter patriotik, Çeta ra në sy të regjimit serb, për çka edhe iu desh ta linte Beogradin.

Në vitin shkollor 1945-1946, meqë kishte arsim të lartë për kohën,  punoi në Gjimnazin e Prizrenit. Gjatë atij viti udhëhoqi korin e shkollës, por njëherësh ishte edhe ndër anëtarët e para të rregullt të shoqërisë kulturore-artistike “Agimi” të Prizrenit e më vonë edhe kryetar i saj. Në vjeshtën e vitit 1946 u regjistrua në Fakultetin Filologjik, Dega e Gjuhës Frënge, në  Universitetit të Beogradit, në Serbi. Studimet i kreu në vitin 1950 ku edhe u emërua asistent në Seminarin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, që funksiononte në kuadër të Fakultetit Filologjik të Universitetit të Beogradit. Në këtë detyrë punoi plot dhjetë vjet. Dy-tre vjet më vonë (1952-1953) së bashku me shefin e atëhershëm të Seminarit Shqiptar Vojislav Dançetoviq dhe me Kadri Halimin, etnograf, përgatiti, në tri vëllime, këngët më të njohura popullore të mbledhura në Kosovë dhe në Dukagjin. Meqenëse në ato vëllime kishte botuar edhe këngë popullore për Spiro Kapedanin e Ramë Bllacën, pushteti serb iu kërcënua Antonit me burgosje, e kjo e shtyri ta braktisë Beogradin dhe të kthehet në Prishtinë, në vitin 1961, kohë kjo kur edhe në Prishtinë u hap Fakulteti Filozofik. Në këtë fakultet ai emërohet mësimdhënës i gjuhës dhe letërsisë shqipe, ku ligjëron lëndën e letërsisë së vjetër…..(shkrimi i plotë në numrin më të ri në Gjakovapress 142-online)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *