As Vulini e as pelegrinët nuk hynë në oborrin e Kishës ortodokse në Gjakovë
Paralajmërimet e ardhjes së ministrit pa portofol të Serbisë për Kosovën , Aleksander Vulin bashkë me pelegrinët për festimin e Krishtlindjeve në Kishën ortodokse serbe në Gjakovë, të hënen zgjuan reagime të mëdha të popullatës në Gjakovë, në qytetin e krimeve të mëdha serbe gjatë luftës në Kosovë. Qindra nëna të organizuara nga Shoqata “Thirrjet e nënave” që tash e 15 vjet po jetojnë me ankthin e vrasjeve dhe torturimeve të familjarëve të vet, që nga ora 9.00 e mëngjesit me lot në sy kundërshtonin ardhjen duke e konsideruar këtë vizitë si provokuese.
Kryetarja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave” Nysrete Kumnova tha se ky është provokimi më i rëndë që po u bëhet nënënave të të pagjeturve duke fajësuar vendorët dhe ndërkombëtarët që po bëjnë marrëveshje të vizitave në qytetin ku bënë më së shumti krime dhe ku ende nuk zbardhet fati i të pagjeturve.
Rreth orës 10.00 mes tyre u gjend edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari Lila.
“Vulin, para se të shkelë në territorin e Gjakovës, le të ndalet e të mendojë mirë, pasi po shkel në një prej komunave më të lënduara nga lufta dhe masakrat”. Në konsistim të këtij mesazhi, kryetarja e Gjakovës ia ka përkujtuar ministrit serb krimet e shtetit të Serbisë ndaj popullatës civile kosovare gjatë luftës, Gjithashtu, kryetarja e Gjakovës, ka kërkuar nga ministri serb që të mos lodhet fare që ta realizojë këtë vizitë, pasi që askush nuk e trazon kishën, porse përkundrazi “ardhja jote do të ndikojë keq edhe në qetësinë e kishës ortodokse”.
Protestuesit nga ora në orë shtoheshin. Ata ishin ofruar deri para dyerve të Kishës ndërkohë që kordonë të policisë mbanin rregullin për t’ ju mundësuar hyrjen e pelegrinëve serb rreth orës 13.30. Dy autobusë me pelegrinë serb arritën në saje të ndërhyrjes së policisë që largonte protestuesit e revoltuar dhe pas pastrimit të rrugës “Mbretëresha Teuta” deri para hyrjes në kishë. Megjithatë reagimi I protestuesve sot ishte I palëkundur duke iu pamundësuar hyrjen në oborrin e Kishës.
Gjatë largimit të autobusëve pati disa raste të provokimeve nga ana e peligrinëve serb drejtuar protestuesve si dhe gjuajtje me gurë ne drejtim te autobuseve.
Pas largimit të autobusëve protestuesit u shpërndanë qetë me brohoritjeje Gjakova, Gjakova”…
Policia raporton per ngjarjen
Pasdite Policia e Kosovës ka dalë me komunikatën zyrtare në lidhje me ngjarjet e sotme që ndodhën në Gjakovë me rastin e vizitës së paralajmëruar të ministrit serb, Aleksander Vulin.
E plotesuar,ora 17.50)
Policia njofton se me këtë rast, rreth orës 09:00 është mbajtur një protestë e paralajmëruar nga qytetarët si shenjë pakënaqësie e parandalimit të vizitave të pelegrinëve serbë dhe vizitën e paralajmëruar të ministrit të Qeverisë serbe Vulin, në kishën ortodokse në Gjakovë.
“Fillimisht janë tubuar rreth 150-200 qytetarë të cilët tentuan që të hyjnë në kishë dhe të bllokonin hyrjen e pelegrinëve dhe të ministrit në kishë. Kështu, protestës iu kanë bashkangjitur edhe shumë asociacione, siç janë shoqata e thirrjeve të nënave “Gjakovë” si dhe familjarë të të zhdukurve”, bën me dije Policia.
Ndërkaq, rreth orës 13:00, konvoji prej dy autobusëve me rreth 70 pelegrinë, ka arritur në Gjakovë, ndërsa me të hyrë në rr. “M.Teuta”, përkundër masave të sigurisë, një person ka gjuajtur me një gur autobusin dhe i kishte dëmtuar xhamin e parë, dhe, menjëherë pas kësaj, një qytetar ka vendosur veturën e tij në rrugë duke bllokuar rrugën.
“Policia ka arrestuar të dyshuarin dhe lidhur me rastin janë marrë masat e domosdoshme dhe menjëherë është liruar rruga”, njofton PK.
Me këtë rast, çdo pjesë e qytetit ka qenë e vërshuar nga qytetarë të pakënaqur për këtë vizitë. Gjatë kësaj periudhe, në ndihmë pjesëtarëve të policisë së stacionit policor Gjakovë, NJSO –Pejë, në ndihmë atyre u kanë dalë edhe policia kufitare dhe patrulla tjera nga stacioni policor Deçan dhe Klinë, duke mbajtur nën kontroll qytetarët e mbledhur në masë të madhe në rreth 3500-4000 veta, ku në veçanti kishte nëna të të zhdukurve me fotografi të të zhdukurve, gra dhe fëmijë.
“Kështu, në situatën e krijuar, u është ofruar siguri pelegrinëve dhe nuk ka të lënduar. Duke parë situatën në fjalë, përfaqësuesi i pelegrinëve në vizitë ka kërkuar vullnetarisht që mos të futen në kishë dhe të vazhdojnë rrugën për në Deçan. Fluksi i qytetarëve nga të gjitha anët, mbi 4000 veta, dhe që në çdo kohë shtoheshin edhe më shumë, ka vështirësuar marrjen e masave të sigurisë, mirëpo, edhe përkundër saj, në mënyrë të sigurt janë larguar [pelegrinët] në drejtim të Deçanit, në përkrahje të patrullave të stacionit dhe trafikut rajonal dega në Gjakovë, dhe janë përcjellë deri në Manastirin e Deçanit në mënyrë të sigurt”, njofton më tej Policia e Kosovës.
Policia më tej bën me dije se gjatë rrugës për në Deçan, në lagjen “Dardani”, një pelegrin serb kishte hedhur një gur mbi një veturë civile dhe kishte dëmtuar xhamin e saj, mirëpo nuk është raportuar nëse i njëjti edhe është arrestuar. Policia ka njoftuar vetëm se lidhur me këtë rast, është iniciuar rasti “Dëmtim prone”.
Qytetarët, sipas Policisë, janë shpërndarë të qetë.Në këtë aktivitet janë iniciuar gjashtë procedura dhe janë arrestuar katër persona ku edhe prokurorët kanë mbikëqyrë punën e policisë në inicimin këtyre procedurave.
(E plotesuar)
Mimoza falenderon qytetaret dhe Policinë
Pas dështimit të vizitës së paralajmëruar të ministrit serb, Aleksandar Vulin për të vizituar kishën ortodokse në Gjakovë dhe reagimit të qytetarëve si dhe atyre institucional, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila u drejtohet qytetarëve të komunës. Në adresimin bërë qytetarëve dhe falënderimit të shprehur ndaj insitucioneve tona, po e botojmë të plotë tekstin e kryetares.Të dashur qytetarë të Komunës së Gjakovës!
Çfarë u paralajmërua mbrëmë nuk ndodhi. Ministri i Serbisë nuk e vizitoi Gjakovën. Përkundrejt deklarimit të tij për të bërë një gjë të tillë, ai nuk kishte leje të vizitojë komunën tonë. MPB e Kosovës nuk e kishte lejuar të vinte në Gjakovë që nga 3 Janari. Megjithatë, insistimi i tij për të ardhur bëri që qytetarët e revoltuar të ndalojnë edhe autobusët me pelegrinë dhe të mos i lejojnë as ata të hyjnë në kishë. Ishte hera e parë që pelegrinët u ndaluan. Nuk ishte situatë e lehtë, por u evitua më e keqja. Shpreh falënderimin tim të veçantë për forcat e rendit dhe menaxhimin profesional të situatës nga ana e tyre. I qëndrojmë besnik parimit të barazisë dhe demokracisë, të së drejtës së të gjithëve për qasje të barabartë. Kushdo që dëshiron të vizitojë kishën ortodokse në Gjakovë mund të vijë ta vizitojë, por jo të ngacmojë plagët e Gjakovës. Ata pelegrinë që duan të vizitojnë dhe të cilët e dinë se nuk kanë qenë pjesëmarrës në krimet e së kaluarës mund të vijnë dhe nuk do të kenë nevojë as për përcjellje policore. Kisha si tempull fetar është dhe mbetet e hapur për të gjithë, por jo për deklarata politike. Edhe Gjakova, sikur e tërë Kosova e sheh zgjidhjen e problemit përmes dialogut dhe mbesim të besimit se dialogu është zgjidhja e vetme, por jo gjuha nxitëse dhe provokimet. Vulin dhe të tjerët le ta kuptojnë se nuk arrijnë asgjë me provokime, përkundrazi, më së shumti probleme do t’u sjellin popullatës serbe në Kosovë, ashtu sikur i sollën sot pelegrinëve. Gjakova, sikur e tërë Kosova ka nevojë për qetësi, për zhvillim dhe për respektim të të drejtave të të gjithëve, dhe kjo është rruga që gjithmonë do ta ndjekim, me bazën në barazi dhe demokraci dhe rend e ligj. Rruga e vetme e Kosovës është rruga drejt progresit, drejt integrimit euro-atlantik dhe fuqishëm e mbështesim dhe mbesim pranë kësaj kauze.
Sinqerisht,
Mimoza Kusari Lila
Reagon Vulin
Graçanicë, 6 janar – Ministri serb, Aleksander Vulin, të cilit sot iu bllokua hyrja për në Gjakovë, së bashku me pelegrinët serbë që kishin ardhur për ta vizituat kishën në Gjakovë, ka thënë se kjo tregon që Kosovën e qeverisë “aparteidi i fundit në Evropë”.
Vulin ju ka treguar gazetarëve në Graçanicë se edhe atij, sikurse edhe serbëve tjerë të zhvendosur nga Gjakova, i është ndaluar hyrja dhe iu është pamundësuar vizita në kishën në Gjakovë.
“Në ditën e sotme është dëshmuar se aparteidi ende qeverisë në këto hapësira për serbët. Serbët janë populli i fundit në Evropë të cilët në Ditën para Krishtlindjeve nuk mund të shkojnë në kishat e tyre”, ka thënë Vulin për mediat serbe, duke shtuar se ky është aparteidi i fundit në Evropë, transmeton Koha.net.
Vulin, për ngjarjet e sotme, ka akuzuar përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës. Ai ka pyetur se kujt i ka penguar pjesëmarrja e më pak se 100 serbëve të zhvendosur të Gjakovës, të cilët kanë ardhur vetëm ta vizitojnë kishën.
Ai ka bërë me dije se njëherë i është lejuar vizita së bashku me serbët e zhvendosur, mirëpo ky vendim është tërhequr mbrëmë. Ai ka thënë se kjo nuk çon në normalizim marrëdhëniesh mes Kosovës e Serbisë.