Asamblea Komunale shtyn çështjen e lapidarit për Fadil Hoxhen
Pjesa më e madhe e kohës në mbledhjen e dytë të Asamblesë Komunale të Gjakovës, e mbajtur në kryesinë e Luan Goles ka kaluar gjatë aprovimit të rendit të ditës . Ajo ka filluar me dy kërkesa që kishin të bënin me kërkesën e AAK-së për futje në rend të ditës debatin për shëndetësinë në Komunën e Gjakovës që me 19 vota kundër dhe 13 pro është refuzuar dhe kërkesën e dytë që kishte të bënte me heqjen e pikës së tretë nga rendi i ditës që ishte përcaktuar të diskutohej për caktimin e lokacionit për ngritjen e lapidarit të Fadil Hoxhës. Kjo kërkesë e këshilltarit komunal Artan Nimani nga subjekti politik PDK, ka krijuar dhe debate të shumta diametralisht te kunderta për figurën e Fadil Hoxhës dhe pas hedhjes në votim, me 17 vota për dhe 15 kundër është vendosur që kjo pikë e rendit të ditës të hiqet për diskutim në këtë mbledhje.
Me vota unanime nga këshilltarët komunal është miratuar kërkesa për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të Gjykatës Themelore, ku në mbledhjen e Bordit të Drejtorëve është arritur përfundimi që ky objekt të ndërtohet në një pjesë të parcelës kadastrale numër 5069/0 Z.K. Gjakovë-qytet, e cila shtrihet përgjatë anës perëndimore të rrugës tranzite “Tirana”. Poashtu, unanimisht është votuar edhe kërkesa për caktimin e lokacionit për ndërtimin e objektit të “Qendrës për Aftësime Profesionale”, që gjithashtu është arritur një përfundim nga Bordi i Drejtorëve. Ky lokacion gjendet tek objekti ekzistues i “Qendrës për Punësim” dhe “Qendrës për Aftësim Profesional”.
Mbledhja e sotme ka nisur me një minutë heshtje në nderim të këshilltares së ndjerë nga radhet e AKR-së, Gjylgjyzare Xharavina.