Bora sjell dëme
Dimër në pranverë, do ta përkufizonim 24 orëshin e shkuar sa i takon motit në Gjakovë, për faktin se nga pasditja e djeshme mbi territorin e komunës , pas shiut të pandërprerë , ka rënë borë që ka zbardhur qytetin. Rrugët janë mbushur me borë dhe ujë, ndërsa nga bora e rëndë janë dëmtuar një numër i drunjve. Këtë mot me borë tradicionalisht në popull e komentojnë si periudhë e “Shkundjes së plakave” kur gjatë një periudhe të shkurtër bijnë edhe temperaturat. Nga një mot i këtillë sadoqë i mirëpritur për mungesën e gjatë të lagështisë, ka sjellë edhe dëme . Në Drejtorinë e Bujqësisë na thanë se tek neser mundë të jepen informata rreth dëmeve.
Më së shumti kanë pësuar pemët nga thyerjet e degëve. Në të këtilla rrethana të borës, ekspertët e bujqësisë këshillojnë pemëtarët që të shkundin pemët. Punëtorë të kompanisë së pastrimit Çabrati gjatë mëngjesit të së mërkurës kanë larguar degët e thyera nga bora të drunjve përgjatë rrugës kryesore dhe në parqe.
Si pasojë e reshjeve të shiut dhe borës gjatë ditës së djeshme, datë15.04.2014, Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim, respektivisht në saje të kordinimit të Zyrës për Alarmim dhe Kordinim Emergjent-112 dhe të zyrtarëve të saj përgjegjës, kanë bërë vlerësimin e gjendjes si pasojë e reshjeve intensive dhe konform situatës kanë ndërmarrur veprimeve adekate emergjente.Në bazë të këtij vlerësimi, është konstatuar se në fshatrat Molliq dhe Botushë janë lajmëruar reshje më të mëdha të borës, që për pasojë ka shkaktuar vështirësi në qarkullim, sidomos në zonat më të thella. Ndërkaq, përgjatë segmentit rrugor Gjakovë-Ponoshec, në fshatim Korenicë ka patur bllokim të rrugës si pasojë e thyrjes së degëve të shumta të drunjëve, të cilat me ndihmën e zyrtarëve dhe pjesëtarëve të komunitetit janë larguar, duke evituar rrezikun dhe mundësuar qarkullimin e lirë të automjeteve.Poashtu edhe në pjesët urbane të komunës, si pasojë e thyerjes së degëve/drunjëve, ka patur bllokim në rrugën “Ismail Qemali” te “Muzeu i Vjetër” , me ç’rast përmes Kompanisë “Çabrati” janë eliminuar pengesat në qarkullim.Tek lokacioni i quajtur “Ura e Taliqit” është larguar një shtyllë e rrëzuar elektrike, ku policia ka bllokuar për një orë e gjysëm komunikacionin, derisa KEDS-i ka bërë largimin e shtyllës nga rruga. Njoftojmë qytetarët se ka patur edhe shumë degë dhe trupa të pemëve të rrëzuara, poashtu edhe të shtyllave (elektrike dhe të telekomunikacionit), por që deri më tani nuk janë lajmëruar raste, me pasoja serioze në njerëz, infrastrukturë, dëmtim të pronës, apo të ndonjë lloji tjetër.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim aktualisht është duke ndërmarrur masa, duke filluar nga kërkesa drejtuar kompanisë për mirëmbajtjen e rrugëve rurale dhe urbane për të qëndruar në gjendje gatishmërie, nëse reshjet vazhdojnë dhe situata përkeqësohet. Pastaj është shprehur kërkesa drejtuar KRU “Çabrati” për pastrimin e rrjedhjes së ujit deri në puseta, dhe largimin e degëve/drunjëve që pengojnë qarkullimin e ujit, automjeteve dhe të këmbësorëve.
Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim ka ngritur shkallën e gadishmërisë, dhe është vazhdimisht në përcjellje të gjendjes në teren dhe të nivelit të ujërave që potencialisht mund të rrezikojnë.
Bora ka shkaktuar edhe telashe me furnizimin me rrymë elektrike për faktin e dëmtimit të rrjetës elektrike e me këtë kanë pësuar edhe ato vendbanime që furnizohen me ujë të pijes përmes pompave elektrike. Në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Radoniqi “ njoftojnë se, për shkak të reshurave të bores është shkaktuar prishje e sistemit elektrik në territorin e komunës sonë , gjë që ka bërë që të ndërpritet furnizimi me rrymë elektrike në shumë vendbanime dhe kjo ka shkaktuar probleme edhe për ato zona që furnizonin me ujë të pijes përmes sistemit të pompave .
Kjo kompani njofton konsumatoret e fshatrave Sopot, Cermajn, Novosell, Skivjan, Janosh dhe disa fshatra tjera që kanë sistemin e frunizimit me ujë përmes pompave se nuk do të kenë ujë deri në evitimin e dëmtimeve të shkaktuara në sistemin e furnizimit elektrik. Ekipet e Radoniqit në bashkëpunim me ekipet e KEDS , janë në terren dhe po punojnë që sa më shpejt ti eliminojnë defektet elektrike .(