Cirku kombëtar i Shqipërisë kënaq gjakovarët
Cirku kombëtar i Shqipërisë, të mërkurën në mbrëmje, shfaqi një program të pasur artistik duke bërë që të përjetohet një mbrëmje magjike në Gjakovë. Arti i rrallë i Cirkut Kombëtar të Shqipërisë, me një histori 65-vjeçare, pushtoi zemrat e publikut!
Pallati i Kulturës “Asim Vokshi” u stërmbush nga qytetarë të të gjitha moshave, të cilët u zhytën në botën mahnitëse të akrobacioneve , lëvizjeve që sfidojnë arsyen dhe elegancës që rrallë shihet.
Performanca e artistëve nuk ishte vetëm një shfaqje e zakonshme, por një spektakël i ndërtuar me emocion, ngjyra dhe mjeshtëri artistike.
Në krye të të Cirkut Kombëtar të Shqipërisë është gjakovarja Jehona Roka Varfi. Ajo këtë post e mori vitin e kaluar. Është diplomuar në Trashëgimi Kulturore nga Universiteti i Prishtinës në vitin 2010, me bursë të plotë nga Agjencia Austriake për Bashkëpunim Ndërkombëtar në Edukim dhe Kërkim. Jehona Varfi ka ndërtuar një karrierë të pasur në fushën e menaxhimit kulturor dhe rinor.
Varfi tha se Cirku po vazhdon me një turne në Shqipëri e Kosovë duke shfaqur programe të pasura artistike, ndërkohë që pas shfaqjes në Gjakovë ishte e lumtur për duartrokitjet e ngrohta që morën artistët e cirkut.
”Në qytetin e artit e kulturës, të artistëve të shumtë, të punëtorëve, dëshmorëve e martirëve… Në qytetin e korrektësisë dhe mirësisë, ku zemrat rrahin fort për vlerat e vërteta. Krenar që jemi këtu!” tha Roka Varfi.