Çka tha autori i Abetares, Mehmet Gjevori në 60 vjetorin e Normales së Gjakovës?
Me rastin e festës së 7 marsit – ditës së mësuesit, shprehim nderimin dhe respektin më të madh për të gjithë mësuesit dhe edukatorët e të gjithë brezave që dhanë pa kursim energjitë e tyre mendore e fizike, për të mësuar dhe edukuar brezat të tërë të cilët do jenë bartësit e së ardhmes të kombit tone.
Në këtë ditë të rëndësishme për shqiptarët meritojnë të kujtohen me qindra e mijëra mësues të nderuar. Në këtë festë të mësuesit veçojmë në mesin e shumë meritorëve, mësuesin e paharruar nga Elbasani, Mehmet Gjevori (1910-2007), i cili ishte pishtar i devotshëm i arsimit shqip, ku tërë jetën ia kushtoj zhvillimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë.
Mehmet Gjevori, me rastin e 60 vjetorin e Normales së Gjakovës, më 2006, kishte shprehë fjalë miradije për kontributin e Gjakovës në arsimin shqip.
“Është nderi i madh, është meritë e posaçme për çdo gjakovarë që kanë plot të drejtë të jenë sot krenar, sepse Gjakova është qyteti i parë në Kosovë që ka nxjerrë mësuesit dhe mësueset e kualifikuara, të rinj e të reja kosovarë por edhe nga Mali Zi dhe Maqedonia”, kishte thënë Mehmet Gjevori, pishtari i devotshëm i arsimit shqip i cili tërë jetën ia kushtoi zhvillimit të arsimit dhe përhapjes së dijes në Kosovë dhe autori i Abetares së parë Shqipe në Kosovë, mësues, pedagog, dhe veteran i arsimit. Gjevori vdiq në vitin 2007.