Saturday, August 31, 2024
AktualeGjakova PresssSporti

Dallëndyshet e kërcimeve nga Ura e Fshenjtë

Ura e Fshenjt
Tradita e kercimeve nga Ura e Fshenjtë

Njëra nga ngjarjet e veçanta në sportin kosovar, padyshim se është gara e kërcimeve atraktive nga Ura e Fshenjtë. Trimat e lartësive sprovojnë talentin, guximin, elegancën rinore duke marrë pjesë në garat tradicionale të kërcimeve atraktive në ujë nga Ura e Fshenjtë në lartësi 18 deri në 20 metra.(varësisht nga niveli i ujit)

Për  Urën  e Fshenjtë  është thurur legjenda, njëra  ndër më të bukurat e letërsisë popullore shqiptare dhe kjo legjendë është  kultivuar me legjendat e trimave të lartësive që pushtojnë qiellin.

“Njerëzit që hedhën nga lartësitë e mëdha,   më tepër u takojnë trupave që vijnë nga qielli. Thonë,  ndoshta ata kanë lidhje me perënditë…” kishte thënë Ali Podrimja, poeti ynë i shquar,  që ndër të parët sprovojë kënaqësinë që sjellë kërcimi atraktiv nga lartësia e kësaj ure.

Ura e Fshenjt klubi Besim Mulliqi
Klubi i kercyesve Besim Mulliqi

Gjakova është e njohur si qytet përveç tjerash edhe për garat e kërcimeve në uj nga Ura e Fshenjtë.  Çdo vjet në muajt e nxehtë të verës organizohen garat atraktive të kërcimeve që mbledhin mijëra e mijëra adhurues të notit nga e gjithë Kosova. Dita e garave shndërrohet edhe në festë të veçantë pushimi e rekreacioni.

Tradita e zhvillimit të garave është e lidhur me ndërtimin e Urës së Fshenjtë dhe të pendës në lumin Drini i Bardhë. Në vitet e 50-ta lajmërohen djelmoshat e parë guximtarë që fillojnë të kërcejnë nga pika të ndryshme lartësie nga shkëmbinjtë përgjatë lumit Drin, e më pastaj edhe nga vet Ura. Atë kohë dalin shumë të rinj që kërcejnë në këmbë dhe në stile të ndryshme në kokë mes të cilëve: Mehdi Kryeziu, Hilmi Musa, Ali Podrimja (Italiani), Mazllom Brahushi, Shefqet Vokshi, Hysen Nagavci, Nysret Hoxha, Mexhid Yvejsi, e të tjerë. Ky brez konsiderohet të jetë nismëtarë të traditës së kërcimeve nga ura. Nga legjendat e kërcimeve në ujë në vitet e 60-ta përmendet Ali Podrimja, i njohur si  Ali Talijani.  Guximi i tyre në vitin 1968 u shndërrua në garë tradicionale.

Të organizuar nga klubi i notit „Vëllaznimi” dhe subjektet komunale e kosovare të sportit të notit,  erdhën brezat e rinj të kërcyesve shembullor si:  Isuf Vokshi, Nesret Kulluku (Leti), pastaj vazhdoi Kujtim Gorani, për disa i paarritshëm, kampion i shumëfishtë i Kosovës dhe ish-Jugosllavisë. Pastaj Mark Lasku, Sokol Hoti,  Lulzim Zhubi, Afrim Idrizi , Avdyl Osmani, ishin emra të tjerë të traditës së kërcimeve, pastaj erdhi gjenerata më e re:  Blerim Nagavci, Arben dhe Atdhe Lota, si dhe  vëllezërit Besim, Blerim dhe Lulzim Mulliqi.

Në vitet e lirisë së Kosovës për suksese në këto gara dallohen kërcyesit: Sali Riza, Yll Mangjuka , Rrasi Domi, Shkelzen Goçi,  Bislim Gashi e tj. të njohur për kërcimet në stilin “Dallëndyshe”.

Nga garat e kërcimeve në Ujë,  në skenë doli edhe femra e parë në historinë e kërcimeve në ujë në të gjitha hapësirat shqiptare dhe më gjerë, Gonxhe Xhiha, e cila vetëm si 13-vjeçare kishte befasuar të pranishmit me kërcimet nga Ura e Fshejtë mbi Lumin Dri të lartë 18 metra. Ajo më 1983 në moshën 17-vjeçare pati guximin të provojë edhe Urën e Mostarit, por në atë kohë nuk ishte lejuar nga organizatori kinse për moshën e re por sipas Gonxhes, kjo ndalesë i behej  sepse “ishte femra e vetme shqiptare”. Këtë e realizoi me plot sukses pas një viti kësaj here pasi organizatori mori pëlqimin e prindit dhe Lidhjes së Notit të Kosovës, dhe ishte femra e parë që kishte kërcyer nga një lartësi kaq e madhe.

Karakteristike është se garat zhvillohen edhe kërcim në këmbë ku numri I garuesve është gjithnjë e më I madh.

Ura e Fshenjt Besim MulliqiTrimi i lartësive, dallëndyshja Besim Mulliqi

Besim Mulliqi hynë në radhën e sportistëve të dalluar të Kosovës që për sportin, për sukseset në sport, flijoj edhe veten. U rrit në një familje sportistësh. Blerimi dhe Lulzimi kishin sprovuar veten si kërcyes nga lartësitë. Besimi Ishte kampion i shumëfishtë I Kosovës  i kërcimeve në ujë nga Ura e Fshenjtë.  Ishte anëtarë I klubit të notit ” Vëllaznimi”. E quajtën me të drejtë trimi i lartësive  .

Siç është legjendë për vete Ura e Fshejtë, legjendë e kërcimeve në ujë mbetet edhe djaloshi  shpirtgjerë e zemërmadh Besim Mulliqi.

Si 15 vjeçar , si një dallëndyshe e vërtetë, duke ndjekur rrugën e kërcyesve të njohur gjakovar,   Besim Mulliqi nisi fluturimet  në stilin e tij të njohur  të kërcimeve nga Ura e fshejtë, për të arritur disa herë deri tek titulli I kampionit të Kosovës.

Ura e Fshenjt Besim Mulliqi kercimo
Besim Mulliqi ne kercimin tragjik nga Ura e Mostarit 1988

Si përfaqësues i sportistëve notues të Kosovës, duke mbrojtur denjësisht ngjyrat e klubit të notit “Vëllaznimi”, Besim Mulliqi, 5 herë morri pjesë në garat e kërcimeve nga Ura e lartë 30 metërshe e  Mostarit,  duke u radhitur dy herë në vendin e tretë, dy herë në vendin e dytë dhe në kërcimin tragjik të vitit 1988, zuri vendin e parë.