Friday, March 29, 2024
Gjakova Presss

Dr.sc Alban Dobruna për Prof. dr. Drita Bakija-Gunga

(Botuar në numrin më të ri të Revistes Gjakovapress nr. 140 online)

Më datën 26 gusht 2020 morëm lajmin e hidhur për shkuarjen në amshim të studiueses së Institutit të Historisë në Prishtinë dhe profesoreshës universitare prof. dr. Drita Bakija-Gunga. E njohur në botën akademike në Kosovë për mirësinë e saj, qetësinë, buzëqeshjen tipike, aftësinë për komunikim me të gjithë, përkushtimin, harenë, kënaqësinë e ligjëratave që na dhuroi ne studentëve të saj.

Drita Bakija-Gunga u lind në Gjakovë më 31 dhjetor 1943, në një familje të angazhuar në veprimtari të devotshme në rrugën e tarikatit bektashi. Shkollën fillore dhe të mesme i kreu në vendlindje. Studioi në Degën e Historisë në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ku u diplomua më 1973. Pas diplomimit u punësua si mësimdhënëse në Gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Po në të njëjtin fakultet, më 1975 i regjistroi studimet pasuniversitare, të cilat i kreu me sukses në vitin 1978, me mbrojtjen e tezës së magjistraturës, me titull: “Lëvizja e grave të Kosovës në mes të dy luftërave botërore”. Tezën e doktoratës me titullin: “Gratë e Kosovës në periudhën e ndërtimit socialist 1945-1978”, e mbrojti po në Universitetin e Prishtinës më 1982, duke u bërë gruaja e parë në Kosovë që merr gradën “doktor i shkencave të historisë”. Në vitin 1975 u pranua në Institutin e Historisë të Kosovës si punonjëse shkencore. Ajo hyri në botën e shkencës duke pasur një kulturë historike solide dhe një fond të gjerë njohurish kulturore që do t’i përcjellte në lëvrimin dhe ndriçimin e të kaluarës së popullit shqiptar, ku shpejt bëhet e mirënjohur, nëpërmjet shkrimeve, studimeve, ligjëratave, seminareve dhe simpoziumeve shkencore që organizoheshin. Prof. Drita ma aftësitë intelektuale, natyrën, virtytet morale të saj e donte kulturen dhe artin, kjo i solli në jetë edhe dashurinë, e cila u kurorëzua me martesë me poetin e madh, Fahredin Gunga, njëri nga më të shquarit e poezisë bashkëkohore shqiptare në Kosovë.

Në vitin 1986 botoi librin “Gratë e Kosovës në periudhën e ndërtimit socialist 1945-1978”, Prishtinë: Instituti i Historisë. Ky është studimi, shtjellimi dhe botimi i parë në Kosovë për problematikën e femrës në trevat tona, të cilën historiografia shqiptare deri në atë kohë thuajse nuk i kishte kushtuar fare kujdes. Profesoresha në këtë monografi ka studiuar femrën shqiptare në Kosovë në të gjitha fushat e jetës, në aktivitetet e saj në rrjedhat shoqërore-historike të zhvillimeve të pas Luftës së Dytë Botërore, si arsimimi, inkuadrimi i saj në këshillat e punëtorëve,  në organet drejtuese dhe punë drejtuese, si dhe në organizatat politike-shoqërore, andaj prof. Drita u bë prijetare e studimeve që kanë të bëjnë me zhvilimin dhe pozitën e gruas në shoqëri, si promovimi i mundësive të barabarta, angazhimi për përmirësimin e pozitës së gruas në edukim, shëndetësi, arsimim, kulturë, ekonomi. Disa nga kontributet e prof. Drita Bakija-Gunga në këtë lëmi janë: Gratë e Kosovës në Lëvizjen revolucionare 1933-1941, Kosova, Nr.6, 1977; Gratë e Mitrovicës dhe të rrethinës në Lëvizjen punëtore revolucionare në mes dy luftërave botërore, Mitrovica dhe rrethina-monografi, Mitrovicë 1979; Gjendja dhe pozita e grave në Kosovë në Mbretërinë e Jugosllavisë dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore, Dituria, Nr.3-4 1982;Lidhja e Prizrenitdhe gruaja shqiptare, Konferenca Kombëtare për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Tiranë 1979;  PKJ-a dhe puna me gratë e Kosovës në mes dy luftërave botërore, Përparimi, Nr.2 1979; Disa aspekte të zhvillimit të Frontit Antifashist të grave të Kosovës e Metohisë, Kosova, Nr. 13-14 1985; Shtypi i grave për emancipimin e tyre në periudhën e ndërtimit socialist të Kosovës, Përparimi, Nr.3 1987; Pozita shoqërore e gruas në Kosovë nga fundi  i shekullit XIX deri më 1920, Kosova, Nr.17, 1988; Arsimi i femrës shqiptare dhe mendimi i rilindësve, 100-vjetori i Shkollës Shqipe të vashave në Prizren, Prishtinë, 1993; Shpërngulja e shqiptarëve në Turqi, 1944-1966, Dëbimet e shqiptarëve dhe kolonizimi i Kosovës (1877-1995), QIK, Prishtinë, 1997; Arsimimi i femrës ndër shekuj (Përmbledhje punimesh nga Simpoziumi i mbajtur në Tetovë-7 Mars-Dita e Shkollës Shqipe), Jehona, Shkup. 

Prof. Drita Bakija-Gunga ishte e angazhuar edhe si pedagoge në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës, ku mbajti ligjërata nga lëndët “Metodika e Historisë” dhe “Historia e gruas dhe e barazisë gjinore”. E them me bindje të plotë që kemi qenë fatlum që kemi patur mundësinë të kemi një profesoreshë brilante, që tejkalonte dimensionin e mësimdhënëses, mike, qytetare e dorës sëparë, që na frymëzonte në çdo moment me pasion, fisnikëri, dashuri, me mendje të hapur dhe mbi të gjitha me zemër të madhe.

Ajo ishte zgjedhur në kryesinë e parë të Shoqatës së Gruas në mars 1990, që më pas u transformua në Forumin e Gruas së LDK-së dhe me iniciativën e kryetarit të atëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ibrahim Rugova, u propozua për kryetare të këtij forumi, por për shkak të karakterit modest nuk e pranoi, pasi kurrë nuk aspiroi për lavd apo për pozita të larta.

           Prof. dr. Drita Bakija-Gunga në vitin 2008 u pensionua, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Institutit, sistudiuese me aftësi shkoqitëse, stil elegant e qëndrime pozitive. Profesoresha u nda nga jeta më 26 gusht 2020 e rrethuar nga familjarët e saj të dashur. U varros në vendlindjen e saj në Gjakovë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *