Edhe një shfaqje e Teatrit të Gjakovës
Sonte para adhuruesve të artit skenik vjen shfaqja e radhës e Teatrit të qytetit ”Hadi Shehu”Gjakovë. Në kuadër të programit online të teatrove të Kosovës për muajin maj sonte shfaqet projekti I titulluar “Gjashtë”, i autorit Arian Krasniqi, me regji të Valon Pallaskës, me një interpretim të aktores veterane Elida Shasivari dhe aktorit, Edi Kastratit.
“Gjashtë” është një shfaqje që aktualizon dënimin me vdekje, që ishte i ligjshëm në shumë vende të botës. Në dramën ‘Gjashtë’, e cila është shkruar mbi motivet e kapitullit të fundit të romanit ‘I huaji’ të Albert Camus-së, në qendër të rrëfimit është Ana, një grua rreth të pesëdhjetave, e cila, në pritje të ekzekutimit me varje në litar, meqë kishte vrarë të dashurin e saj, gjashtë orët e fundit të jetës i kalon në një qeli burgu, në të cilën ajo, duke refuzuar të pendohet për krimin e saj, rrëfehet para një prifti. Ana, para shumë vitesh, ka braktisur foshnjën e saj, një djalë, në ditën e gjashtë të lindjes së tij. Ky është projekti i katërt i teatrit të Gjakovës, që shfaqet brenda disa ditëve në kuadër të këtij kalendari. Dashamirët e artit skenik këtë projekt mund të shohin përmes faqes së facebook të teatrit, me fillim në ora 21.00.