Ekspozita “112 Dhimbje dhe Krenari“ – A vriten pëllumbat bre?
Shoqata Krimet e Luftës Gjakova 98-99, të mërkurën hapi ekspozitën “112 Dhimbje dhe Krenari“ me 112 foto të fëmijëve të vrarë në Komunën e Gjakovës, gjatë luftës së fundit në Kosovë 98-99.
Duke qenë se bëhet fjalë për ekspozitë protestuese, ceremonia e hapjes solemne është bërë në heshtje, ndërkohë që udhëheqësja e Shoqatës “Krimet e Luftës Gjakova 98-99”, Shkendije Hoda, tha se kjo ekspozitë është një protestë në vete.
“Janë momente qoftë dhe të fundit, për të gjithë ata të cilët votuan dhe gabuan, për të ndërtuar një Gjykatë Speciale mbi gjakun e Dëshmorëve dhe Martirëve, mbi gjymtyrët dhe bekimin e luftës së Invalidëve e Veteranëve, mbi mundin dhe sakrificën e çdo qytetari që humbën më të dashurit e tyre, ku ky gabim i nënshkrimit dhe vulosjes së realizimit të punës së njëanshme të Gjykatës Speciale, po sjellë dëshmi të rrejshme, e themeluar dhe iniciuar për të mohuar luftën e lavdishme të popullit shqiptar në Kosovë”, tha Hoda.
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Saranda Hyseni Maloku, pasi ka vizituar këtë ekspozitë ndër të tjera u shpreh se, dhimbja për jetët e humbura do të jetë prezentë gjithmonë, por i fortë është një popull që ringritet pas një humbje kaq të madhe.

Ajo falënderoi Shkëndije Hodën për idenë dhe organizimin e kësaj ngjarjeje, si dhe për kontributin e vazhdueshëm për zbardhjen e krimeve në Kosovë!
Ekspozita protestuese e titulluar “112 Dhimbje dhe Krenari“ e hapur sot në foajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë do të qëndroi e hapur për vizitor, deri më 10 tetor.