Saturday, April 27, 2024
AktualeGjakova PresssLajme

Eltoni dhe Përmeti kujtohen në 15 vjetorin e rënies heroike

Në 15 vjetorin e rënies heroike të luftëtarëve të ditëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Gjakova, Elton Zherka dhe Përmet Vula   të dielën nga ora 10.00 bëhen homazhe në varrezat e qytetit. Eltoni dhe Përmeti që ranë në frontin e luftës për lirinë e Kosovë , janë dekoruar  nga Presidenca e Kosovës  me Medaljen e artë të lirisë.

Heroizmi I djemve gjakovar në luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka lënë gjurmë të pashlyera në historinë më të re kombëtare, ndërsa  Eltoni dhe Përmeti kanë hyrë mes legjendave të dashura e  të paharruara të  rinisë kosovare dhe gjithëshqiptare.

Eltoni dhe Përmeti i takonte grupit të parë të djemve të Gjakovës që me 18 prill të vitit 1998 u inkuadruan në radhët e UCK-së në Gllogjan,  në njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit, ndërkaq më 10 gusht 1998, ranë heroikisht në betejën e ashpër që u zhvillua në Junik, me forcat serbe shumëfish më të armatosura. Në këtë betejë ranë heroikisht edhe luftëtarët e lirisë, Bekim Berisha- Abeja, Bedri Shala e tjerë.

“Kontributi i luftëtarëve , Elton Zherka dhe Përmet Vula në luftën për lirinë e Kosovës është  i veçantë. Rënia e tyre në fushëbetejë ishte shembull i sakrificës dhe i përkushtimit të lartë e i dëshmimit se liria e vendit është mbi të gjitha.  Ata së bashku me komandantin Bekim Berisha-Abeja luftuan dhe vdiqën në moshë të re, duke u bërë kështu shembull i trimërisë dhe i dashurisë për atdheun. Vepra dhe personaliteti i, Elton Zherkës dhe Përmet  Vulës do të mbeten frymëzim atdhedashurie  për të gjithë brezat që do të vijnë”, shkruan në dekoratën me rastin e marrjes së Medaljes së artë të Lirisë, nga  presidenti i Kosovës të ndarë në gusht të vitit 2010.

elton zherkkaaaElton Zherka: Lindi më 19 gusht 1977 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindje ku ishte një ndër nxënësit më të dalluar në mësime dhe në sjellje. Studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Fakultetin Juridik.

Në moshën 17 vjeçare e vërejnë talentin e tij për botën e modës dhe bukurisë. Falë  ndërtimit të tij fizik, bukurisë së trupit të tij, morri pjesë në sfilatat e modës. Mirëpo Eltoni e ndjente peshën e robërisë që nga bankat shkollore. Në demonstrate dhe revolta gjithnjë ishte i pari. Është kjo një kohë kur babanë e tij, Gëzimin, pushteti serb e kishte dënuar me 13 vjet burgim.

Në disa vise të Kosovës kishin dalë në skenë djemtë e lirisë, ata që do të mbanin mbi supe tërë fatin e kombit deri në fitoren përfundimtare. Eltoni futet në Shoqatën Humanitare “Nëna Terezë” duke dhënë ndihmë për popullatën e pafajshme dhe të pa mbrojtur. Dhe pikërisht 18 prilli 1998, kur së bashku me 12 djem gjakovarë, është ditë e inkuadrimit në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Njësitin “Komando” të Zonës Operative të Dukagjinit, pikërisht në fshatin Gllogjan që ishte vullkani i gjithë ngjarjeve dhe luftimeve për rrafshin e Dukagjinit. Nga këta 12 luftëtarë, tre prej tyre bien në altarin e lirisë. Dhe, për afro katër muaj sa qëndroi dhe luftoi në Njësitin e tij “Komando”, Elton Zherka u dallua ndër bashkëluftëtarë. Ishte luftëtarë i denjë dhe epror i dalluar.

Lufta dhe heroizmi i tij i fundit, është ai në Luftën e Junikut, të datës 10 gusht 1998, ku në një luftë të ashpër, ballë për ballë me forcat serbe, bie në altarin e lirisë bashkë me trimat e pa epur Bekim Berisha- Abeja, Bedri Shalën, Përmet Vulën, duke mbrojtur Kosovën nga reprezalja serbe, të cilët Kosovës nuk iu ndanë një shekull me radhë.

Kështu Elton Zherka, ia ngriti vetvetes lapidarin e lirisë, në zemrat e  atyre që e njohën dhe atyre që dëgjuan për të. Kjo është rilindja e tij për mos vdekur kurrë. Trupi i tij pushon në varrezat e dëshmorëve në Gjakovë.

Permet Vula

Përmet Vula: Lindi më 8 prill 1978 në Gjakovë. Shkollën fillore dhe gjimnazin e kreu në vendlindje. Kishte dëshirë të madhe të regjistrohej në Akademinë ushtarake në Tiranë. Ishte sportist i dalluar, qoftë si peshëngritës, qoftë si futbollist. Përmeti po rritej në vorbullën e trazirave, të vuajtjeve, të keqtrajtimeve të popullit shqiptar, nga gjakpirësit shekullor serbë. Terrori dhe dhuna ndaj shqiptarëve nga dita më ditë po shtohej. Kjo e  mundonte shpirtin e ri të Përmet Vulës. Në të njëjtat valë shqetësimi dhe dhune notonte edhe Gjakova. Pikërisht familja Vula në këtë tragjedi të fundit tregoi trimërinë dhe urrejtjen ndaj pushtuesit serb, ndaj armikut qindvjeçar, e sidomos heroizmi i Përmet Vulës së ri.  Shtëpia e dëshmorit në Gjakovë ishte bërë një burim trimash dhe njëkohësisht pikënisje për t iu bashkangjitur radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë e tregoi Përmeti bashkë me 12 shokë të tjerë të Gjakovës të cilët iu përgjigjen ftesës për rreshtim në radhët e UCK_së, për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga thundra serbe.

Ishte dita e 18 prillit të vitit 1998 kur Përmet Vula u inkuadrua në këto radhë, në fillim si ushtar fronti, në Njësinë “Komando” të Zonës operative të Dukagjinit. Pra, Përmet Vula është ndër të parët luftëtarë nga Gjakova që iu bashkëngjit radhëve të UCK-së në Gllogjan të Deçanit.

Derisa Përmeti ndodhej në radhët e ushtrisë, shpesh e vizitonte i ati Iliri. Në këto raste Ilir Vula u jepte kurajë jo vetëm të birit, Përmetit, por edhe luftëtarëve tjerë, se vetëm kështu do ta çlirojmë Kosovën nga okupatori shekullor.

Në luftimet që u zhvilluan në atë kohë, Përmet Vula u dallua. Këtë e tregoi edhe më 10 gusht 1998, në Luftën e Junikut, aty ku egërsia serbe kishte arritur kulmin, por ndeshej me trimat e UCK-së që nuk e përfillnin forcën serbe.

Në luftën e ashpër që u zhvillua në Junik, bie në altarin e lirisë Përmet vula, bashkë me luftëtarët tjerë si bekim Berishën- Abejen, Elton Zherkën, Bedri Shalën e tj. Bien për të mos vdekur kurrë këta bijë të Kosovës. Sot trupi i dëshmorit, Përmet Vula, prehet në varrezat e dëshmorëve në Gjakovë.