Tuesday, April 2, 2024
Kulturë

Enver Gjergjeku; Poezi ÇARSHIA  E  MADHE

Krijuesit gjakovarë, ishin të mishëruar me Çarshinë e tyre. Ajo për poetët ishte burim i pashtershëm frymëzimi. Zgjodhem një poezi të poetit të shquar Enver Gjergjeku  me vargjet e  bukura.

Akademik Enver Gjergjeku lindi më 1928 në Gjakovë në një familje qytetare. Në vend­lind­je kreu shkollën fillore (1942) dhe Shkollën Normale (1948), kur­se Fakultetin Filozofik – grupin e gjuhës e të letërsisë shqipe në Beo­grad (1955), ku u magjistrua (1961). Është poet, studiues e historian i letërsisë dhe përkthyes letrar. Vdiq në Prishtinë më 2008.

Enver Gjergjeku 

ÇARSHIA  E  MADHE 

Kaluan mbi shpinën tënde të pashiluar                  

Shekujt e lindjës e të perëndimit,                          

E ti prap e Madhe !                                               

Në një shpresë të vogël, e mbyllur                       

Në një ëndërr, e ruajtur thellë në krahror.         

 Bebë e syrit gjithmonë të çelur n’agime               

Para syzave të zejtarëve të lodhur –                      

Çirak e zotëri kokëpërkokë të ngrysur                  

Deri në mesnatën e dejur në qerpikë,                    

Që qilën e mbyllën me qepengjët e plagosur.       

                                                                               

Këtu dielli e hëna bredhin nëpër ledhet magjike

E lindin përsëri n’gjilperën e perin                        

E një xixe që flakëron si rrufe                               

N’jelekun e praruar me yll t’artë –                        

N’jelekun e mbushur me pranvera.                      

Në dorë u këndojnë bilbilat e trilluar

E ata qeshin e qajnë bashkë me ta.                       

Këngët u vërshejnë nëpër buzë                            

Si lumenjtë e pangushëlluar                                  

Kur ikin të mahnitur nga shtrati i vet.                   

Kaluan nëpër ty shtërngatat e motit                      

Zjarri i mllefit dhe i mërisë të dogj.

E ti – prapë e Madhe !                                          

U ngrite nga hiri i eshtrave                                   

Që i ruajte në gjitë e pashterur.                             

Nëpër parzmin tënd shputat e lehta të vashave

Të trëndafilave që i ringjalle në duar

Të beqarëve shtatëdhjetëvjeçarë me dy palë syza

Që çojnë dashuri në kullat e fildishta të një zemani

Në shtretërit e tyre kurrë të shkrythur nga nuset.

 Qëndrove në jehun e qemaneve

N’sharkinë krenare me tela të këputur,

Që dnesin nga mallëngjimi i pashuar;

Klithjet e dhëmbjës i ndrydhe përherë,

E ti prapë Zemërmadhe

N’ udhëtimin tënd të pafund.

 Kaluan nëpër ty shumë stinë pranverore

Djelmoshave ua këpute përgjysmë këngët e majit

Dhe ua mbolle mustaqet para kohe

Kokat ua mbulove me dimra t’acarshëm –

Dimrat kurrë të pasosur !

Me cirkat e dnesjeve u rrite

Gurët i latove me thonjtë fëmijërorë –

Mesjetën mbi kokë –

Shpatë e Damokleut – më plake,

Por hapin kah shtegu i diellit

Kah agu i ri e mbajte..

 Kaluan nëpër damarët e tu shekujt e shqetësuar

Jehu i lindjës dhe i perëndimit u shua

E ti – prapë e Madhe !

Me gishtin tregues në tamthin e djathtë

Dhe dorën e majtë mbi ballë ! 

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *