Wednesday, June 5, 2024
AktualeLajme

Festa e punes në vendpikniqe

Ttradicionalisht kjo festë shënohet si ditë e pushimit dhe rekreacionit në natyrë. Sot vendpikniqet gjakovare janë të mbushura  me bashkëqytetarë të cilët do të kalojnë kohën më të madhe të ditës.

Shkugëza me pishat e larta e të bukura, Cabrati me atraksionin e rrallë sikurse edhe brigjet e lumenjve Ereniku dhe Drini si  dhe liqeni Radoniqi, pritet të jenë  pikat më të frekuentuara gjatë ditës së sotme.

Në anën tjetër grupe të shumta të organizuara nga qyteti jonë këto ditë po i kalojnë nëpër qendrat turistike bregdetare në Shqipëri e vende tjera.

Ndryshe, Dita e Punëtorëve, 1 Maji, në Kosovë ka hyrë në kalendarin e festave të pushimit. Kësodore, derisa në shumë vende të botës sot po protestohet për të drejtat e punëtorëve, në vendin tonë një maji do të jetë ditë pushimi. Kjo ditë do të trajtohet si festë, madje edhe nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës. Megjithatë, këtyre të fundit  u është kujtuar që të diskutojnë për gjendjen e punëtorëve në vend.

Trajtimi, puna pa orar, pagat e ulëta, mos kompensimi i punës jashtë orareve janë vetëm disa nga problemet me të cilat ballafaqohet klasa punëtore.  Në këtë gjendje jashtëzakonisht të vështirë për punëtorët kontribuon edhe  numri i madh i të papunëve.  Pavarësisht krejt këtyre problemeve, në Ministrinë për Punë dhe Mirëqenie Sociale,  thonë se është në rritje numri i bizneseve që regjistrojnë punëtorët e tyre.  Sipas tyre, hap pozitiv është rritja e kapaciteteve të Inspektoratit të Punës dhe hyrjes në fuqi e Ligjit të punës.

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë publikimin e të dhënave të gjendjes së fuqisë punëtore në Kosovë, të cilat janë mbështetur në një anketë të bërë në gjithë territorin e Kosovës, duke u intervistuar 18.100 persona në moshë të punës prej 15 deri 64 vjeç. Sipas kësaj statistike del se 63.2% e të anketuarve janë ekonomikisht joaktiv, ndërsa pjesa tjetër, 36.8% janë aktiv, ndërkaq nga tërë popullsia në moshë të punës , vetëm 23.9% janë të punësuar.

Me rastin e 1 Majit , ditës ndërkombëtare të punëtorëve ,Forumi Rinor I AKR- së në Gjakovë në formë simbolike  sot organizoj një aktivitet I cili paraqet pakënaqësinë e të rinjve të Gjakovës për gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale. Me moton “Është koha e punës, jo e pushimit”, të rinjtë e AKR-së do të vendosin nga një çelës në dyert e Fabrikave të mbyllura, ku edhe do ti bëhet thirrje pushtetit lokal që të angazhohet më shumë për hapjen e vendeve të reja të punës dhe pritjen e investitorëve të jashtëm.