Filloi Kampionati Individual evropian i shahut
Gjakova mblodhi shahistët më të mirë evropianë e botëror. Mbrëmë solemnisht është hapur Kampionati Individual Evropian i Shahut, eveniment sportiv ky që do të zgjasë deri me 24 maj. Hapjen zyrtare të këtij kampionati e ka bërë kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari – Lila , ndërsa në hapjen solemne kanë fol edhe Boris Kutin, nënkryetar i Federatës Botërore të Shahut, Ibër Alaj, në emër të Qeverisë së Kosovës dhe Nusret Avdiu, kryetar I Federatës së Shahut të Kosovës.
Kusari Lila para të pranishmëve të shumtë ka thënë se komuna e Gjakovës dhe qytetarët e saj e kanë për nderë të jenë pjesë e organizimit dhe nikoqir të këtij evenimenti të madh sportiv. Ajo ka thënë se mbajtja e këtij kampionati në Gjakovë e ka një simbolikë të veçantë, për faktin se kampionati i një sporti inteligjent siç është shahu, po mbahet në një qytet me njerëz inteligjent siç është Gjakova.
Kryetarja Mimoza Kusari – Lila ka shprehur bindjen e saj se mysafirët që do të qëndrojnë në Gjakovë gjatë këtyre ditëve do të ndahen të kënaqur me mikpritjen dhe bujarinë e vendasve, ndërsa ju ka sugjeruar atyre që të mos hezitojnë por të vizitojnë të gjitha lokacionet historike, kulturore e turistike të Gjakovës si dhe të shijojë të gjitha ushqimet tradicionale të Gjakovës.
Ndryshe, Kampionati i Individual Evropian i Shahut është një bashkë organizim në mes të Federatës Evropiane të Shahut, Federatës Kosovare të Shahut, Komunës së Gjakovës dhe ministrisë së Kulturës. Përfaqësuesi I Qeverisë së Kosovës në këtë eviniment Ibër Alaj, nga departamenti I Sportit të Ministrisë së Kulturës, rinisë dhe sporteve tha se Gjakova e ka merituar një ngjarje të këtillë madhore.
Si njëra ndër ngjarjet më të mëdha të këtij sporti, ky kampionat sjellë në komunën e Gjakovës rreth 300 shahistë nga rreth 40 shtete të Evropës, në mesin e tyre edhe rreth 150 shahistë me titullin mjeshtër ndërkombëtar, për të dëshmuar kështu peshën dhe rëndësinë që e ka në botën e shahut një aktivitet i tillë. Ndeshjet e para të këtij kampionati kanë filluar nga dita e sotme nga ora 15 e 30 ndërsa finalet do të jenë në ditët e fundit, me ç ‘rast edhe do të zgjidhen shahistët më të mirë evropianë për vitin 2016. Fondi I shpërblimeve arrin në 120 mijë euro, ndërsa kampioni evropian fiton 20 mijë euro.