Tuesday, April 16, 2024
AktualeLajme

Filloi ndërtimi i Qendrës së re profesionale

Qendra e aftesimeve profesionaleMe investimet e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale në shumë prej 468 mijë euro dhe me ndarjen e truallit nga Komuna e Gjakovës, sot kanë nisur punimet në ndërtimin e objektit të ri të Qendrës për Aftësim Profesional. Me rastin e vënies së gurthemelit, kryetarja Mimoza Kusari Lila është shprehur se me këtë investim institucional, Gjakova do të kthehet në primatin e saj të zhvillimit industrial dhe ekonomik, pasi nga kjo qendër rajonale aftësuese do të dalin profesionistë të duhur për nevojat e tregut në Kosovë.

Kjo qendër, ka pohuar Kusari Lila, nuk është dhe nuk do të jetë e vetmja e cila do të punojë dhe investojë për krijimin e perspektivës dhe se Komuna shprehet e gatshme për bashkëpunim edhe në të ardhmen.

Edhe zëvendësministri, Fatmir Shurdhaj,  tha se “Gjakova ka pasur shumë nevojë për këtë qendër të re dhe se me këtë investim do të bëhet qendra më e madhe, ku do të ketë mbi 2.000 metra katrorë”.

Zëvendësministri Fatmir Shurdhaj ka thënë se do të investohet edhe në inventarizim dhe laboratorë.

Në emër të Qendrës për Aftësim Profesional, për ndërtimin e objektit të ri ka falënderuar drejtori Shaban Laha, i cili ka bërë të ditur se do të hapen edhe drejtime të reja.

Ndryshe Qendra për Aftësime Profesionale në Gjakovë, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale të Kosovës me objektin e vjetër ekzistues , gjatë 6 muajve të parë të këtij viti, ju ka krijuar mundësinë vijuesve të kurseve të ndryshme teorike dhe praktike, rikualifikimin adekuat kërkesave aktuale të tregut të punës.

Kështu gjatë muajve janar – qershor  procesit të rikualifikimit u janë nënshtruar gjithsejtë 150 persona prej të cilëve mbi gjysma apo saktësisht 89  sish kanë qenë të gjinisë femërore. Prej këtij numri, procesin e rikualifikimit  për profesione të kërkuara në treg, që konsiderohet se krijon parakushte të mira për punësim, gjatë gjysmës së pare të këtij viti me sukses e kanë përfunduar 97 persona prej të cilëve 47 femra. Sa i përket muajit të fundit, përkatësisht muajit qershor këtë proces me sukses e kanë përfunduar gjithsejtë 9 persona.

Ndryshe, siç dihet tashmë, në bazë të një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, në Qendrën për Aftësime Profesionale në Gjakovë, procesin e rikualifikimit e vijojnë edhe një numër i konsiderueshëm i banorëve të veriut të Shqipërisë.

Me ndërtimin e objektit të ri kushtet për vijuesit e kurseve në këtë qendër do të përmirësohen dukshëm.