Saturday, August 31, 2024
AktualeLajmet e shpejta

Gjakova e Tirana bashkëpunojnë

mimoza-nwe-tirane-2
Foto Gazeta Shqip

Gjakova e Tirana vazhdojnë bashkëpunimet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti  në një takim zyrtar kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila. Ata vlerësuan si tepër pozitiv angazhimin e kryetarëve bashkive dhe komunave shqiptare të rajonit, si një mundësi për të rritur bashkëpunimin dhe forcuar e bashkërenduar në interes të qytetarëve shqiptarë. Veliaj e falënderoi homologen e tij nga Gjakova, e cila iu përgjigj thirrjes në Maratonën e Tiranës. “Mimoza bën një punë fantastike në Gjakovë, por gjithmonë gjen kohë të përfshihet edhe në punët tona të bukura. Më vjen mirë që ajo sot, përveçse si kryetare e komunës, vjen edhe si vrapuese, atlete, si njeri që inkurajon sportin dhe jetën e shëndetshme”, tha Veliaj.

mimoza-nwe-tiraneNë anën tjetër kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, sic shkruan gazeta Shqip, theksoi se pjesëmarrja në Maratonën e Tiranës ka një simbolikë të fortë kombëtare. “Për mua është tepër e rëndësishme që të jem pjesëmarrëse në Tiranë, që aktivitetet sportive përfshijnë Kosovën, Shqipërinë, që të jemi bashkë në këto aktivitete e natyrisht të tregojmë që jeta e shëndetshme nuk është vetëm e lidhur me elementin se duhet bërë domosdo, për arsye se jemi të detyruar, por duhet bërë për arsye se  jemi më pozitivë, më kreativë. Vrapimi më ndihmon shumë edhe në procesin e vendimmarrjes, por më ndihmon edhe që t’u jap shembullin qytetarëve të Gjakovës, por edhe gjithë Republikës së Kosovës, për angazhim më të madh sportiv. Pres të shoh se çfarë ka përgatitur Tirana për ne, dhe  natyrisht, të marrim diçka të mirë, të kthehemi prapa në Gjakovë, të implementojmë vrapin tonë në Gjakovë e Bajram Curri  në maratonën e Malësisë së Gjakovës me 15 e 16 tetor”, u shpreh kryetarja Kusari Lila .