Gjakova sërish në zonë të kuqe
Komuna e Gjakovës edhe këtë javë, për shkak të numrit në rritje të të infektuarve, ka mbetur në zonën e kuqe, duke u konsideruar si zona me rrezikshmëri të lartë.
Vetëm gjatë 24 orëve të shkuara në komunën e Gjakovës janë konfirmuar edhe 29 raste të reja, duke e ngritur numrin e përgjithshëm nga fillimi i pandemisë në 3 mijë e 450 raste. Gjatë 24 orëve janë shëruar 64 pacientë ndërsa nga fillimi deri me sot janë shëruar 2 mijë e 817 pacientë. Sipas IKSHPK, virusit Covid 19, me rastin e fundit të vdekjes së një 64 vjecari, nuk i kanë mbijetuar 118 persona . Aktualisht në komunën e Gjakovës ka 515 raste aktive me Covid.
Në Spitalin e Përgjithshëm Isa Grezda në Gjakovë, sipas raportit te sotëm, janë të hospitalizuar 80 pacientë 4 më shumë se një ditë më parë, 14 nga të cilët janë nga Shqipëria. Nga numri i përgjithshëm 64 pacientë janë të konfirmuar pozitiv, 40 janë në oksigjenoterapi, një në respirator dhe një në CPAP maskë. Është raportuar edhe për 3 raste të infeksionit të mjekëve, dy nga infermierët dhe një nga stafi mjekësor..