Gjakovarët shënojnë 102 vjetorin e çlirimit të Shkupit
Një delegacion i gjërë i komunës së Gjakovës dhe shoqates së intelektualëve ‘Jakova’ ka marrë pjesë në manifestimin përkujtues që Shoqata e Historianëve Shqiptarë në Maqedoni (SHHSHM), në bashkëpunim me Shoqatën “Sofra gjakovare” – Shkup dhe Komunën e Çairit, me një sërë aktivitetesh, me 12 gusht 2014 shënuan 102 vjetorin e Çlirimit të Shkupit.
Fillimisht, u bënë homazhe para shtatores së ideologut të pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtinës në Shkup. Delegacione të ndryshme, të udhëhequra nga kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, Zëvendësministri i Mbrojtjes, Arben Labënishti, kryetari i SHHSHM-së, Skender Asani, delegacioni nga Gjakova me në krye Masar Rizvanollin, pastaj Mehmet Prishtina, Gazmend Boletini, Berat Deralla, etj., nderuan figurën e njërit nga arkitektëve kryesor të Pavarësisë së Shqipërisë, Hasan Prishtina.
‘Ne, si Gjakovë, shpesh jemi mburrur për paraardhësit tanë, si patriot dhe kontribues kombëtar në të gjitha etapat e saja, përfshirë edhe luftën e fundit çlirimtare të UÇK-së. Këtë vlerë ndër kohëra të ndryshme kur atdheu lëshonte kushtrimin, e dëshmon edhe koha, apo dhe vet ditët e kryengritësve gjakovarë që dhanë shumë për çlirimin e Shkupit.Nga ndriçimet që na bën historia, duhet të japim vlerësimin meritor në kronologjinë historike të mbarë popullit shqiptar, në të gjitha trevat, që sot janë në kufinjë administrativ të shteteve të ndryshme. Shkupi kishte domethënien dhe rëndësinë e madhe të saj kur u çlirua, andaj dhe ne me mburrje sot kujtojmë kontributin e të gjithëve në atë ngjarje kulmore, e posaçërisht nderojmë dhe me pietet i kujtojmë ata, për të cilët sot edhe jemi mbledhur, për të shprehur admirimin tonë si qytetarë të Komunës së Gjakovës’, ka thënë Diana Çarkaxhija, në emër të komunës së Gjakovës dhe kryetares Mimoza Kusari Lila
Me këtë rast, Mehmet Prishtina theksoi se Shkupi dhe Hasan Prishtina, janë lidhje e fuqishme në bërthamën tonë kombëtare, duke u prirë ngjarjeve të mëdha për fatet e kombit tonë, siç ishte edhe Çlirimi i Shkupit 102 vjet më parë. Kurse, zëvendë-sministri i Mbrojtjes i Maqe-donisë, Arben Labënishti, tha se është krenari të nderohet figura e madhe kombëtare e Hasan Prishtinës, rruga e të cilit duhet të na ndriçojë të ardhmen tonë. Më pas, delegacioni i gjakovarëve, vizitoi Muzeun e Lirisë në Shkup, ku u pritën nga drejtori Baki Halimi.
Ndërsa, në sallën e Komunës së Çairit në Shkup, u mbajt tribuna me ligjërues Prof.Dr. Masar Rizvanolli, në temën: “Kontributi i trevës së Gjakovës në Kryengritjen e përgjithshme të vitit 1912”. Tribuna u drejtua nga Baki Maliqi, kryetar i shoqatës “Sofra gjakovare” në Shkup.
Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, në hapje të tribunës tha se Shkupi mbetet si një nga tri qendrat kryesore të shqiptarizmës, andaj këto data historike le të na shërbejnë edhe për frymëzim për një perspektivë më të mirë të të gjithë neve si komb. Në emër të kryetares së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, tribunën e përshëndeti Dijana Çakaxhiu. Kurse, në emër të SHHSHM-së, Prof.Dr. Nebi Dervishi, theksoi se shumë familje të njohura gjakovare, historikisht kanë vepruar në Shkup, si qendër e Vilajetit të Kosovës.
Në ligjeratën e tij, Prof.Dr. Masar Rizvanolli, theksoi se Kryengritja e përgjthshme shqiptare e vitit 1912, ka filluar në mars të vitit 1912, pikërisht në Gjakovë, dhe kulmoi me çlirimin e Shkupit në muajin gusht.
Sipas tij, figura të mëdha kombëtare nga Gjakova, të cilat duhet edhe më tej të studiohen, janë Bajram Daklani, i cili ngriti në Shkup flamurin e pavarësisë, dhe Bajram Curri, si një nga strategët kryesorë të kryengritjes, bashkë me Hasan Prishtinën, Isa Boletinin dhe të tjerë.
Pasdite u organizua edhe një progam i pasur muzikor ku moren pjesë këngëtarët: Severgjane Laqi dhe Nexhat Kumnova, dhe instrumentist Blerim Grubi në violinë, Lorik Pylla në kitarë e Jeta Gerqari në flautë si dhe valltaret e SHKA Emin Duraku nga Shkupi dhe Gjakova.