Sunday, February 4, 2024
AktualeKulturëLajme

Hadi Shehu shkëlqeu në premierën “Pjata prej druri”

Pjata-prej-druriAdhuruesit e artit skenik në Ditën ndërkombëtare të Teatrit, të premten mbrëma janë kënaqur me lojën e aktorëve të Teatrit Profesionist në premierën “Pjata prej druri” ku kryepersonazhi ishte ikona e këtij teatri, Hadi Shehu .

Aktori i madh i skenës shqiptare Hadi Shehu u kthye me tërë shkëlqimin e tij në skenën e Teatrit të Gjakovës në shfaqjen e regjisorit nga Tirana, Gëzim Kame,  duke marrë duartrokitje të gjata e të ngrohta, nga salla e mbushur e Pallatit të Kulturës,  si asnjëherë më parë në shfaqje teatrore . Ai për të satën herë dëshmoi se edhe në këtë moshë mbetet  aktor i kalibrit të madh, që, anipse është deklaruar se do të përshendetet me këtë shfaqje, nuk besohet se do ti mungoi skenës sonë edhe në të ardhmen.

Shfaqja kishte tematikë sociale e  që në  qendër të vëmendjes kishte a plakun (Hadi Shehu), të cilin duan ta largojnë në një azil pleqërie. Kjo është një dramë sociale, e pranishme, e prekshme,  tronditëse , për vatrat tona të mbushura me drama të tilla që reflektuan me momente emocionale edhe tek publiku.

teatri 1Në këtë shfaqje me skenografi të Petrit bakallit,  interpretoi  edhe aktorja e mirënjohur nga Tirana,  Rajmonda Bulku e cila iu bashkua trupës artistike të Teatrit të Gjakovës për herë të parë. Interpretuan edhe Hysen Binaku, Xhevdet Doda, Edmond Hafizademi, Bujar Ahmeti, Altina Kusari, Valon pallaska, Muradije Muriqi dhe Yllka Lota. Ka interpretuar në klarinetë Pëllumb Vula.