Wednesday, January 1, 2025
Kulturë

Hapja e Universitetit publik në Gjakovë – mundësi dhe nevojë e kahershme

Shkruan: Prof. dr. Masar RIZVANOLLI    

 

                    Masar Rizvanolli                                                          

 Në qarqet politike, ekonomike, kulturore e mbi të gjitha, në qarqet arsimore të Komunës së Gjakovës qysh moti është përqafuar dëshira e tërë popullatës së kësaj ane për hapjen e universitetit  publik në Gjakovë, si qëndër e rëndësishme rajonale e Rrafshit të Dukagjinit me një traditë shekullore të zhvillimit të arsimit shqip.

 

Prandaj, Shoqata e Intelektualëve “Jakova” ndërmori nismën t’i parashrojë arsyet për mbështetjën e një kërkese të tillë:

Gjakova ka një pozitë të përshtatshme gjeografike për Rrafshin e Dukagjinit e më gjërë, sepse siguron një arritshmëri të njëkohshme të pikave më të skajshme të një regjioni më të gjërë. Kjo ishte arsyeja që dikur këtu funksiononin: 1. Gjyqi i Punës së Bashkuar, 2. Gjyqi Ekonomik dhe 3. Qendra e Policisë Rrugore për dhjetë qendrat komunale të regjionit që funksionuan me sukses të plotë deri në degradimin administrativ të Komunës së Gjakovës në kohën e regjimit të Millosheviqit

Përspektivat zhvillimore hapsinore të shkollimit universitar në të ardhmën e afërt imponojnë domosdonë e themelimit të qendrës së dytë universitare në Kosovë, sepse askund, në vëndët e përparuara, një universitet i vetëm publik nuk mund t’i plotësojë nevojat e një popullsie dy millionëshe. Prandaj, në këtë rast, Gjakova, si qëndër e regjionit gravitues natyror në Rrafshin e Dukagjinit ka pozitë qëndrore  si në drejtimin Veri-Jug me pika të skajshme ekuidistante: në Veri – Burimin dhe në Jug – Sharin, ashtu edhe në Perëndim – Lindje me pika të skajshme Nikaj – Merturin e Malësisë së Gjakovës ( Rrethi i Tropojës) dhe visin e Llapushës me qëndër Malishevën.

 

Regjioni në fjalë përfshin një territor me rreth 4 mijë km2 dhe një popullsi prej rreth 800 mijë banorësh.

2. Gjakova, si qendër gravituese regjionale natyrore e Rrafshit të Dukagjinit përfshinte edhe Malësinë e Gjakovës dhe Hasin. Shekuj me radhë ajo ishte qendër e tyre ekonomike, politike, kulturore e arsimore. Krijimi i bërthamave të brishta qytetëse në Bajram Curr të Malësisë së Gjakovës dhe në Krumë të Hasit të Shqipërisë për shkak të rrethanave të njohura politike gjatë shekullit të kaluar nuk arritën të zëvendësojnë rolin e Gjakovës si pikë natyrore, e hapët gravituese për viset e përmendura perëndimore me viset lindore fushore të pjesës qëndrore të Rrafshit të Dukagjinit.

Prandaj, në pikëpamje etnologjike shqiptarët e Dukagjinit , pavarësisht nga ndarja politike, përbëjnë një tërësi banorësh me sistem vlerash, me traditë, me raporte farefisnore, familiare dhe individuale të përbashkët. Madje, edhe në kohët më të vështira politike dhe ekonomike banorët e Gjakovës me rrethinë dhe më gjërë kanë patur mbështetje të fortë në familjet e Malësisë dhe anasjelltas.

Shumë ngjarje historike, vendimtare për fatin e Kosovës, u zhvilluan pikërisht në Malësinë e Gjakovës, në Has e më gjërë. Të përmendim vetëm periudhën pas rënies së Kosovës nën sundimin serb si lëvizjen kaçake, luftën antifashiste, luftën e UÇK-së etj. Në Malësi gjetën strehim luftëtarët e lirisë Bajram Curri, Hasan Prishtina, Azem Galica, Asim Vokshi, Emin Duraku, Hajdar Dushi, Fadil Hoxha, luftëtarët e komandantët e shquar të UÇK-së. Aty u mbajt Konferenca e Bujanit, mbledhja e parë e parlamentit në historinë e Kosovës. Në Malësi ishin qëndrat stërvitore ku përgatiteshin luftëtarët e UÇK-së.

Në pikëpamje demografike Gjakova me rrethinë kanë me Malësinë shumë veçori të përbashkëta: lindshmërinë e lartë, raportin gati të njejtë midish gjinive, nivelin e ulët të vdekshmërisë. Ky regjion ka popullsi propulsive dhe, prandaj, shumë të rinj të moshës vitale për punë dhe krijimtari migrojnë ose ngelin në shkallë të ulët të nivelit arsimor.

Në pikëpamje ekonomike popullsia e regjionit të Gjakovës me rrethinë dhe ajo e Malësisë së saj është e varfër. Bujqësia dhe blegtoria deri tash ishin degë të vetme ekonomike të këtij regjioni. Ndërkaq, pasuritë nëntokësore të Malësisë dhe të rrethinës së Gjakovës janë të pashfrytëzuara. Edhe burimet ujore, gjithashtu, nuk janë të shrytëzuara. Rrjeti rrugor i pazhvilluar e ka penguar shkollimin dhe zhvillimin e gjeneratave. Kufizimet e gjertanishme rrugore, kufiri i rëndë politik etj. kanë bërë që Malësia e Gjakovës dhe rrethina e Gjakovës e më gjërë të jenë regjion relativisht i izoluar dhe vlerësohet si rajoni më i pazhvilluar.

 

Universiteti do ta ndryshonte strukturën kualifikuese të popullsisë dhe do të ushtronte ndikim të fuqishëm në zhvillimin ekonomik të këtij regjioni.

Sipas disa të dhënave, vetëm në Rrethin e Tropojës fuksionojnë 40 shkolla fillore me 4594 nxënës dhe 7 shkolla të mesme me 1686 nxënës, pa llogaritur numrin e nxënësve që i vijojnë mësimet në shkollat e mesme të Gjakovës.

Megjithë gjendjen e vështirë ekonomike dhe largësinë e vendstudimit nga vendbaniimi, një numër i konsiderueshëm tropojanësh kërkojnë të regjistrohën në Universitetin e Prishtinës, i cili, për mungesë kapacitetesh, nuk do të jetë në gjendje t’i plotësojë të gjitha nevojat e tyre. Prandaj, hapja e një qendre të dytë universitare në Gjakovë do të ishte një ndihmesë e madhe për përfshirjen e të gjithë maturantëve, që i plotësojnë kushtet, në shkollimin e lartë, veçanërisht kur kemi parasysh afërsinë e selive të shkollave të mesme me Gjakovën: Bajram Curri 17 km. deri në kufi, në Qafë Morinë, Tropoja 5 km., Llugaj 17 km., Fierza 31 km., Bytyçi 19 km., Bujani 20 km. dhe Lekbibaj 46 km.

Të përmendim, me këtë rast, se fëmijët kosovarë të cilët dëshironin të shkolloheshin në gjuhën amtare, të ndaluar në Jugosllavinë e Vjetër, kalonin ilegalisht kufirin dhe shkolloheshin në Malësi, shpesh herë me bursa shtetërore që mund t’i shfrytëzonin fëmijët e Malësisë, të Hasit, të Lumës etj. Të gjitha këto kuadro, të shkolluara në Shqipëri, i vunë themelet e arsimit shqip në Kosovë, duke filluar prej vitit 1941e deri në fund të karierës së tyre arsimore.

3. Nevoja për hapjen e një universiteti publik në Gjakovë arsyetohet me orientimet bashkëkohore për decentralizimin e aktiviteteve të ndryshme shoqërore dhe ekonomike, për demetropolizimin e tyre. Prandaj, hapja e një universiteti të dytë publik në Kosovë shtrohet si domosdoshmëri e kohës.

Në Evropën Perëndimore nuk dimë të ekzistojë një universitet publik i tillë i madh për 2 milon banorë si ky i Prishtinës. Në Francë, me sa dimë, ekzistojnë rreth 60 universitete. Madje, edhe shumë kohë para këtij decentralizimi, në Francë kanë ekzistuar universitete të specializuara për disa degë shkencore. Kështu, Universiteti i Eks an Provansë ka qenë i njohur për studimet e gjuhësisë. Në Zvicër është i njohur Universiteti i Mjekësisë në Lozanë, ndërsa ai i shkencave pedagogjike në Friburg. Në SHBA universitetet më të njohura janë jashtë Uashingtonit dhe Njujorkut. Instituti Teknologjik në Masaçusest konsiderohet  institucion më elitist për shumë lëmenj se sa Universiteti i njohur në përmasa ndërkombëtare i Harvardit.

Në Shqipëri, që nga viti 1992, qeveria hapi përnjëherësh pesë qëndra të reja universitare buxhetore në zona të thella, që janë vërtetë metropole regjionale të vendosura idealisht për të mbuluar vise përkatëse gravituese si Shkodra, Elbasani, Vlora, Korça e Gjirokastra. Sot në Shqipëri funksionojnë 7 qëndra universitare, që do të thot një qëndër për 500 mijë banorë.

      Hapja e një universiteti të dytë publik në Kosovë do të krijonte një konkurencë të shëndoshë për përparimin e punës si në lëmin e mësimdhënies ashtu edhe në ate të hulumtimeve shkencore dhe do të shkarkonte Universitetin e Prishtinës nga trysnia që ushtrohet tani nga numri i maturantëve të interesuar për studime universitare.

Një numër i konsiderueshëm i maturantëve që nuk arrijnë të regjistrohën në Universitetin e Prishtinës janë të shtrënguar të orientohën në universitete private. Në këto universitete ngelin të pa regjistruar një pjesë e të rinjve të talentuar, që nuk kanë mundësi t’i përballojnë taksat e larta për studime. Kësisoji, shoqëria e jonë humbë, ndoshta, talente të shumta, të rëndësishme për përparimin e gjithëmbarshëm të saj.

Hapja e një universiteti publik në Rrafshin e Dukagjinit ka rëndësi edhe për ndaljen e migrimit të një pjese të popullsisë drejt Prishtinës. Shumë familje janë të vendosura ose orvatën të vendosen në Prishtinë për shkak të shkollimit të fëmijëve të tyre, sepse shpenzimet e vendosjes dhe të ushqimit për studentët që shkojnë në Prishtinë janë mjaft të larta, ndërsa kapacitetet e konvikteve janë të kufizuara. Në këtë mënyrë do të ndihmohej edhe një proces i rëndësishëm ekonomik dhe shoqëror, ndalja e koncentrimit të popullatës së Kosovës në Prishtinë.

          Çështja e hapjes së universitetit në Gjakovë ka qenë shtruar që në fund të viteve 70 të shekullit të kaluar. Mirëpo, kjo nismë dështoi pas demostratave të 1981-shit, kur Serbia e filloi procesin e rrënimit të arsimit në gjuhën shqipe në përgjithësi dhe e frenoi nismën për hapjen e një universiteti publik në Gjakovë.

4. Pos përparësive hapsinore Gjakova ka edhe arsye të tjera për të qenë qendra e dytë universitare në Kosovë si një qendër me një traditë të gjatë të arsimit shqip në Kosovë që fillon prej gjysmës së parë të shek. XVIII, kur Gjon Nikollë Kazazi përgatiste nxënësit në Gjakovë për t’i dërguar në Itali në studimet teologjike, të cilat i organizonte Selia e Shenjtë, traditë që vazhdoi edhe pas vdekjës së tij.

Që nga viti 1707, kur themelohet Medreseja e Madhe dhe, më vonë, Medreseja e Vogël, Gjakova bëhët qëndër e rëndësishme edukimi dhe arsimimi në frymën fetare dhe kombëtare jo vetëm për Rrafshin e Dukagjinit, të Malësisë, të Hasit e të shumë trevave të tjera, në të cilat nxënësit nuk e dininin gjuhën turqishte. Jo vetëm në medresetë e përmendura, por edhe në shkollat shtetërore turke, mësimet u zhvilluan në gjuhën shqipe, të ndaluar në përdorimin publik nga pushteti sundues osman. Prandaj, në shkollat e përmendura u shkolluan, kryesisht, nxënësit nga shtresat e varfëra fshatare, të cilët nuk e njihnin turqishtën që nuk e flisnin në shtëpitë e tyre. Për këtë arsye këto shkolla ndikuan në përhapjen e arsimit në ato shtresa shoqërore, të cilat, për shkak të rrethanave ekonomiko-shoqërore dhe politika mbizotëruese e pushtuesit osman, ishin plotësisht të përjashtuara nga çfarëdo mundësie për shkollim të mirëfilltë.

Mësimdhënësit e shkollave të përmendura ishin edhe autorë veprash fetare, didaktike dhe atdhetare, disa prej të cilave të shkruara në gjuhën shqipe si “Doktrina e Kështen” e Gj. N. Kazazit, e botuar më 1743, “Emri Vehbije” e Tahir efendi Boshnjakut, e shkruar më 1806, mevlydi i Tahir efendi Llukës, i botuar më 1873 etj.

Mësimdhënësit gjakovarë themeluan shkolla të reja edhe jasht Gjakove si Gj. N. Kazazi në Zym e në Janjevë, Murat Gjakova, drejtor i shkollës fillore “Skenderbeg” në Pejë, më 1915, të cilit iu bashkua Ibrahim Kolçi. Në shkollën tjetër fillore “Haxhi Zeka” në Pejë ishte mësues Ali Hajdar Berisha nga Gjakova. Në Vushtrri shkollën shqipe e drejtonte, më 1915, Abdullah Hadri, në Cërmjan Muharrem Domi, në Drenoc Ibrahim Fehmiu, në Irzniq Latif Shaqiri etj.

Disa syrësh kishin grada të larta shkencore dhe ushtronin funksione të rëndësishme publike, administrative, fetare dhe arsimore. Gjon N. Kazazi ishte doktor i filozofisë e i teologjisë dhe arqipeshkëv i dioqezës së Shkupit. Të tjerë   dhanë mësim në Universitetin “Fatih” në Stamboll (Hasan efendiu, Tahir efendiu, Ali efendiu), në Kajro (Teufik efendiu) etj.

Që të gjithë vepronin në frymën e Rilindjës Kombëtare që kishte për qëllim shqiptarizimin e xhamisë dhe të kishës.

Pas Luftës së Dytë Botërore, në Gjakovë u hap Normalja e parë në gjuhën shqipe, e cila përgatiti mësues për të gjitha viset shqiptare të Jugosllavisë. Më vonë, këtu u hap shkolla e vetme e mesme e gjeodezisë, në të cilën u regjistruan nxënësit më të mirë nga të gjitha viset e Kosovës, ku u përgatitën kuadrot më deficitare në Kosovë. QAMO “Hajdar Dushi” ndihmoi hapjen e disa shkollave të mesme në qytete të Maqedonisë.

Pas plenumit të Brioneve, u hap në Gjakovë, më 1967, Shkolla e Lartë Pedagogjike, institucioni i vetëm i arsimit të lartë në Jugosllavi që i zhvilloi mësimet vetëm në gjuhën shqipe, ndonëse aty studionin edhe studentë nga vise të tjera të ish Jugosllavisë. Për përgatitjen sa më të sukseshme të kuadrove aq të nevojshme për shkollat fillore të Kosovës, SHLP e hapi punktin për studentë me korespondencë në Mitrovicë. Gjithashtu, e mbështeti nismën e pushtetit lokal të Ferizajit  për hapjen e një shkolle të tillë, por, ndërkohë, ata u përcaktuan për hapjen e një shkolle të lartë që do të përgatiste kuadro të nevojshme për industrinë e drurit. E vetëdishme për nevojën e madhe për gjeodetë në Kosovë kjo shkollë e dorëzoi elaboratin për hapjen e grupit të geodezisë, por kjo nisme shumë e qëlluar u refuzua. Vetëm pas shumë deceniesh, pas luftës së fundit të UÇK-së, u hap Fakulteti i gjeodezisë në Prishtinë.

Pas 35 vjetësh pune të suksesshme, kjo shkollë u shndërrua në degë të Fakultetit të Edukimit të Prishtinës me pesë degë profilesh të ndryshme.

5. Gjakova ka një numër të madh kuadrosh universitare, disa nga të cilët ishin themelues të shkollimit të lartë në Kosovë. Një numër i tyre punojnë edhe sot në Universitetin e Prishtinës, që, për fillim, deri sa të stabilizohet universiteti i dytë publik në Gjakovë, mund të jenë bartës të organizimit të mësimit në degët përkatëse.

Pjesa tjetër e pensionuar, punonjës të verifikuar shkencorë, bashkë me dhjetë akademikët e profileve të ndryshme, mund të ndihmonin në organizimin e punës shkencore që do ta afirmonte universitetin e ri në përmasa ndërkombëtare.

Të përmendim se një numër shkencëtarësh të afirmuar gjakovarë në përmasa ndërkombëtare, që jetojnë jashtë Kosovës, janë të gatshëm t’i vejnë aftësitë e tyre krijuese shkencore dhe mësimdhënëse në shërbim të universitetit të ri. Këta, bashkë me akademikët e përmendur dhe me profesorët e pensionuar të Univesitetit të Prishtinës, do të ndihmonin në organizimin e studimeve master dhe të doktoratës në universitetin e dytë publik në Gjakovë.

Të mos harrojmë se vetëm nga Rrethi i Tropojës rreth 52 intelektualë kanë grada shkencore nga të gjitha fushat e jetës dhe kontribuojnë në të gjitha nivelet akademike e shkencore.

Në Fakultetin e Edukimit-Qendra në Gjakovë janë të angazhuar 40 doktorë  dhe 18 magjistra shkencash.

6. Lokali shkollor, sa për fillim të punës, ka në dispozicion dy ndërtesa, e vjetra me 800 m2, ndërsa e reja 1800 m2.

Një truall në pronësi të ish SHLP me një ndërtesë, e cila mund të adaptohet për mësim, është shumë i përshtatshëm për ndërtimin e lokaleve të reja për universitetin e ardhshëm. Eshtë shpallur tenderi për objektin e ri modern prej rreth 6 mijë m2 të Fakultetit të Edukimit.

Nga ana tjetër, sipas planit urbanistik, i cili parasheh zhvillimin afatgjatë të qytetit, gjithashtu, është paraparë edhe ndërtimi i lokaleve të universitetit të ardhshëm, që ka në dispozicion troje të përshtatshme ndërtimore për një qytet të vërtetë universitar të ri.

Të përmendim se studentët për të cilët  nuk do të ketë vend të mjafueshëm  në konvikt kanë mundësi të vendosen në shtëpi private me qëra, dukshëm më të ulëta se qëratë në Prishtinë.

Këtë mungesë e zbutë edhe fakti se vendbanimet që gravitojnë në qendrën e re universitare janë shumë të afërta dhe të lidhura me vija shumë të përshtatshme komunikacioni, kështu që studentët, pa humbur shumë kohë, mund t’i ndjekin ligjëratat rregullisht dhe të kthehen në shtëpitë e veta si nga Rrafshi i Dukagjinit, ashtu edhe studentët nga vise të ndryshme kufitare të këtij rajoni, të cilët tani i ndjekin studimet në Universitetin e Prishtinës

7. Një përparësi tjetër paraqet fakti se shumë afër universitetit të ri, të paraparë me planin urbanistik, ekziston aeroporti i dytë në Kosovë që është një ndihmesë e madhe si për studentët ashtu edhe për profesorët e huaj që, eventualisht, mund të angazhohen për mbarëvajtjen e punës në këtë universitet.

Pos lidhjeve rrugore dhe ajrore, Gjakova, si lokacion qëndror në rajon, ka edhe lidhje hekurudhore, tash për tash vetëm 10 km. afër qytetit, ndërsa në të ardhshmën do ta ketë stasionin e ri të qytetit.

Të përmendim se sot ekziston rruga që lidh viset e Plavë-Gucisë me Shqipërinë që iu mundëson studentëve nga këto vise t’i vijojnë studimet shumë më afër se sa në Prishtinë, ndërsa, pas ndërtimit të rrugës për Plavë nëpër grykën e Kozhnjerit, Gjakova do të jetë shumë afër edhe për këtë rajon.

8. Siç dihet, studentët gjthkund, pos mesimit, janë edhe bartës të veprimtarisë kulturo-zbavitëse dhe sportive. Për këto veprimtari në Gjakovë ekzistojnë, për rrethat tona, kushtae shumë të mira.

a. Për zhvillimin e jetës kulturo-zbavitëse mund të shfrytëzohet Pallati i Kulturës “Asim Vokshi”, një objekt i rallë në Kosovë për këtë lloj veprimtarie, ndërsa

b. për zhvillimin e jetës sportive mund të shfrytëzohet Pallati e Sporteve “Shani Nushi” dhe terrenet e tjera në periferi të qytetit për zhvillimin e sporteve të notit si Drini i Bardhë etj.

9. Për zhvillimin e një veprimtarie të mirëfilltë shkencore si për pedagogët ashtu edhe për studentët, pos bibliotekave të profilizuara që do të fuksiononin pranë njësive të ndryshme akademike, në Gjakovë ekziston biblioteka e qytetit që shfrytëzohet me të madhe nga studentët që studiojnë në Gjakovë dhe jasht saj. Pos kësaj është në ndërtim e sipër edhe ndërtesa e re e bibliotekës, që mund të shndërrohej së shpejti në bibliotekë të dytë universitare në Kosovë.

10. Të theksojmë për fund se hapja e universitetit të dytë publik në Gjakovë do të ndikonte në përmirësimin e kualitetit të mësimit te nxënësit e aftë të  shkollave të mesme të rajonit gravitues në Gjakovë, të cilët, për shkak të pamundësisë ekonomike për vazhdimin e studimeve, e kanë humbur motivin kryesor për angazhim të mirëfilltë në mësime. Në një sondazh që organizoi Shoqata e Intelektualëve ”Jakova”, nëpërmjet të një pyetsori, me maturantët e nëntë qendrave të shkollave të mesme të Komunës së Gjakovës  dhe të tri shkollave të mesme të Malësisë së Gjakovës në Shqipëri ( në Tropojë, në Bajram Curr dhe në Fierzë) lidhur me ambiciet e tyre për shkollim universitar (fakultetet që preferojnë, mundësitë materiale për studime etj.), në pyetjën e dhjetë se a mendoni se Gjakova duhet të ketë Universitet Publik, 100% e të anketuarëve në Komunën e Gjakovës janë përgjegjur se Gjakova falë pozitës gjeografike, duhet ta ketë një universitet të tillë, i cili do të përfshinte një numër sa më të madh maturantësh të varfër, të aftë dhe të etshëm për shkollim universitar. Po këtë mendim kanë edhe 96% e të anketuarëve të të tri shkollave të Malësisë, ndërsa 4% e tyre kanë shprehur dëshirën për të studiuar në Tiranë dhe në qendra te tjera. Në pyetjën vijuese se a do të ndikonte në kualitetin e mësimeve në shkollat e mesme hapja e Universitetit Publik në Gjakovë, që të gjithë të anketuarit, gjithsejt 1097, janë përgjigjur pozitivisht me arsyetim se kjo do të ngjallte shpresat për të siguruar një ardhmëri të lumtur dhe të sigurt  për të rinjt.

         Prandaj, hapja e universitetit publik në Gjakovë është në interes të Kosovës dhe në interes kombëtar në përgjithësi.

Hapja e universitetit publik është në përputhje me trendet bashkëkohore të marrëdhënieve sa më të dendura të popullsisë ndërkufitare në fushën ekonomike, kulturore, arsimore, sportive etj. Kjo do t’ua kthente dinjitetin e dikurshëm qytetarëve të të gjitha vendbanimeve gravituese në rajonin e Gjakovës, do t’ ua shtonte shpresën për mundësite e jetës në vendlindjen e tyre,  do të krijonte kushte optimale për aftësimin e rinisë për punë të dinjitetshme në tregun ndërkombëtar të punës.