Thursday, April 11, 2024
Gjakova Presss

Hit përditshmëria, 50 cent për një kafe…

kafjaDerisa bashkëmoshatarët evropian dhe të botës së zhvilluar “qajnë hallet” për arritjet e vazhdueshme në biznes e jetë, të rinjtë tanë , në pamundësi të gjetjes së një vendi të punës mjaftohen me jetën që kalojnë me 50 cent ditën, duke u “kënaqur” me kafe-llafe e duke krijuar shkëndija ndezëse me familjen dhe rrethin me gjendje të rëndë sociale. Kjo vlen për pjesën dërmuese të popullatës, të familjeve që mezi lidhin fillimin me fundin e muajit duke u kënaqur me kërkesat elementare të mbijetese, dhe  jo edhe për një shtresë që nuk I ka hallet e 50 centëve!!!

Do të bëhet mirë…

Përditshmëria jonë nga viti në vit ngarkohet. Zhvillimi tejet I ulët ekonomik, për të mos thënë “vendnumëro” dhe pamundësia e  hapjes së vendeve të reja të punës për armatën e tërë të shkollarëve që tash edhe me nga dy fakultete e me mastere nuk arrijnë të punësohen, flet më së miri për perspektivën e brezit të ri për një të ardhme më të mirë. Shpresat për ditë më të mira po I bartin brez pas brezi…Vetëm tri dekadat e fundit flasin për jetën me shpresa për ditë më të mirë. Kur pushteti okupues serb na ngulfaste me padrejtësi e na nxirrte nga puna kur të donte thoshim: Shpresa na mban… Kur fituam lirinë me gjak dhe u bëmë të Zotët e tokës sonë, thoshim do të kalojnë disa vjet e do të bëhet mirë… Kur kaluan më shumë se 15 vjet, prapë po themi , do të bëhet mirë…

Për një vend pune në shkolla 100 aplikues!!!

Në kohën kur fabrikat  si nocion apo emër e kanë humbur edhe kuptimin duke I takuar të kaluarës, në pritje të formave të reja të zhvillimit ekonomik me bizneset e vogla dhe të mesme si perspektivë, të rinjtë tanë presin konkurse që më së shumti hapin institucionet arsimore. Konkurset e shpallura për mësimdhënës të rinj në këtë vit shkollor kanë krijuar aq shumë tollovi nga aplikuesit e të gjitha moshave, nëpër hapësirat e Drejtorisë Komunale të Arsimit. Për një vend pune 50, 60 apo ndoshta edhe njëqind kandidat!!!. Një pranohet 99 të tjerë dëshpërohen…. Një gjendje tejet e rëndë shpirtërore për aplikuesin, familjen, rrethin,  por kjo duhet të jetë shqetësuese edhe për mbarë shoqërinë…

Të rinj me Fakultete të kryera bile edhe me master bredhin rrugëve ose për të siguruar kafshatën e gojës dhe për të mos mbetur me dekada nën barrën e familjes “së lodhur ekonomikisht” mjaftohen për ta djerrë kohën me 50 cent në ditë a mbrëmje për një kafe!. Edhe ky 50 centëshi ka bishtin prapa. Skuq prindërit por edhe veten. Prindërit,  sepse zihen ngushtë që fëmisë nuk arrijnë gjithnjë t’ia sigurojnë një kafe në ditë, dhe fakultetliut që nuk po gjen forma si të gjejë një vend pune…

Nëpër biseda kur qajnë hallet mes vete na ka rënë shpesh të dëgjojmë: “Me sa mund e sakrificë shkollova fëmijët për t’iu parë hajrin dikur, e ata bredhin rrugëve… Nuk ke ku të trokasësh në derë… Nuk të hap kush derën… të gjithë ankohen se janë në krizë…”

Anomalitë e kohës! 

Kur papunësia godet familjet tona vijnë edhe anomalitë e kohës. Një taksist më tha se : Më ka ndodhur që grupe të rinjsh kur shfrytëzojnë shërbimet e taksisë më lusin të ngutem. Kur I pyes çfarë pune keni. Më thonë kemi një takim për kafe në filan e filan vend, ngutu, ngutu…! Të gjithë “të zënë me punë” me pi kafe 50 cent !

Dëshirojnë vende pune vetëm në zyra!!!

Shkolla e mesme teknike në Gjakovë nuk ka nxënës të mjaftueshëm në këtë vit shkollor anipse ka drejtime dhe profesione që kurrë nuk të lënë në baltë. Të japin aq dije e “zanat” sa mundë të jetosh. Janë profesione të rrobaqepësisë, elektros, makinerisë , ndërtimtarisë, informatikës, dizajnit… Me shkollë të mesme bëhesh zanatli. Të vjetrit nuk kanë thënë kot, “Merre një zanat dhe varre në çomlek”. Pra  merre një zanat se herëdokurdo të gjendet në jetë. Me punën tënde mundë të mos I kërkosh kujt të qeras me një kafe 50 cent!!! Të tilla zanate ofron shkolla teknike, por të rinjtë dëshirojnë vetëm zanate që të qojnë në ordinance mjekësore, banka, zyra, administratë….Sa fabrika , banka e spitale po hapen e do të hapen  për të pranuar kaq shumë të rinj!?.

Në Evropë kanë përvojë më të madhe se sa ne në Kosovë. Me kohë I orientojnë nxënësit nëpër fusha ku ata kanë më shumë aftësi. Tek ne nuk po ndodhë kështu!!! Tek ne edhe fakultetet janë plot student që i kryejnë studimet dhe presin të kaloi KRIZA EKONOMIKE…

E derisa të zgjasë kjo gjendje, hit përditshmëria, jonë e ka emrin 50 cent  për një kafe… të nesërmen përsëri e njëjta këngë… i njëjti dialog:

  • A i ke 50 cent ta pijë një kafe me shoqërinë…?
  • Jo, dil e gjej punë!

 (z.v. Gjakovapress Nr. 73)