Wednesday, June 5, 2024
Lajme

Humanizëm permes babadimrit

baba dimri

Babadimri do të vije sivjet në Kosovë … dhe atë me qëllime shumë humane. Kështu të paktën kanë premtuar një grup të rinjsh nga qytete të ndryshme të Kosovës, të cilët këto ditë e kanë nisur një iniciativë mjaft interesante. Me moton e fushatës “Babadimri ekziston”, këta të rinj kanë filluar të grumbullojnë para, ushqime, veshmbathje e gjësende tjera, të cilat do tu dërgohen si dhuratë fëmijëve me nevoja të veçanta, fëmijëve në repartin e pediatrisë, si dhe familjeve me kushte të rënda ekonomike.

Iniciativa është tërësisht në baza vullnetare dhe iniciativë ku mund të bashkohet secili banor i Kosovës me vullnetin e mirë. Këtë të rinj, njerëz të vullnetit të mirë, thonë se kanë marrë një iniciativë të tillë me të vetmen arsye që t’ju ndihmojnë fëmijëve në nevojë.

“Do të jenë dhurata me lodra dhe ëmbëlsira, e sipas mundësive financiare do të provojmë të ketë në to edhe rroba”, thotë Valoni, njëri nga iniciatorët e kësaj fushate. Sipas tij, iniciativa të tilla organizohen mjaft nga qytetarët në vende të ndryshme të Evropës dhe më tej, me qëllimin e vetëm që përveç gëzimit që u sjellin dhuratat, në të njëjtën kohë qytetarët nxiten që të mos e harrojnë të qenit human ndaj njerëzve të cilët ua kanë nevojën ndihmës së tyre.

E kësaj iniciative që për vetëm pak ditë ka filluar të shohë sukseset e para, i janë bashkangjitur shumë të rinj nga qytete të ndryshme të Kosovës, të cilët apelojnë për humanitet gjatë këtyre ditëve të fushatës. “Të kursesh 1 euro, apo diçka më shumë, do të thotë mjaftë për këta fëmijë. Dhe e gjitha çfarë secili nga ne mund të bëjmë është të gjejë pak kohë dhe të kursejë pak para që ti gëzojmë këta fëmijë, të cilët ndodh që Vitin e Ri e shohin dhe e festojnë vetëm nga zhurmat e mjeteve piroteknike që të tjerët i gjuajnë”, thotë Ajetja, një tjetër ideatorë e “Babadimri Ekziston”.

Grupi i qytetarëve që kanë ndërmarrë iniciativën “Babadimri ekziston” pret përkrahjen e qytetarëve vullnet mirë, duke dhënë kontributin gjithsecili përmes xhirollogarisë: 1902424927321162 BKT, shkruaj me mesazh “PER BABADIMRIN”, përfaqësues i autorizuar Valentin Muharremi. Shuma e mbledhur dhe lista e personave që do të kontribuojnë do të publikohet në faqen e FB dhe në mediet që po e mbështesin projektin.

Poashtu, secila kompani, organizate, institut – do te përmendet dhe falënderohet për kontributin e tyre.

Sipas organizatorëve, numri i fëmijëve që do të përfitojnë nga ky akt solidar do të jetë në varësi të sasisë së ndihmave të grumbulluara. Fushata e grumbullimit është e hapur deri me datën 24 dhjetor