Hyri Vera me vapë 35 gradë
Gjakova po kalon ditë me vapë që po shoqërohen me temperatura të larta deri në 35 gradë celciuz. Stina e verës ka hyrë vrullshëm, kjo për faktin se vetëm disa ditë më parë kishim stinën e Vjeshtës me reshje të shumta, stuhi e breshër dhe me temperatura maksimale deri në 19 gradë celciuz!
Të moshuarit thonë se kjo është vera dhe se më mirë vapë sesa shi e borë!!!. Në fakt sot në orën 7 e 4 minuta, në pjesën veriore të rruzullit tokësor kemi hyrë në stinën e verës edhe sipas kalendarit. Vera do të ketë 93 ditë dhe do të përfundojë më 22 shtator, në orën 22 e 44 minuta, kur do të fillojë stina e vjeshtës.
Dita e sotme ishte më e gjata sivjet dhe zgjat 15 orë e 14 minuta, kurse nata do të jetë më e shkurtra dhe zgjat 8 orë e 46 minuta. Në të njëjtën kohë, pjesa jugore e rruzullit ka hyrë në stinën e dimrit.