Thursday, September 5, 2024
Intervista

Hysen Binaku: I rritur me skenën

Shkruan:  Hajrullah Hana

Në 60 vjetorin e daljes në skenë  të doajenit të artit teatror Hysen Binaku, me 24 Tetor në një ceremoni solemne  Drejtoria Komunale për Kulturë, Rini dhe Sport e Gjakovës  i ka ndarë mirënjohje për punën e deritashme. Drejtoresha e kësaj drejtorie Saranda Hyseni  ka falënderuar aktorin Binaku për  emocionet që u ka dhënë qytetarëve të Gjakovës  me rolet e tij ndër vite.          

 “Vitet janë numra të padukshëm në Skenë. Është fryma dhe fjala artistike që lënë gjurmë që nuk i fshin as koha. Skena e Teatrit shqiptar ka shenja me emrin tënd Hysen Binaku” – këto fjalë janë të shënuara në mirënjohjen që ndau drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport, Saranda Hyseni për aktorin që i dha shumë artit skenik.

Hysen Binaku është një nga aktorët  që më së shumti ka qëndruar në dërrasat e teatrit të Gjakovës, njëherë si amator e më pas edhe si aktor profesionist. Për vitet e karrierës së tij, ai ka luajtur në shumë shfaqje me motive të ndryshme. Por famën më të madhe e ka marrë me komedinë “Shoku Gaf”, shfaqje  që ka pasur  mbi 200 repriza dhe  për  rreth dhjetë vite ka qëndruar në skenën e teatrit të Gjakovës dhe teatrove tjera.

 

Kush është aktori i teatrit dhe filmit Hysen Binaku?

I lindur në Gjakovë (1944), ku kreu edhe shkollimin, nga fillorja, e mesmja (normale), deri te Shkolla e Lartë Pedagogjike – dega  Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, në vendlindje. Ndërsa më vonë regjistroi edhe SHLP/ grupi dramatik në Prishtinë në klasën e prof.Faruk Begolli.

Si lindi dashuria për artin skenik apo nga janë gjurmët për këtë lloj arti?

Po të dëshironim të kërkonim gjurmët e talentit të një krijuesi, do të duhej më parë të hulumtojmë në  rrethin familjar. Kështu me rastin tim për shembull marr nënë time, e cila në treg blinte kukulla të ndryshme të zhveshura. Këto, pas pastrimit , i vishte me petka të ndryshme, nga të cilat dallohej një kolorit ngjyrash sipas kohës dhe modeleve. Kjo te unë la mbresa të jashtëzakonshme dhe nga këtu filloi imagjinata ime për artin. Për të m’u plotësua kjo dëshirë edhe më shumë, në klasën e pestë të shkollës fillore, mësimdhënësi i gjuhës frënge Hilmi Kryeziu (i ndjerë) më zgjodhi në grupin dramatik të shkollës, ku përgatiste  pjesën dramatike për fëmijë “MAÇOKU ME  ÇIZME” (viti 1957/58). Mua më dhanë rolin e përcjellësit të mbretit (maçokun e luante A.Gaxha ndërsa mbretin N.Valla), ky ishte kontakti im i parë me skenën dhe publikun, me ç’rast pata mbresa të thella dhe të pashlyera (para gjashtë dekadash). Kaluan disa vite deri në momentin e angazhimit tim në grupin dramatik, në shkollë të mesme. Mirëpo, nuk më shpëtonte asnjë shfaqje e luajtur nga Teatri Amator i Qytetit, pa e shikuar. Kështu më angazhuan në shfaqjen për fëmijë “KËSULKUQJA”, komeditë “NUK MARTOHEM ME PARE”, “RRENACAKU” , role në këto shfaqje që thelluan gjithnjë e më tepër dashurinë për artin skenik, dhe bënë jehonë edhe në qytet,  sepse shfaqeshin edhe për publikun e gjerë, jo vetëm në shkollë. Gjatë vijimit të shkollës normale regjisori prof. Gani Jetishi më angazhoi në komedinë “MIRANDOLINA”. Pas kësaj pasoj angazhimi im nga regjisori i talentuar Hajrullah Zherka në shfaqjen “TOPI I LARËM”, ku bashkë me mua u dalluan edhe A.Gojani dhe J.Rudi, shfaqja pati sukses dhe u reprizua disa herë.

Nga këtu angazhimi Juaj në teatër nuk pati të ndalur?

Po pastaj u angazhova pandërprerë në teatrin amator “Emin Duraku”. (Të përmendi edhe këtë se në një premierën e shfaqjes “MIRANDOLINA” kishte qenë i ftuar edhe aktori-doajeni i skenës kosovare Shani Pallaska. Pas shfaqjes , nuk mungoj vlerësimi për aktrimin dhe, kështu i ndjeri më propozoi që të regjistrohem në Akademinë e Arteve në Beograd). Ky propozim i aktorit Sh. Pallaska ndikoi që unë edhe më shumë ta forcoj bindjen për angazhim serioz më të madh në artin skenik. Kështu vijuan angazhimet e mia në teatrin amator, “E. Duraku” i cili në vitet ‘67/76 ishte teatri më i përzgjedhur dhe i kërkuar në mbarë Kosovën dhe qytetit dhe individëve (aktorë e regjisor u solli shumë çmime, duke u vlerësuar shumë edhe nga kritika. Me këtë ekip amator ka marrë pjesë në shumë festivale të ish-Jugosllavisë  e republikan dhe federativ).

Me pjesëmarrjen tuaj në këto festivale edhe jeni vlerësua me çmime të ndryshme?

Dy herë në Kullë (qytezë e Vojvodinës) jam vlerësuar me çmimin e publikut nga juria profesionale. Pastaj mirënjohje në ishullin Hvar (Kroaci), dhe poashtu në Trebinje(Bosnje Hercegovinë), për rolin e shfaqjes “AGU”,Ferizaj  për rolin më të mirë të mashkullit …nuk kanë munguar shfaqja e këtij teatri amator vetëm në Kosovë por edhe jashtë si: Shqipëri, Maqedoni, Malin e Zi…

Po me themelimin e teatrit profesionist ?

Me vitin 1977, u themelua Teatri Profesionist. Unë në vitin 1975/76 u regjistrova në SHLP – dega e aktrimit, në klasën  e prof. Faruk Begollit. Ndoqa vitin e parë, pastaj në të dytin (për shkaqe familjare) u detyrova t’i ndërpresë ligjëratat, për t’i vijuar më vonë deri në diplomim. (Kam pasur përkrahje të madhe edhe nga drejtori i atëhershëm i SHLP-së, prof. Ramiz Kelmendi i ndjerë). Me themelimin e Teatrit Profesionist (1977), juria më pranoi si aktor. Nga shfaqja e parë “FISHEKU NË PAJË” , kur nisa veprimtarinë profesionist, e deri në vitin 2010, kur u pensionava, isha bartës në role kryesore, duke punuar me regjisorë të  mirënjohur si Muharrem Qena, Esat Oktrova, Serafin Fanko, Atdhe Gashi, Selami Taraku, Gëzim Kame, Ekrem Kryeziu, Fadil Hysa, Agim Sopi, Sadedin Prekazi, Milto Kutali, Agim Selimi, e shumë të tjerë. Ku radhiten 150 role, nga të cilat mund të veçohet roli në komedinë “SHOKU GAF”, e cila qëndroi në repertor mbi 10 vite dhe u shfaq mbi 200 herë, duke u bërë shfaqja më reprizuar pas “ERVEHESË”.  (Kështu kritiku i teatrit Musa Ramadani në një rubrikë të gazetës “Rilindja (Satirikoni) “ shkruante:”se “ERVEHEJA” është shfaqja më e luajtur, nuk kam besuar ’GAFI’ i lyhet prapa”.  Gjatë punës-aktrimit në këtë teatër u dallua edhe në shfaqjen, “JASHTË BIE BORË” të regjisorit Gëzim Kame. Ishte mysafir  në shfaqje të Teatrit Profesionist “Istref Begolli” në Pejë, dhe atë, në role kryesore. Në vitin 2007, u nderova me çmimin “Aktor i vitit”, ndërsa në vitin 2012 me çmimin për vepër  jetësore nga MKRS, si dhe me 2014 nga Kuvendi Komunal i Gjakovës………..

(Shkrimin e plotë mundë ta lexoni në Revisten Gjakovapress nr. 120)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *