Thursday, April 11, 2024
AktualeLajme

I jepet lamtumira e fundit komandant Avdullah Babalisë

qvdulla babalia

Me rastin e humbjes së papritur të jetës nga një sulm në zemër të kolonel Avdullah Babalija, komandant i Brigadës “137 Gjakova”, në Pallatin e Kulturës “Asim Vokshi” është organizuar mbledhje komemorative ku morën pjesë shumë bashkëluftëtarë, përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, qytetarë e mysafirë të tjerë.

Ish bashkëluftëtari Agron Kryeziu, në fjalën e tij nekrologjike për humbjen e bashkëluftëtarit dhe mikut, Avdullah Babalija, theksoi me pikëllim se: “ I përballoi shumë beteja, i përfundoi me sukses deri në fund. Nuk u ndal asnjëherë as në liri. Vazhdimisht ishte afër bashkëluftëtarëve, veteranëve e invalidëve, familjeve të dëshmorëve e martirëve. Për çdo problem, dera ishte e hapur te Avdullahu. I papërtuar, i respektueshëm, i butë, me mirësjellje të veçantë, ai ishte i gatshëm tu dilte në ndihmë të gjithëve”.

avdulla babalia komemoracionGjeneral Daut Haradinaj, me pikëllim të thellë është shprehur se: “Gjëja e fundit që do të më kishte shkuar ndër mend ta mendoja, ishte se unë do të flisja në një komemoracion për Avdullahun. Ai i ka bërë nder Gjakovës, Dukagjinit e Kosovës, dhe si i tillë, si njeri i madh siç ka qenë në luftë, siç ka qenë edhe pasluftës në të gjitha angazhimet e tij, edhe populli i Kosovës, Dukagjinit e Gjakovës po e nderon, po e respekton sot në këtë ditë. Avdullahu na la shpejtë. Kjo nuk është një humbje vetëm për familjen dhe bashkëluftëtarët, por kjo është një humbje e madhe edhe për Gjakovën, Dukagjinin e tërë kombin shqiptar”.

Haradinaj ka kujtuar Babalinë si një luftëtarë të denjë, të guximshëm dhe të zot, të cilit iu dëgjua krisma e lirisë anekënd Dukagjinit.
“Avdullah Bablija ka qenë burrë dhe njeri i madh jo vetëm i Gjakovës por i Dukagjinit dhe i tërë i Kosovës”,  u shpreh i emocionuar Deputeti i Parlamentit të Kosovës dhe njëherit bashkëluftëtari i tij Daut Haradinaj.

avdulla babalia komemoracion 1Kryetarja e Komunës, Mimoza Kusari Lila, përmes një letre ka ngushëlluar familjarët, miqtë dhe bashkëluftëtarët.

“Sot, ne humbën një komandant me vlera të jashtëzakonshme. Një kolonel që e udhëhoqi luftën dhe u mundua të ngadhënjejë në paqe. Familja Babalija humbi anëtarin më të çmuar, kurse Gjakova nuk humbi vetëm një emër, sepse emri i komandantit do të skalitet në rreshtat e artë të historisë më të re të Gjakovës”.

Në emër të familjes Babalia, në mbledhjen komemorative te pranishmëve, iu është drejtuar nipi, Dardan Dobruna.

Trupi i pajetë i komandantit të UÇK-së, Abvdullah Babalia është ekspozuar në foajenë e Pallatit të Kulturës, ku janë bërë homazhe nga shumë bashkëqytetarë.

avdulla babalia komemoracion finalVarrimi i kolonelit Avdullah Babalija u bë sot me nderime të larta ushtarake nga pjesëtarët e FSK-së si dhe me pjesëmarrjen e  mijëra qytetarëve nga Gjakova e mbarë Kosova dhe Shqipëria.

Të pranishmëve me këtë rast në kompleksin e varrezave të dëshmorëve të UÇK-së, iu drejtua me një fjalë rasti ish-komandanti UÇK-së, në Zonën Operative të Dukagjinit dhe kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai duke folur për veprën dhe figurën ushtarake të komandantit Babalija, pos tjerash tha se: Komandant Babalija, i takon komandantëve me vlera të mëdha që punoi për kombin.  Ai ishte luftëtarë i nivelit të lartë që udhëhoqi projekte me peshë për kombin tonë.

“Ai i takon luftëtarëve shqiptarë të nivelit të lartë, komandantëve, atyre që kanë udhëhequr projekte me peshë për kombin, edhe pse këto vite pas luftës nuk kemi mujt jo sa duhet por sa ka qenë detyrë e jona për me zbardh këtë të vërtetë e me u dit kjo e vërtetë, historia do ta bëjë këtë. Avdullah Babalija i takon luftëtarëve që në kombin tonë do të renditen lartë. Ndarja e tij ishte e papritur, e dhimbshme, e vështirë”, tha ai.

Abdullahu u nda fizikisht nga ne në kohën kur i duhej, po aq shumë, sa në vitet e vështira e vendimtare të luftës, shoqërisë, vendit dhe Gjakovës, të cilën aq shumë e deshi e për të cilën asnjëherë s’u kursye.

Do ta kujtojmë përherë me respekt rolin dhe angazhimin e tij të palëkundur, në kohën e luftës, si komandant i Brigadës 137 “Gjakova” të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si brigada e parë dhe e vetme urbane e luftës sonë për liri, punën dhe përkushtimin e tij të lartë si zv/komandant i Zonës së Tretë Mbrojtëse të Trupave Mbrojtëse të Kosovës, pas çlirimit dhe angazhimin, në të gjitha format, në të mirë të qytetit të Gjakovës dhe vendit tonë, në përgjegjësitë tjera të shumta të derisotme”, tha Ramush Haradinaj.

Ndërkaq, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e kolonel Avdullah Babalisë, sonte, do të ndezën qirinj nga bashkëluftëtarët dhe qytetarët, në qendër të qytetit në Gjakovë, tek lapidari “Shokët e lirisë” në orën 20.