Uliks Bicurrit I jepet lamtumira e fundit
Bashkëluftëtarë, shokë, familjarë, bashkëpunëtorë e qytetarë të shumtë, të martën kanë marrë pjesë në varrimin e Uliks Bicurrit, ish pjesëtarit të Brigadës 137 Gjakova të UÇK-së, i cili ndërroi jetë dje tragjikisht derisa po punonte në një shtyllë elektrike si punëtor i KEDS- it.
Paraprakisht përfaqësues të brigadës “137 Gjakova” organizuan mbledhje komemorative, ku mes tjerash u kujtua vepra dhe puna e të ndjerit.
Ndërkaq, kryetarja e komunës, Mimoza Kusari Lila tha se me Uliksin po ndahen vetëm fizikisht sepse ata që kontribuojnë për atdheun nuk ndahen përjetësisht nga të gjallët.
Për ta respektuar dhe vlerësuar punën e Uliksit, i pranishëm në homazhe ishte edhe ish-komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit të UÇK-së Ramush Haradinaj, i cili tha se njerëzit si Uliksi, të cilët e japin jetën për liri janë të rrallë.
Kurse familjari i Uliksit, Besian Bicurri, tha se Gjakova humbi një emër, i cili do të skalitet në rreshta të artë.
Ndërkohë në librin e zisë të hapur në foajenë e pallatit të kulturës në Gjakovë qytetarët patën rastin të lënë mesazhin e fundit për Uliks Bicurrin
Homazhe pranë trupit të pajetë, i cili ishte i vendosur në foajenë e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” në Gjakovë, kanë bërë zyrtarë të komunës së Gjakovës, pastaj bashkëluftëtarë, me të cilët ndau ditët e luftës vet Uliksi, shokë, familjarë, bashkëpunëtorë të distriktit të KEDS-it në Gjakovë e qytetarë të shumtë.