Intervista : Vlera Pylla- aktore
Themelet e forta që i vunë amatorët e më pastaj ngritjen e shtëpisë së madhe të Teatrit Profesionist të Gjakovës që bënë aktorët e mëdhenj duke lënë gjurmë në artin skenik shqiptar , sot po e vazhdojnë brezi i ri i aktorëve nga qyteti i Gjakovës. Të lindur me talentin dhe dashurinë për skenën e të kalitur nëpër skena profesioniste në teatër dhe film, ky brez i ri i aktorëve gjakovarë po rrugëton guximshëm drejtë sukseseve. Mes aktorëve të këtij brezi, është edhe 25 vjeçarja Vlera Pylla e cila më 2015 u diplomua në gradën Bachelor për aktrim në Universitetin e Arteve në Tiranë . Rrugëtimin e saj profesional e ka nisur në teatrin eksperimental të Tiranës, për të vazhduar në skenën e Durrësit, Prishtinës dhe për të lënë mbresa edhe në skenën e Teatrit të Gjakovës, ndërsa këtë vit, në Festivalin e teatrove në Ferizaj mori çmimin për rolin e Beatriçes në shfaqjen “Shumë zhurmë për asgjë”.
Për Vlera Pyllen, shfaqja “Martir” e Mayenburg nën regjinë e Fatos Berishës mbetet roli, shfaqja dhe procesi më i dashur prej gjithë angazhimeve të deritashme.
- Tradita e Teatrit të Gjakovës është e gjatë. Brezi juaj i ri i aktorëve, ku bënë pjesë ti, vazhdoni të kultivoni këtë traditë. Çka do të thotë kjo për ty?
Për mua është një përgjegjësi, sepse kjo traditë duhet të mbahet dhe të vazhdohet së bashku me kolegët e mi.
- A do të thotë kjo se dashurinë për teatrin dhe filmin e keni marrë nga qyteti i lindjes?
Duke qenë se jam rritur në këtë qytet do të thotë se këtu edhe jam zhvilluar personalisht dhe artistikisht. Gjithë dashurinë për art dhe për gjithçka tjetër e kam marrë nga qyteti ku kam jetuar.
- Sipas mendimit tënd, çka është ajo që e intrigon një të ri të merret me artin skenik?
Besoj se dëshira për t’u marrë me artin skenik buron te ata njerëz që ndjejnë nevojën për t’u shprehur më shumë se vetëm me anë të fjalës. Aty pastaj vjen në shprehje performanca fizike e cila ku tjetër se vetëm në skenë mund të marrë kuptim të plotë artistik.
- Në fakt, për t ju njohur më mirë lexuesit, na thoni kush është Vlera Pylla?
Kam lindur në Gjakovë më 14.06.1994 ku kam kryer shkollimin fillor dhe të mesëm në Gjimnazin Hajdar Dushi. Në vitet 2012-2015 u diplomova në gradën Bachelor për aktrim në Universitetin e Arteve në Tiranë. Më 2015- (në proces) Master Scinetific i arteve të bukura diploma master për aktrim në Universitetin e Arteve, Tiranë. Kam përfunduar trajnime dhe Workshop për Commedia dell’arte, me Enrico Bonavera. Në periudhën Shtator 2014 – Nëntor 2014, Student AIESEC Exchange në Poloni.
- Pse e dashuruat profesionin e aktores?
Kjo është një pyetje që më është bërë shumë shpesh. Asnjëherë nuk kam pasur një përgjigje të gatshme për shkak se ky profesion është shumë shpirtëror dhe ka lindur si një pasion i fshehur të cilit nuk kam ditur t’i jap emër shumë gjatë. Di vetëm se që nga shkolla fillore kur kam lexuar libra ose qoftë vetëm një poezi, kam pasur tendencë t’i lexoj me zë të lartë në dhomën time duke parafytyruar personazhet dhe skenat në imagjinatën time. Ndoshta këto ishin thirrjet e para për t’iu qasur pasionit tim për artin.
- Kush mbetet idoli juaj në artin skenik që si fëmijë keni dashur ti ngjasoni?
Si fëmijë nuk kam pasur ndonjë idol në fushën time profesionale por më vonë duke u thelluar profesionalisht, kam krijuar idhuj të shumtë, krijimet e të cilëve më kanë bërë të dua t’iu ngjaj. Idhulli më i madh gjithmonë mbetet Meryl Streep.
- Shfaqja parë publike që keni shfaqur talentin tuaj?
Mendoj se talenti dhe puna ime kane filluar të shfaqen gjatë shkollimit në fakultetin e arteve, përkatësisht në vitin e dytë kur filluan provimet e para.
- Si filloi rrugëtimi juaj profesional?
Në vitin 2015, pas diplomimit të bachelorit, me shfaqjen “Pulëbardha” të Anton Çehovit, në Teatrin Kombëtar Eksperimental, menjëherë kam vazhduar aktivitetin tim si aktore në atë teatër, si fillim me shfaqjen “Familja Adams” e cila pati 25 repriza dhe më pas edhe me role të tjera po në të njëjtin Teatër.
- Si iu eci shkollimi profesional në Tiranë?
5 vitet e shkollimit profesional në Tiranë i kam kaluar duke punuar për të zhvilluar aftësitë e mija si aktore profesioniste. Në fillim, si 18 vjeçare u përballa me shumë ndryshime të jetesës apo edhe të mendësisë duke u munduar të përshtatem me ambientin e atjeshëm dhe me detyrat shkollore. Më pas, kur rriteshin ëndrrat, shtohej puna dhe ambiciet për t’i mbërritur ato. Kam dhënë maksimumin tim si studente duke ditur që përpjekjet e mija studentore do të jenë vulë për arritjet profesionale më tutje.
- Si ju ka pritur publiku i Tiranës në shfaqjet e para?
Gjithë puna e aktorit bëhet për duartrokitjet e publikut. Përderisa ka publikë, aktori është gjithmonë dhe gjithkund i përmbushur. Veçantia e përballjeve të para me publikun e Tiranës ka qenë se unë mundohesha që me rolet e mija të prekja mendjen dhe shpirtrat e tyre duke krijuar një figurë artistike dhe të mos përflitesha për gjëra sipërfaqësore siç mund të ishte një e folme ndryshe nga kolegët e mijë nga Shqipëria. Këtë gjë besoj e kam arritur sepse në fund të çdo shfaqje njerëzit asnjëherë nuk më kanë bërë një pyetje të tillë por më kanë falënderuar për emocionet apo kënaqësinë që iu ka dhuruar roli dhe shfaqja.
- Publiku gjakovar mirëpriti brezin e ri të aktorëve të cilit i takon edhe ti. Çfarë emocionesh kishit në shfaqjen e parë në skenën e Teatrit të Gjakovës? (cila shfaqje ishte dhe çka ju ka lënë përshtypje)
Këto ishin emocione krejt ndryshe nga ato në skenën teatrore në Tiranë. Nuk e prisja, por shfaqja e parë si profesioniste në Teatrin e Gjakovës më ka dhënë emocionet më të mëdha si aktore. Ishte njësoj sikur kisha dalë për herë të parë në skenë. Mendimi se të afërmit, shoqëria dhe kolegët artist në Kosovë po më shikonin për herë të parë në skenë, më ka dhënë përgjegjësi dhe emocione të papërshkrueshme. Aq më tepër që edhe roli në atë shfaqje ishte sfidë e vështirë për mua për shkak të kompleksitetit të tij. Më duhet të cek se ishte shfaqja “Martir” e autorit gjerman Marius Von Mayenburg nën regjinë e Fatos Berishës që mbetet roli, shfaqja dhe procesi më i dashur për mua prej gjithë angazhimeve të mija deri më tani.
Ndryshe, vetëm në Teatrin e Gjakovës kam interpretuar në 6 shfaqje . E kam nisur me shfaqjen Martir me rolin Erica White , “Zëra pas skene” Roli: Belinda Blair / Flavia Brent, “Let’s Have Sex” , Roli: Gruaja , “Ditari i Ana Frankut” , Roli: Margot Frank, pastaj më 2019 kam interpretuar në shfaqjen “Fizikanet” – Friedrich Durrenmatt, me rolin Moter Monika (infermiere), “Shumë zhurmë për asgjë”- William Shakespeare me rolin Beatriçe. Ndërkaq vitin e kaluar kam interpretuar në Teatrin Kombëtar të Kosovës në shfaqjen : “Kopshti i Vishnjeve” nga Anton Chekhov me regji: Ilir BOKSHI dhe me rolin : Avdotja Fjodorovna – Dunjasha….(Intrevista e plotë në numrin festiv të Revistes Gjakovapress 133)