Friday, March 29, 2024
Intervista

Ismet Peja: Një jetë me këngën

ismet-peja-003-rtk-500

 

Në muajin prill 2012 mbush 75 vjet jete dhe plot 60 vjet të karrierës së bujshme  të këngëtarit Ismet Peja. Ismet Peja është këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind në Gjakovë më 27 prill 1937. Me një spektakël të vecantë në nderim të artistit të këngës do të shënohen këtë herë këto dy jubile. Për këngëtarin miku më i vërtetë ka qenë, është dhe mbetet Kënga.

Si nisi rrugëtimi i këngës ?

Këngën popullore e kemi pas dhe e kemi traditë duke iu falënderuar babës tim Musa Peja . Trashëgova zërin e tij dhe ky ka qenë inspirim i imi.

 

ISMET+PEJA+ Qamili Vogel dhe Mazllum Mejzini0

Kujt ia dedikon këtë sukses ?

Së pari ia kushtoj familjes sime që më përkrahu e pastaj gjithë atyre profesorëve dhe kompozitorëve që kompozuan dhe shkruan këngë për mua.

 Çka paraqet kënga për ju?

Jo vetëm për mua por për të gjithë ata që e duan dhe e kultivojnë këngën qytetare, vërtet është melhem për varre.

Keni kënduar në një mjedis, ku konkurrenca ka qenë dhe mbetët shumë e madhe, megjithatë kur përmendet Ismet Peja e tërë Gjakova dhe Kosova dridhen nga zëri juaj aq i latuar?

Është e vërtetë se kam kënduar në një rreth me këngëtarë shumë të fortë dhe te njohur,  por falë vokalit tim dhe sjelljes modeste që kam pas dhe kam për publikun,  mund të them lirisht se ajo më bëri që të dridhen publiku nga zëri im,  gjë që jam shumë mirënjohës.

Ismet Peja hajdardushi

Keni kënduar krahas  Ymer Rizes, pastaj Qamilit të madh, të vogël, Mazllum Myezinit etj. Me kë iu ka ardhë më se lehti të këndoni?

Me rapsodin e njohur Ymer Rizen,  me sharkinë e tij me 12 tela,  ka qenë për mua dhe mbetet,  përpos inspirimit,  edhe kënaqësia që kam ndjerë duke më përcjellë me atë instrument që është unikat . Kënaqësia ime më e madhe ka qene kur kam kënduar krahas dy këngëtareve të njohur: Qamilit të vogël dhe Mazllum Mejzinit,  të cilët kanë lënë gjurmë në melosin e bukur popullor shqiptar.

Jeni këngëtar i këngëve arshikishte por, keni kënduar edhe këngë patriotike , sikurse është, “Kaçanik shkëmb e gurë”, pastaj “Këngë për Ali Pashë Tepelenën”, “Në Dardani bien një tupan”, “Këngë për Dedë Gjon Lulin”…pra një numër i madh i këngëve nga sfera të ndryshme të jetës. Kjo iu bën juve një artist, vërtet-komplet?

Me siguri se me interpretimin e këtyre këngëve kam tregu aftësitë e mija të vokalit tim, që përpos  këngëve lirike, epiko-lirike,  të këndojë edhe këngët patriotike.

 Keni qenë dhe mbeteni i adhuruar dhe i papërsëritshëm. Potpuritë tuaja, nuk mund ti këndojë askush aq origjinale dhe aq  me shpirt e zemër. Prej nga gjithë ky vullkan dhe gjithë ky talent e vullnet, baca Ismet?

Gjithë vullkani dhe talenti kultivohen, ruhen dhe interpretohen me vullnet për këngën dhe për jetën. Kjo del nga shpirti dhe zemra, që  gjithmonë iu jam përkushtuar dhe sot e kësaj dite i përkushtohem vullnetit që kam në zemër dhe shpirt.

Çka ju bën   krenar?

Me siguri se ndjehem krenar kur publiku dhe adhuruesit e dëgjojnë dhe e duan këngën dhe zërin e Ismet Pejes.

Sa është çmuar atëherë artisti e sa çmohet tash. Krahasimi është i madh dhe ndoshta përgjigja kërkon tundim, megjithatë na intereson mendimi juaj kompetent?

Gjithmonë kënga e mirëfilltë shqipe është çmuar dhe është dëgjuar e besoj se edhe sot e kësaj dite çmohet dhe dëgjohet nga populli artdashës.

 Ju, krahas këngës një dekadë keni qenë edhe mësues, kurdo dhe kudo që e ka kërkuar nevoja. Duket se jeni i vetmi njeri që keni patur dy dashuri të mëdha, dashurinë për këngën dhe dashurinë për dijen?

Te dy këto dashuritë për këngën dhe dijen kanë qene dhe mbeten motivi kryesor i jetës dhe i veprimtarisë time .

Jeta iu ka përplasur nëpër dallgë e valë të trazuara, por gjithmonë i keni përballuar. Si keni arritur ta menaxhoni vetën, sepse është një punë  shumë e vështirë, por në të njëjtën kohë, nuk la asgjë më të mirë?

Jam munduar me zemër e shpirt te menaxhoj jetën time edhe pse kam kaluar nëpër dallgë të ndryshme,  ku shpesh herë i kam bërë pyetje vetit :”Athua do t’ia dalë me sukses kësaj pune?”- dhe për fat edhe sot e kësaj dite krenohem qe ia dola .

Keni qenë dhe jeni aktiv, vital dhe sevdali në çdo ndejë dhe në çdo shoqëri. A keni momente pikante, shumë interesante dhe ndonjë ndodhi që vlen të nxirret në publik?

Kam shumë momente por do ta veçoja vitin 1978 ne koncertin në sallën e mbushur përplot bashkatdhetarë tonë në Detroit të SHBA-ve. Atje,  pasi  këndova këngën “Vaj si qenka ba Dynjaja”  më afrohen dy zonja në moshë nga Shqipëria që kishin migruar në SHBA, prej vitit 1938, dhe me lot në sy më përqafojnë,  më urojnë sukses dhe më falënderojnë. Ato më thanë se me këtë këngë  i ktheva në rininë e tyre të hershme kur ato e kishin dëgjuar të kënduar nga Marije Kraja.

Një jetë në shërbim të artit dhe të këngës, kurrë pa u ankuar, kurrë pa pushuar. A është kënaqësi që tërë jetën ta kesh me  këngë?

Është kënaqësi e madhe dhe kjo tërë jetën më ka përcjellë,  edhe sot e kësaj dite.

Megjithatë, ja dalëngadalë vjen pleqëria…por për ju,duket se pleqëria ka stagnuar. Duket se pleqëria frikësohet nga artisti?

Është e vërtetë se pleqëria frikohet nga artistët , kur ata(artistet) i këndojnë dhe nuk i frikohen pleqërisë.

Ju keni edhe një familje të madhe artistesh, por Visari duket se është një visar i këngës dhe një trashëgimtar i denjë i juaji, sado që Ismet…një herë vjen në jetë???

E thashë edhe më lartë se këngën e bukur popullore gjithë shqiptare e kemi ruajtur, e kemi kultivuar dhe interpretuar me dinjitet brez pas brezi. Për këtë edhe djali im Visari i ka trashëgua këto virtyte.

Si shahir a iu ka bërë ndonjëherë syri vër?

Nuk ka asnjë shahir, as një këngëtar që në jetën e tij artistike nuk ka përjetuar ndonjëherë ti bënë syri vërr. Kjo është gjë normale për artistet.

Keni fituar ndonjë çmim të rëndësishëm apo çmimi më i madh është respekti dhe aplaudimi i publikut?

Kam shumë dekorata, mirënjohje, shpërblime por me i madhi , më i vlefshmi dhe ajo që më bën të krenohem është respekti dhe duartrokitjet e publikut.

Shpesh keni munguar nga shtëpia. Iu ka munguar familja?

Zakonisht në moshën e rinisë edhe më vonë kam pasur angazhime të shumta me koncerte,  me estradë në Kosovë dhe jashtë Kosovës. Është normale që më ka mungu familja, por kanë qenë kohë që është dashur të jem në këto aktivitete dhe familja ime ka qëndrua gjithmonë pranë meje dhe në asnjë moment nuk më ka penguar në zhvillimin e kësaj veprimtarie.

Keni patur shumë miq dhe adhurues,  vazhdoni t’i keni ende, apo ndonjë e ka shlyer koha e ndonjë as që ka qenë i vërtetë?

Te gjithë adhuruesit dhe dashamiret e këngës popullore qe e ka interpretua dhe e interpreton sot e kësaj dite Ismet Peja kane qene dhe mbeten besnike te vërtetë.

Sa miq duhet ti ketë njeriu, në jetë?

Njeriu në jetë mund të ketë shume miq, por miq të vërtetë dhe të sinqertë janë në numër të vogël.

Por, sigurisht kënga mbetët miku më i vërtetë?

Mund te them me sinqeritetin më të madh se për këngëtarin miku më i vërtetë ka qenë, është dhe mbetet Kënga.(gjakovapress)
Edhe në kete moshë jeton me këngën

Edhe në këtë moshë të shtyer,  këngëtari Ismet Peja mendon dhe jeton me këngën. Ai edhe tash  mendon për projekte të reja të muzikës që për synim kanë këngët e rinisë së tij, që siç thotë ai, kanë mbetur në harresë. Këtë e bënë për të mbetur gjithmonë të freskëta ndër breza si një trashëgimi me vlera për kulturën tonë.

 Kënga është terapia më e mirë e shëndetit dhe shpirtit të tij që rrëzojë edhe shumë “tërmete” në shëndetin e tij në vitet e 90-ta. Edhe në atë kohë të hipertensionit, lutej që “Zëri të më mbetet i padëmtuar”. Me zërin e çiltër e kumbues ai i bëri këngët më të këndshme dhe gjithnjë të dashura. Rrugëtimi i këngëve të tija nisi që nga mosha 13-14 vjeçare nga odat e ngrohta të muzikës gjakovare , ndërsa familja e tij ishte e dhënë tërësisht pas muzikës.

Për kaq shumë vite ai i mbeti besnik muzikës së mirëfilltë shqipe. Edhe këtë fundviti  Ismet Peja, që njihet për kultivimin e këngëve të vjetra qytetare,  planifikon të prezantojë një speltakël të madh me mysafir të shumtë nga Kosova, Shqipëria dhe dhe më gjërë. Për përkujdesjen artistike të këtij spektakli  po përkujdeset aktori dhe regjisori i njohur shkodran Bruno Shllaku

SHM “Hajdar Dushi” me Ismet Pejën arriti kulmin

Si anëtarë i vyeshëm i shoqërisë muzikore “Hajdar Dushi” bashkë me anëtarët tjerë dhe orkestrinën, vazhdimisht ka punuar në kultivimin e melosit të mirëfilltë dhe se ka një repertor të pasur të këngëve qytetare, që janë mirëpritur kudo.

Shoqëria Muzikore “Hajdar Dushi” ishte prezantuese e muzikës shqipe që kultivohej në Kosovë dhe paraqiste identitetin e popullit shqiptarë në këtë trevë. Vlerat e larta artistike kanë bërë që këngët e interpretuara nga kjo shoqëri muzikore  të bëhen pjesë e pandarë e përditshmërisë sonë. Breza të tërë janë rritur e vazhdojnë edhe sot t’i kujtojnë me nostalgji këngët e interpretuara nga anëtarët e vyeshëm të kësaj shoqërie.

Ismet Peja duke vazhduar misionin e shoqërisë muzikore “Hajdar Dushi” ka deklaruar se, këngët e paharruara të  Qamilit të Vogël,  të shkruara në vargje e të botuara në libra, për të mbetur gjallë ndër breza, duhet të notizohen nga kompozitorët dhe të interpretohen nga solistët.

“Unë si këngëtarë këtë punë do vazhdoj ta bëjë edhe gjatë këtij viti, me incizimin e këngëve të vjetra, të njohura si këngë të “Sofrës gjakovare”, tha Ismet Peja.

Duke marrë në konsideratë angazhimin që i ka vënë vetes, doajeni i këngës së bukur shqipe, Ismet Peja, ndër të tjera tha:

“I kam vënë vetes një detyrim, që të mbledh një bagazh të këngëve të harruara (si interpret që jam e jo si kompozitorë) kështu që, do të mundohem të bëjë një përmbledhje të këngëve të vjetra, që asnjë këngëtarë nuk i këndon e që janë vlera të pakontestueshme. Detyra ime është që, sikur Qamili i Vogël, i ndjeri, që kishte lënë këngët e tija të botuara dhe unë i pata premtuar atij se do të vazhdoj një punë të tillë dhe se po të mos kishte filluar rrëmuja e gjenocidit serbosllav, unë e kam pasur ndërmend të realizoj atë projekt. Sikur ato “Sofrat…” që i kam bërë gjatë viteve ‘86, ’87, ’88, ‘89 kam pasur ndërmend t’i vazhdoj edhe gjatë viteve të 90-ta e tutje, derisa të kam jetë. Kështu që, të gjitha ato këngë sa kanë qenë të botuara të Qamilit të Vogël kam dashur t’ia lë publikut dhe rinisë sonë, me ato tekste por me vijën muzikore të shoqërisë “Hajdar Dushi”, ka thënë Ismet Peja.

Më dëshirën që të arrij këto synime, këngëtari Ismet Peja, ndër të tjera ka thënë: “Nëse kam me pas shëndet dhe dashtë Zoti të kem, unë do të mundohem që në të ardhmen  të jem sa më produktiv në aspektin e muzikës dhe këngëve të cilat kanë mbetur në harresë, sepse vetëm kështu shënohet më së miri 75 vjetori i lindjes dhe 60 vjetori i karrierës si këngëtarë ”.

Sukseset në skenat muzikore, në koncerte, festivale e dasma tradicionale jo vetëm në Kosovë, por edhe në vende të ndryshme të botës, e kanë bërë Ismet Pejën  mjaftë të admiruar për adhuruesit e melosit popullor, ndërkaq synimi i tij,  për të interpretuar këngët e vjetra e për t’i ruajtur ato incizime si trashëgimi e çmuar e kësaj treve, është mirëpritur dhe përshëndetur nga publiku.

Biografi: 

Ismet Peja (27 prill 1937) është këngëtar i këngëve të vjetra qytetare. Ai u lind në Gjakovë dhe është i biri i Musa Pejës, i cili po ashtu ishte këngëtar i melosit shqiptar.

Që në fëmijëri, prej moshës 13/14 vjeçare filloi të merrej me muzikë. Sukseset më të mëdha i arriti me shoqërinë muzikore “Hajdar Dushi”, me të cilën kishte prezantime të shumta në media të ndryshme e poashtu edhe në Radio Prishtinë.

Albumi i tij i parë doli në vitin 1986 me orkestrën e “Hajdar Dushit”. Gjerë tani ka publikuar një numër të madh të albumeve muzikore dhe shumë videoprojekte me muzikën e sofrave gjakovare. Në vitin 2005 nxori një album me djalin e tij, këngëtarin Visar Peja.

Ismet Peja, gjatë vitit 2009 ka edituar një album me këngë të bukura qytetare shqipe të cilin e ka titulluar “Këngë të shpirtit tim”, në të cilin kanë bërë pjesë disa nga këngët të cilat dëgjohen me ëndje nga adhuruesit e muzikës së mirëfilltë shqipe, si: “S’paske pas një pikë mëshirë”, “Sillu, sillu botë e vjetër”, “Dy çuna që i ka Tirana”, etj, janë këngë të paharruara, të cilat janë vlerësuar lartë nga publiku artdashës.

Ai shprehet se “derisa të jam gjallë do të jem prodhues dhe kultivues i kësaj fryme muzikore”.