KB Vëllaznimi pëson humbjen e tretë radhazi
Pas dy humbjeve rresht me KB Peja dhe Kb Bashkimi u prit që KB Vëllaznimi ti këthehet fitoreve në teren të vet. Të shtunën në mbrëmje këtë e pamundësoi KB Proton Cable Prizreni që në sekondin e fundit e siguroi fitoren 76:78 (19:21, 20:28, 28:13, 9:16) në javën e tretë të Prince Caffe Superligës, duke dëshpruar tifozerinë, që sonte për habi nuk e kishte mbushur Pallatin e Sporteve sikurse në kampionatin e shkuar.
Çereku i parë ishte tërësisht i barabartë, ku asnjëra skuadër nuk arrinte të shkëputej, por në fund prizrenasit me tri pikë radhazi e fituan këtë pjesë 19:21. Edhe periudha e dytë ishte e barabartë deri në fund, kur një seri e mysafirëve bëri që të shkojnë në pushim me shifrat 39:49.
Vendasit dalëngadalë shkrin epërsinë e mysafirëve dhe në pesë minutat e fundit të periodës së tretë, hyjnë në një seri të suksesshme të inspiruar nga Ardit Pepaj dhe bëjnë rikthimin e madh, ku shifrat pas 30 minutash ishin 67:62. Në dhjetë minutat e fundit u zhvillua lojë dramatike deri në fund, madje fituesi nuk është ditur deri në çastet e fundit, ku edhe pse të dy skuadrat kishin mundësi për fitore, ishte Deni Sills që me dy pikë nga gjuajtjet e lira vendosi fituesin e ndeshjes për rezultatin përfundimtar 76:78.
Te Vëllaznimi u dalluan Samuel Sessoms me 23 pikë, katër kërcime e katër asistime, Jordan Dallas me 11 pikë e 11 kërcime dhe Ardit Pepaj me 16 pikë e katër kërcime. Skuadren kuq e zi në ndeshjen e sontme e drejtoi J. Plantak në vend të kryetrajnrit A. Prakuratis. Nuk u panë as asistentet Rraci dhe Kumnova.