Kërkohet trajtim i barabartë për gjithë të zhvendosurit
Zëvendës shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Luca Curci , të mërkurën edhe njëherë ka ripërsëritur kërkesën për komunën e Gjakovës për ndarjen e parcelave për personat e zhvendosur të komunitetit RAE, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për t’u rikthyer. Në këtë kontest ai ka bërë të ditur se bëhet fjalë për 50 familje me 114 persona të cilat që nga zhvendosja e tyre në kohën e pasluftës në vitin 1999, kanë shprehur vullnetin e tyre që nga kampet e Malit të Zit të rikthehen në Komunën e Gjakovës.
Këto komente Luca Curci I ka bërë në takim me kryetaren e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila e cila ka shprehë gatishmërinë për t’u ofruar mbështetje konkrete këtyre familjeve. Për këtë qëllim sipas saj, janë identifikuar dy lokalitete, një në afërsi të “Urës së Lukacit” dhe një tjetër në afërsi të fshatit Hereq, dhe se tani ka mbetur që me Drejtorinë për Gjeodezi, Kadastër dhe Pronë të punohet dhe të kryhen detajet tjera.
Çështje tjetër e specifikuar rreth të zhvendosurve ka qenë mënyra e ndërtimit të objekteve strehuese, që të jenë kolektive, apo të ketë si mostër ndërtimet në lagjen “Ali Ibra”, apo siç njihet edhe ndryshe, lagja “Kolonia”.
Vëmendja e kryetares së Gjakovës në takim me z.Shefin e misionit të UNHCR-së në Kosovë, ka qenë edhe zhvendosja e popullatës nga fshatrat e Komunës në brendi të qytetit, sidomos atyre të brezit kufitar dhe të cilët jetojnë në kushte jo të mira dhe kryesisht janë në mëshirën e ndihmës së familjarëve të tyre të cilët jetojnë jashtë Kosovës, e prej të cilëve dhe sigurojnë elementet bazike për jetesë
”Duhet të ketë tretman të barabartë për të gjithë të zhvendosurit” ka kërkuar kryetarja Mimoza Kusari Lila. Z.shefi i misionit të UNHCR-së në Kosovë, Luca Curci , ka bërë të ditur se nga KE janë ndarë dy milion euro për ndërtimin e 60 shtëpive në tërë Kosovën. Kjo shumë është konstatuar si jo e kënaqshme, porse nga përfaqësuesit e UNHCR-së është thënë se nëse dëshmohet se do të ketë sukses në implementim të këtij projekti, KE ka treguar gatishmërinë për investime tjera.