Thursday, April 11, 2024
AktualeKulturëLajme

Komedia fest nga 9 deri me 15 shtator

Nga  9 deri me 15 shtator, në Gjakovë do të organizohet festivali Komedia Fest, i cili  do të ngërthejë në vete shfaqje teatrale nga zhanri i komedisë, muzikë, ekspozita dhe panaire të ndryshme. Këtë e kanë bërë të ditur organizatorët e këtij manifestimi, të cilët gjatë një konference për gazetarë të mbajtur të premten, kanë premtuar se edicioni i dytë i festivalit do të jetë dukshëm më i fuqishëm dhe më atraktiv për vizitorët, pasi në këtë edicion janë futur disa risi shtesë.

komedia fest 13Lekë Rezniqi dhe Elida Shasavari, dy nga organizatorët e këtij evenimenti kanë bërë të ditur se përpos shfaqjeve të përnatshme që do të ipen në ambientet e Teatrit të Gjakovës, do të ketë edhe organizime muzikore për të rinjë, të cilat si edhe vitin e kaluar do të organizohen në ambientet e Çarshisë së vjetër, ndërsa të përditshme do të jenë edhe ekspozita të ndryshme dhe panairi i produkteve vendore bujqësore. Siç kanë njoftuar ata, me shfaqjen gjatë festivalit do të prezentohen trupat teatrale nga Tirana, Vlora, Kumanova, Shkupi, Mitrovica, Prishtina, Tetova, Peja dhe Gjakova. Të gjitha shfaqjet, do të jenë premiera të realizuara gjatë vitit 2013. Ndërsa, në mbrëmjet muzikore, pritet të përformojnë grupet më të njohura të muzikës shqiptare nga të gjitha zhanret. Organizatorët kanë thënë se gjatë 7 ditëve do të ketë shumë risi në aktivitete, por risia më e madhe pritet të jetë në natën e fundit me grupin apo këngëtarin që do të përformojë në mbrëmjen muzikore, emër ky që do të mbetet sekret deri me 15 shtator.

Risi nga viti i kaluar do të jetë edhe organizimi i takimeve të përditshme me ikonat e komedisë shqiptare, në të cilat adhuruesit do të mund të takohen e të bashkëbisedojnë pa protokoll me emrat më eminent të këtij zhanri teatral. Adhuruesit po ashtu do të kenë mundësi që një ditë pas shfaqjes, të takohen me komplet trupën e shfaqjes dehe të bashkëbisedojnë lirshëm me ta.

Qëllimi i këtij aktiviteti që tashmë veçse ka hyrë në rrugën e të qenit aktivitet tradicional është ringjallja e jetës kulturore në qytetin e Gjakovës dhe pasi të gjitha aktivitetet tjera mbahen në Çarshinë e vjetër, edhe ringjallja e kësaj pjese atraktive të Gjakovës.