Komisioni jep dritën jeshile projektit për Çarshinë e Vjetër

Qarshia_Gjakove

 

Bashkëpunimi mes zyrtarëve të komunës së Gjakovës dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës rreth vazhdimit të punimeve në rinovimin e rrugës kryesore të Çarshisë së Vjetër, kanë dhënë rezultatet e shumëpritura nga pronarët e bizneseve që janë dëmtuar më së shumti dhe nga qytetarët që e mbajnë për krenari Çarshinë e vjetër. Komuna e Gjakovës kishte dorëzuar disa propozime për të cilat një komision Professional I Ministrisë kishte debatuar. Sipas vlerësimeve përfundimtare të këtij komisioni Çarshisë së Madhe në Gjakovë përfundimisht do t’i kthehet kalldrëmi. Bankat dhe llambat përgjatë rrugës do të përshtaten me arkitekturën e kompleksit nën mbrojtje të shtetit. Komisioni për Trashëgimi Kulturore tashmë është dakorduar se propozimi i pestë i Komunës së Gjakovës plotëson kriteret e kërkuara për restaurimin e këtij kompleksi, i cili Komunës së Gjakovës po i kushton 1 milion euro.

Bëhet e ditur se në Ministrinë e Kulturës janë duke pritur vendimin me shkrim nga Komisioni, për të bërë të plotfuqishëm edhe ligjërisht këtë vendim. E kreu i Komunës së Gjakovës, Pal Lekaj, edhe në debatin që pati me organizim të Lëvizjes “Fol”  ka thënë se tashmë gjithçka është zgjidhur në mes të Komunës dhe

Ministrisë dhe se kjo pjesë e vjetër e qytetit do ta kthejë atraksionin gjatë muajve të ardhshëm.

“Tani gjithçka është sqaruar, është marrë vendimi nga Komisioni për Trashëgimi Kulturore në kuadër të Ministrisë së Kulturës dhe presim që punët të nisin”, ka thënë Lekaj, duke kërkuar falje prë shqetësimet e shkaktuara tek pronarët e dyqaneve për këtë zhagitje që erdhi si pasojë e një tejkalimit të vendimit administrative që e lëshon Ministria.

Ai ka thënë se në investimet e Çarshisë me 200 mijë euro ka kontribuar Kompania rajonale e Ujësjellësit Radoniqi, për vënjen e rrjetit të ri të ujësjellësit, pastaj të kompanisë së ndriçimit që punon me kontratë vjetore. Lekaj ka  premtuar se për tre muaj do të rregullohet Çarshia, në bazë të projektit që e ka aprovuar Komisioni profesional.