Sunday, September 8, 2024
Aktuale

Komuna e Gjakovës po i afrohet numrit 1.000 me të infektuar nga Covid 19

Nga muaji mars e deri me sot në komunën e Gjakovës me virusin korona janë infektuar 962 pacientë. Vetëm sot(e enjte)  janë konfirmuar 35 raste të reja, 27 në qytet,  nga  2 në Batushë dhe Brovinë, kurse nga një në fshatrat Demjan, Lugbunar, Meje dhe Orize. Deri me sot nga 962 të infektuar  janë shëruar 591 pacientë kurse kanë vdekur 51 persona. Në raportin e fundit të IKSHPK-së, 3 raste të vdekjeve janë nga komuna e Gjakovës Është numri i lartë i rasteve aktive që shkon në  320.

Barrën kryesore në përballjen e numrit të pacientëve të dyshuar me Covid 19, padyshim se po e bartë Spitali i përgjithshëm në Gjakovë. Drejtori Hilmi Shala i tha Radio Gjakovës se fluksi i pacientëve është në rritje e sipër. Ai ka bërë publike edhe raportin 24 orësh në këtë institucion shëndetësor, duke theksuar se 45 pacientë po trajtohen me Covid 19, ndërsa  janë pesë reparte  me kapacitet prej 85 shtretërve ku personeli shëndetësor u ofron shërbime shëndetësore. 

Numri në rritje i të dyshuarve me Covid 19 në komunën e Gjakovës ka sfiduar sërish mantelbardhët e Spitalit të Gjakovës ,  duke u organizuar për përballjen e re me numër të rritur të të infektuarve. Shala ka apeluar për kujdes shumë më të shtuar të qytetarëve duke iu shmangur rreziqeve të infektimit me mbajtje të maskës, distancë dhe higjienë.

Shtabi Komunal për Menaxhimin e Pandemisë ka theksuar domosdoshmëria e inspektimit të respektimit të masave nga ana e qytetarëve dhe bizneseve. Në njoftimin pas kësaj mbledhje thuhet se, “Personat pozitivë me virus dhe ata të cilët i nënshtrohen testimit duhet të qëndrojnë të izoluar. Zyrtarët policorë do të vazhdojnë të vëzhgojnë respektimin e kësaj mase. “

Më tutje Shtabi komunal kujton  qytetarët e infektuar me virus, se  duhet të kontaktojnë në numrin 0390 326-749 dhe shërbimet nga personeli shëndetësor i QKMF-së do t’i marrin përmes vizitave në shtëpitë e tyre.

Ndërkaq, Kryetari Komunës Ardian Gjini në bazë të kompetencave të tij me ligj, ka marrë vendim për ndalimin e ofrimit të shërbimeve për palët në administratën e institucionit të Komunës së Gjakovës, duke përjashtuar shërbimet e ofiçarisë, zyrës së pranimit dhe tatimit në pronë. Në bazë të këtij vendimi, qytetarët që hyjnë në objektin e Komunës, janë të obliguar të respektojnë të gjitha masat sipas manualit për mbrojtje nga COVID-19. E gjithë kjo për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe evitimin e një mbylljeje tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *