Komuna heq edhe pagesat per lutje e kërkesa
Derisa pritet konstituimi i Bordit te drejtoreve, kryetarja e Komunës së Gjakovës , Mimoza Kusari Lila, duke u bazuar në nenin 11.13 dhe 58, shkronjat a.b. të Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale nr.03/L-040, ka marrur vendim për heqjen e pagesave dhe tarifave për shërbimet e parapara në Rregulloren mbi Tarifat dhe Ngarkesat nga Sherbimet dhe Veprimtaritë Komunale.
Pagesat dhe tarifat të cilat janë hequr me vendim të kryetares, Mimoza Kusari Lila janë:
1. Pagesa prej 1 euro për kërkesa, lutje, propozime, fletëparaqitje dhe parashtresa.
2. Pagesa prej 5 euro për parashtresa me të cilat kërkohet intervenimi i organeve të inspeksionit.
3. Pagesa prej 5 euro për ankesë kundër aktvendimit të organit të shkallës së parë.
4. Pagesa prej 1 euro për ankesa kundër faturës mbi tatimin në pronë – Aktvendimit të Bordit të ankesave të TP si dhe të ngarkesave për ushtrimin e veprimtarisë afariste.
Ndryshe, ky është vendimi i dytë i kryetares Kusari-Lila që prej se ka marr postin e drejtimit të Komunës, vendim i cili ua lehtëson qytetarëve të kësaj komune gjendjen edhe ashtu të rëndë ekonomike.
Para pak ditësh, ajo bëri me dije se ka hequr obligimin e pagesës së faturave të ngrohjes, mbeturinave dhe ujit për regjistrim të automjeteve.